Ronaldo largohet nga stërvitja/ Jorge Jesus i prerë: Unë jam trajneri

30 September 2026, 19:42 / SPORT ALFA PRESS

Situata në Kombëtaren e Portugalisë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, teksa marrëdhënia mes trajnerit Jorge Jesus dhe Cristiano Ronaldos ka ngritur pikëpyetje të shumta.

Ronaldo nuk u aktivizua asnjë minutë në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pavarësisht se u dërgua për t’u nxehur gjatë takimit. Vendimi i trajnerit solli diskutime të shumta në Portugali, ndërsa tashmë situata është komplikuar edhe më tej.

Sulmuesi veteran është larguar nga seanca stërvitore e ekipit përpara sfidës me Danimarkën, duke vënë në dyshim edhe praninë e tij në këtë përballje.

Megjithatë, Jorge Jesus ka mohuar se mes tij dhe Ronaldos ka pasur një konflikt.

“Nuk pati asnjë incident me Ronaldon. I kam shpjeguar tashmë arsyet e asaj që ndodhi dhe nuk kam problem t’i shpjegoj përsëri”, deklaroi Jesus.

Trajneri portugez sqaroi se kishte vendosur paraprakisht që Ronaldo të mos luante në dy ndeshjet dhe se vendimi për ta nxehur gjatë sfidës me Norvegjinë erdhi vetëm për shkak të nevojave të lojës.

“U thashë Ronaldos se nuk do të luante këto dy ndeshje. Gjatë ndeshjes mendova se mund të kisha nevojë për të, ndaj e bëra të ngrohej. Në fund vendosa të mos e fusja në fushë”, tha ai.

Jesus pranoi se Ronaldo, ashtu si çdo futbollist tjetër, nuk mund të ishte i kënaqur pasi qëndroi në nxehje për një periudhë të gjatë pa u aktivizuar.

Por trajneri ishte kategorik për autoritetin e tij.

“Unë jam trajneri dhe kam vendosur të mos e aktivizoj. Nëse më duhet për gjysmë ore, do të luajë gjysmë ore. Përndryshe, nuk do të luajë. Asnjë lojtar nuk do të më ndryshojë mendjen për këtë, as ai dhe as askush tjetër në futboll.”

 

Jesus tha gjithashtu se situata ishte zmadhuar në Portugali më shumë seç duhej dhe se nuk kishte pasur ndonjë konflikt mes palëve.

Sipas tij, edhe presidenti i Federatës Portugeze ishte interesuar për situatën për shkak të raportimeve të shumta, por çështja ishte sqaruar tashmë pas darkës.

Tashmë vëmendja është te sfida me Danimarkën dhe te pyetja nëse Cristiano Ronaldo do të jetë në dispozicion të Jorge Jesus për këtë përballje.

Po ndodh...

ide