Bëri 1 vit burg për dosjen “Babale”, Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën e Ervin Salianjit kundër vendimit

29 September 2026, 11:22 / POLITIKË ALFA PRESS

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese ku ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit që e dënoi me një vit burg. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji pretendon se vendimi për kërkesën e tij tashmë është marrë dhe lë të kuptohet se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e tij. 

Salianji shprehet se dënimi dhe procesi gjyqësor synojnë ta mbajnë larg zgjedhjeve lokale, ndërsa paralajmëron se, në rast të rrëzimit të kërkesës së tij, do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Sot nuk duhet të ishte thjesht një seancë gjyqësore për një çështje timen. Do të duhej të ishte një moment prove për Gjykatën Kushtetuese. Do të duhej të ishte dita kur Kushtetuta të fliste më fort se pushteti i regjimit autokratik. Por, fatkeqësisht, dikush mbahet peng me dosje korrupsioni, dikush shantazhohet me regjistrime, dikush përballet me dosje si bashkëpunëtor i shërbimit dhe dikush me lidhje me grupe kriminale, si Xhafajt. Kjo nuk është drejtësi që ngrihet mbi politikën. Kjo është drejtësi që mbetet peng i politikës”, shprehet Salianji.

“Por sot nuk mbyllet beteja. Sot hapet rruga për betejën në Strasburg. Atje do të çojmë të vërtetën e kësaj çështjeje dhe të gjithë atë që ka ndodhur”, vijon ish-deputeti demokrat.

Reagimi i Ervin Salianjit:

Gjykata Kushtetuese nuk ngjitet dot në nivelin kushtetues! Nuk bëj dot teatër si shumë të tjerë! Vendimet në GJK merren shumë përpara se të mblidhen formalisht, me solemnitetin e rremë të një procedure që të gjithë e dinë si përfundon. Edhe vendimi i sotëm është marrë. Po jua komunikoj përpara. Gjyqtarë të kësaj Gjykate e kanë mbajtur peng prej thuajse dy vitesh këtë çështje, për të zvarritur ankimin në Gjykatën e Strasburgut e sot erdhi dita që nuk mban më! Unë nuk jam dënuar si kriminel, por si kundërshtar i regjimit, si denoncues i grupeve më të fuqishme kriminale dhe për të më shmangur nga betejat elektorale. Gjyqi i caktuar sot është po me këtë qëllim: të më mbajë larg zgjedhjeve lokale.

Sot nuk duhet të ishte thjesht një seancë gjyqësore për një çështje timen. Do të duhej të ishte një moment prove për Gjykatën Kushtetuese. Do të duhej të ishte dita kur Kushtetuta të fliste më fort se pushteti i regjimit autokratik. Por, fatkeqësisht, dikush mbahet peng me dosje korrupsioni, dikush shantazhohet me regjistrime, dikush përballet me dosje si bashkëpunëtor i shërbimit dhe dikush me lidhje me grupe kriminale, si Xhafajt.

Kjo nuk është drejtësi që ngrihet mbi politikën. Kjo është drejtësi që mbetet peng i politikës.
Unë nuk kërkoj dhe nuk kam kërkuar privilegj. Nuk kërkoj trajtim të veçantë.
Kam kërkuar vetëm atë që duhet të jetë themeli i çdo shteti demokratik: një gjykim të drejtë, të pavarur dhe larg çdo ndikimi politik.

Por dua ta them shumë qartë: unë nuk trembem e frikësohem, sepse nuk kam luftuar dhe nuk luftoj për privilegje. Luftoj për një Shqipëri të drejtë. Luftoj që ligji të jetë më i fortë se pushteti, që qytetari të jetë më i fortë se banda dhe që shteti të mos jetë pronë e askujt.

Luftoj për liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari. Për një vend ku askush të mos dënohet sepse është kundërshtar politik, ku askush të mos shantazhohet për të heshtur dhe ku askush të mos ketë pushtetin të blejë, frikësojë apo përdorë drejtësinë.

Nuk do të ndalem! As burgu, as presioni, as ndalimi i kandidimit, as kërcënimet dhe as goditjet politike nuk më kanë ndalur. Nuk do të më ndalin as sot, sepse beteja ime nuk është për një karrige. Nuk është për një mandat. Nuk është për një privilegj por për të çmontuar sistemin që i ka dhënë pushtet bandave kriminale mbi shtetin, për t’i kthyer institucionet qytetarëve dhe për të ndërtuar një Shqipëri ku drejtësia nuk u shërben të fortëve, por mbron të drejtët.

Kam përballuar presionin, burgun dhe çdo goditje që më është bërë për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të mia politike. Nuk jam tërhequr dhe nuk do të tërhiqem. Por sot nuk gjykohem vetëm unë e prandaj po reagoj paraprakisht.

Gjykohet nëse në Shqipëri Gjykata Kushtetuese mund të kishte guximin minimal të ishte mbi autokracine, por jo, regjimi dikton këta përulen. Interesat e regjimit janë mbi kushtetutën dhe ligjin.

Unë e di se çfarë vendimi do të merret. Dhe pikërisht për këtë po e them përpara se të hapen dosjet, të mbyllen dyert dhe të lexohen disa rreshta që, nëse do të ishte ndryshe, do të duhej të lindnin nga ndërgjegjja e gjyqtarëve dhe jo nga pazaret e pushtetit.

Por sot nuk mbyllet beteja. Sot hapet rruga për betejën në Strasburg. Atje do të çojmë të vërtetën e kësaj çështjeje dhe të gjithë atë që ka ndodhur.

Nuk kam frikë dhe asnje emocion personal nga vendimi. Kam përballuar burgun dhe presionin politik. Nuk më tremb një tjetër goditje nga një sistem që prej kohësh ka treguar se sa larg është gati të shkojë për të goditur kundërshtarët. Do të vazhdoj të luftoj. Për liri. Për të drejta. Për drejtësi. Për një shtet që nuk ulet në gjunjë para krimit. Për një Shqipëri ku bandat nuk bëjnë ligjin dhe pushteti nuk është mbi ligjin. Sot është akti i radhës ku Gjykata Kushtetuese tregon që është garanci e regjimit!

Po ndodh...

ide