Ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin, Vlora Hyseni ankimon vendimin e GJKKO që e la në “arrest shtëpie”

29 September 2026, 15:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ish-shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ankimoi në Gjykatën e Apelit të Posaçëm vendimin për masën e sigurisë. Përmes avokatit të saj, Hyseni kërkon heqjen e masës së “arrestit shtëpiak”, duke e konsideruar të padrejtë.

Ish-kryespiunia shqiptare dyshohet nga SPAK për akuzat e përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror, ndaj me vendim të Gjykatës së Posaçme ndaj saj u caktua në mungesë masa e arrestit në shtëpi. Ajo ndodhej jashtë vendit, por u kthye në Shqipëri përmes Kosovës për t’u përballur me Gjykatën e Posaçme, në atë që njihet si seanca e marrjes në pyetje.

SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se Hyseni ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që i shumëkërkuari ishte në arrati. Në telefonin e sekuestruar Agasit në momentin e arrestimit, prokurorët pretendojnë se kanë gjetur të dhëna që Hyseni i kishte siguruar për shkak të detyrës dhe ia kishte dërguar të shumëkërkuarit.
Agasi dyshohet si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe ndikonte në manipulimin e tenderave të institucionit.

Këtë person -thotë SPAK- Hyseni rezulton se e informonte, nga takimet me kryeministrin deri tek ato me partnerët ndërkombëtarë. Për aferën e AKSHI-t, deri më tani janë të dyshuar një sërë zyrtarësh të lartë, përfshirë edhe ish-drejtoreshën e institucionit, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si dhe zyrtarë policie.

 

 

Po ndodh...

ide