Qytetarët protestojnë për Zvërnecin, Rama mbron projektin dhe premton transparencë: Gjithçka e shkruar e zeza mbi të bardhë do të bëhet publike

30 September 2026, 18:29 / POLITIKË ALFA PRESS
Qytetarët protestojnë për Zvërnecin, Rama mbron projektin

Ndërsa qytetarë dhe aktivistë po protestojnë para Kryeministrisë kundër projektit të shumëdiskutuar në Zvërnec, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka informuar Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për ecurinë e këtij projekti.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me von der Leyen, Rama tha se qeveria është në pritje të studimit të thelluar mjedisor, ndërsa paralajmëroi publikimin e dokumenteve dhe të dhënave që lidhen me projektin.

Sipas kryeministrit, në ditët në vijim do të vihet në funksion “Pasqyra”, përmes së cilës do të bëhet publike dokumentacioni dhe procesi i ndjekur për projektin.

“E kam informuar presidenten e Komisionit për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes, po e quaj, për të mos i vënë asnjë fjalë tjetër, ku tani jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor”, tha Rama.

Ai shtoi se publikimi i dokumenteve synon të rrisë transparencën dhe ndërveprimin e qeverisë me publikun.

“Duke e informuar në lidhje me hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun edhe të ndërveprimit të qeverisë me publikun përmes mjeteve të reja të teknologjisë, në ditët e ardhshme do të ndezim Pasqyrën me transparencën e plotë të të gjithë dokumenteve dhe procesit sa i takon gjithçkaje që është e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe projektin e shumë diskutuar”, u shpreh kryeministri.

Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur protesta kundër projektit po zhvillohet jashtë Kryeministrisë, me qytetarët dhe aktivistët që kundërshtojnë ndërhyrjen e planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Rama tha gjithashtu se gjatë takimit me von der Leyen është diskutuar edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Po ndodh...

ide