Gjermania, Austria, Danimarka, Holanda, Finlanda dhe Suedia kërkojnë reduktimin e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të BE-së

29 September 2026, 16:01 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Gjashtë vende të Bashkimit Evropian kanë shtuar presionin për shkurtimin e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të Unionit për periudhën 2028-2034. Gjermania, Austria, Danimarka, Holanda, Finlanda dhe Suedia i kanë kërkuar presidencës irlandeze të Këshillit të BE që propozimi i ri të reduktohet me “disa qindra miliardë euro”. 

Gjashtë vendet janë kontribuese neto në buxhetin e BE dhe argumentojnë se shifra e propozuar nga Komisioni Evropian, prej 2 trilionë eurosh është shumë e lartë dhe nuk mund të përballohet nga vendet që mbajnë barren financiare.

Në një letër të datës 28 shtator, liderët e gjashtë vendeve i kërkojnë kryeministrit irlandez Micheál Martin që madhësia totale e buxhetit të përcaktohet përpara ndarjes së fondeve sipas sektorëve. Ata kundërshtojnë edhe propozimin e mëparshëm për shkurtimin prej 2% të konsideruar te pamjaftueshëm. Sipas tyre, Komisioni Evropian ka propozuar një rritje nominale prej 60%, ndërsa të gjitha vendet anëtare përpiqen të konsolidojnë financat dhe kufizojnë shpenzimet.

Përveç uljes së shumës totale, gjashtë vendet kërkojnë ndryshim të prioriteteve të shpenzimeve. Ato duan që më shumë fonde të orientohen drejt sigurisë dhe mbrojtjes, konkurrueshmërisë, inovacionit dhe luftës kundër migracionit të parregullt, ndërsa fondet për politika tradicionale, si kohezioni dhe bujqësia, të rishikohen. 

Në letër kritikohet gjithashtu plani për rritjen e numrit të punonjësve në institucionet evropiane, duke argumentuar se nuk përputhet me masat e kursimit që po ndërmarrin administratat kombëtare.

Irlanda pritet të paraqesë në ditët në vijim një tekst të ri kompromisi, përpara samitit të liderëve të BE-së më 15 dhe 16 tetor. 

Negociatat për Kornizën Financiare Shumëvjeçare kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa vendet anëtare synojnë të arrijnë një marrëveshje për buxhetin 2028-2034 deri në fund të vitit

Po ndodh...

ide