Rrethimi i Ramës dhe Berishës nga SPAK!
Nga Ermal Peçi
Historia politike ka treguar se askush nuk e gëzon përjetë pushtetin politik, pavarësisht sa i pushtetshëm apo i fuqishëm ka qenë. Historia ka një ironi të sajën: shpesh, pushteti nuk rrëzohet duke goditur drejtpërdrejt mbretin, por duke i hequr atij, një nga një, gurët që e mbrojnë. Siç paralajmëronte Lord Acton: “Pushteti priret të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton absolutisht.”
Sot, në aeroportin e Rinasit, ata që kanë qenë dy prej njerëzve që e kanë mbajtur pushtetin më gjatë u shkëmbyen në dyert e Rinasit, aty ku kamerat nuk depërtonin dhe askush nuk di të thotë nëse kishte një takim apo jo. Duket si një takim me regji, për të vetmen arsye për të dhënë edhe një mesazh simbolik, duke qenë se ambasadori amerikan Eric Wend ka ardhur në Shqipëri, por edhe për faktin që SPAK goditi shefen e shërbimit sekret, njeriun e besuar të Edi Ramës, që e mori atë post falë tij.
Duket se SPAK ka përdorur një strategji e cila sa vjen e ngushton lakun për Edi Ramën dhe Sali Berishën. Në fillim e nisi për të rrëzuar këmbën e trinomit, Ilir Metën, i cili tashmë është harruar në qeli dhe ngjan si një kujtim i largët politik. Më pas u afrua te Sali Berisha, të cilin po e heton për tre dosje: Partizani, Gërdeci dhe 21 Janari.
Në politikë, si në shah, nuk është gjithmonë mbreti figura që goditet e para; shpesh loja fitohet duke i hequr atij figurat që e mbrojnë.
Ndërkohë që dosjet për Berishën hetoheshin nga SPAK, Rama, së bashku me “yes-men”-ët e tij mediatikë dhe deputetët e tij, rrihnin gjoksin se si SPAK bënte një punë të mirë, se si drejtësia funksiononte dhe se këta nuk do të dilnin kurrë kundër drejtësisë.
Strategjia e SPAK ishte komplet ndryshe, për të nxjerrë në dritë një pamje tjetër: që as Rama, as Berisha nuk e donin drejtësinë kur ajo afrohej tek ata. Prova e pushtetit nuk është si sillet me drejtësinë kur ajo godet kundërshtarin, por si sillet kur drejtësia troket në derën e tij.
SPAK filloi goditjet në qeveri: Tahiri, Beqaj, Ahmetaj, Veliaj dhe, në fund, njeriu i paprekshëm, Balluku. Këtu Rama duhej të rrëzonte maskën dhe të grinte 83 kartona për të mos e lënë SPAK të arrestonte Belinda Ballukun. Po sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo situatë, SPAK e goditi në zemër Kryeministrin, tek AKSHI, por edhe tek shërbimi sekret i Edi Ramës, që bashkëpunonte me Ergys Agasin.
Edi Rama, i braktisur në OKB, ku vajti për takime të nivelit të lartë dhe u kthye me një selfie me Taulant Ballën, sot iu rikthye sulmeve ndaj SPAK nga aeroporti i Rinasit. I kujtoi Amerikës e BE-së “Noc Rrokun”, por nuk foli për faktin që sistemi që ai ka ngritur është komplet i rrënuar.
Pushteti i Edi Ramës po përballet me paradoksin e tij më të madh: sa më gjatë ta kesh drejtuar një sistem, aq më e vështirë bëhet të thuash se nuk ke përgjegjësi për atë që ai prodhon. Tashmë, me ardhjen e ambasadorit amerikan, Tirana politike ndihet se nuk është më e qetë. Dy prej dinosaurëve politikë janë rrethuar nga SPAK, një investim i mirëfilltë amerikan, ku tashmë laku sa vjen e ngushtohet.
Makiaveli e ndërtoi një pjesë të mendimit të tij politik mbi paqëndrueshmërinë e fatit dhe të pushtetit: ai që sot duket i paprekshëm, nesër mund të gjendet përballë rrethanave që nuk i kontrollon më. Në shah ekziston një moment kur mbreti është ende në këmbë, por loja praktikisht ka përfunduar: figurat që e mbronin kanë rënë, hapësirat për t’u larguar janë mbyllur dhe çdo lëvizje e tij e afron më shumë me fundin.
Në politikë ndodh shpesh e njëjta gjë.
Nuk është e nevojshme të rrëzosh menjëherë mbretin. Mjafton t’i presësh krahët, t’i rrëzosh fortesat dhe t’i mbyllësh daljet. Pastaj rrethimi bën pjesën tjetër. Se fundi i një pushteti nuk fillon domosdoshmërisht ditën kur bie mbreti; mund të ketë filluar shumë më herët, ditën kur nisën t’i bien një nga një figurat që e mbronin.
Po ndodh...
Rrethimi i Ramës dhe Berishës nga SPAK!
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128