Zbulohet mashtrimi/ Berisha nuk u lejua të lexojë fjalimin e tij në Asamblenë e KE, këtu e shet si "programatik"
Ditën e diel kreu i PD, Sali Berisha, u nis drejt Strasbugut ku mbahet Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Europës. Dje paradite, (E hënë 28 Shtator 2026), zyra e shtypit të PD njoftoi, se atë ditë Berisha do të kryente takime dhe mbante një fjalim në Strasburg në orën 15.30. Por asnjë njoftim për aktivitetin e Berishës, nuk doli ditën e hënë.
Vetëm 24 orë më pas, zyra e shtypit të PD, njoftoi se kreu i PD, Sali Berisha, kishte mbajtur ditën e djeshme një fjalim për Kosovën në Asamblenë e KE, duke e shoqëruar me një tekst. Mungon video, apo ndonjë fotografi që paraqetet Berishën duke folur në podiumin e Asamblesë së PE.
"Berisha në Strasburg në seancën për Kosovën: Drejtuesit e luftës u dënuan me 84 vite, Apeli t’i shqyrtojë objektivisht! Beogradi kërkon votat me fantazmën e Mlladiç.
Fjalimi i djeshëm programatik i kryetarit të PD, Sali Berisha, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, i transkriptuar edhe në sajtin zyrtar", thuhet në njoftimin zyrtar i shoqëruar me fjalimin e zbardhur.
Të njëjtin tekst ka shpëndarë pasdrekën e kësaj të marte edhe vetë zoti Berisha, në faqen e tij në FB. Meqenëse kreu i PD dhe zyra e tij e shtypit theksojnë se, fjalimi i djeshëm programatik i kreut të PD në Asamblenë Parlamentare të KE gjendet edhe në sajdin zyrtar të Këshillit të Europës, Alfapress.al, bëri një verifikim. Rezulton se aty është publikuar vërtet teksti i fjalimit që ka publikuar PD dhe Berisha, por i shoqëruar me shënimin, "Undelivered speech" (Hap linkun më poshtë)
https://pace.coe.int/en/verbatim/2026-09-28/pm/en#speech-39635
Ky shënim përkthehet në shqip dhe do të thotë, se fjalimi i publikuar vetëm si tekst, nuk është lexuar fizikisht nga Berisha në sallën e Asamblesë së KE, por vetëm është dorëzuar te sekretaria përkatëse. Te linku përkatës ku del fjalimi i shkruar, mund të klikoni edhe rubrikën "Video", poshtë fotografisë së Berishës. Vërtet ka një video nga salla, por aty nuk shfaqet asgjëkundi kreu i PD, as duke "mbajtur" fjalim dhe as në sallë.
Duket dhe është e qartë se kreun e PD, Sali Berisha, e kanë lejuar që të dorëzojë tekstin e fjalimit të tij te sekretaria përkatëse e Asamblesë së KE, por nuk është lejuar që ta mbajë atë fizikisht në sallë.
Është e vërtetë që zoti Berisha kërkon të mbajë të karikuar dhe me shpresa ndjekësit e tij duke ju shitur mirazhin se ai nuk ka më asnjë problem me ndërkombëtarët, por mashtrimi deri në këtë pikë, nuk e nderon atë, as për pozicionin politik dhe as për moshën!
Fjalimi i Berishës i dorëzuar në sekretarinë e Asamblesë
Zonja Kryetare,
Zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, për sa i përket respektimit të parimeve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare, pavarësisht motivit të tyre, janë zhvilluar në përputhje me këto parime.
Megjithatë, jam dakord me folësit e mëparshëm se shpeshtësia e tyre, për shkak të zgjedhjes së Presidentit, duhet të shmanget. Për këtë nevojitet asistenca e Këshillit të Europës dhe e Komisionit të Venecias për të gjetur një mënyrë më të zbatueshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Zonja Kryetare,
Gjatë këtyre ditëve të fundit, pas dënimeve të papritura të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga gjykata e Kosovës në Hagë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë. Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik.
Për shembull, Tribunali i OKB-së në Hagë dënoi komandantin e Korpusit të Prishtinës, z. Vladimir LAZAREVIÇ, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, z. Dragoljub OJDANIÇ, me nga 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë Operacionit “Patkoi” në Prishtinë.
Në të kundërt, drejtuesit politikë të Kosovës u dënuan me një total prej 84 vitesh burg, bazuar në një zinxhir komandimi që ata nuk e kanë pasur kurrë në mënyrë të strukturuar.
Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive.
Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike.
Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i z. Aleksandar VUÇIÇ, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e z. Ratko MLLADIÇ.
Besoj se ky institucion duhet të ndërmarrë veprime të qarta kundër këtyre rreziqeve./Alfapress.al
Po ndodh...
Rrethimi i Ramës dhe Berishës nga SPAK!
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128