Mesazhi i fortë më 1 tetor, protestë masive kundër Hagës për dënimin e Thaçit dhe të tjerët
Gjatë së enjtes, në Kosovë zhvillohet një protestë masive në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar me 81 vite burg, dhe kundër Gjykatës Speciale, pas vendimit të dhënë. Organizatorët nga platforma “Liria ka Emër” u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’u bashkohen protestuesve në Prishtinë, nga ora 16:00.
Përfaqësuesit e platformës “Liria Ka Emër”, në një konferencë për mediat, iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën masive të 1 tetorit, me moton “Jo në emrin tim”, e cila do të mbahet nesër në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Ismail Tasholli, përfaqësues i kësaj platforme, e cilësoi aktgjykimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës. Gjithashtu, ai i bëri thirrje Qeverisë dhe Kuvendit për veprim të menjëhershëm sa i përket projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Më 16 shtator, në Hagë u shpall vendimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky vendim është i padrejtë dhe i papranueshëm dhe, si i tillë, nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës. Kosova nuk e ka nisur luftën, Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua ka mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, u shpreh Tasholli.
“Qytetarët, me të drejtë, po kërkojnë nga Qeveria dhe Kuvendi që të procedojnë me ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë është dërguar në Kuvend. Ai duhet të shqyrtohet dhe të procedohet me seriozitetin që kërkon kjo situatë.
Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave. Më 1 tetor do ta ringremë zërin kundër padrejtësisë. UÇK-ja na bashkon!”, shtoi ai.
Ndërkaq, Arbnora Zogiani ftoi qytetarët që nesër t’i bashkohen protestës me familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre, duke njoftuar se nga çdo qytet i Kosovës do të ketë transport të organizuar. Oraret dhe vendet e nisjes tashmë janë publikuar.
“Thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në protestë së bashku me fëmijët, prindërit, miqtë dhe kolegët, sapo të përfundojë orari i punës.
Dua të ndalem te një pjesë shumë e rëndësishme e këtij mobilizimi, te diaspora jonë. Shqiptarët, kudo që jetojnë, nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj zhvillimeve të fundit. Nga Evropa, SHBA-ja dhe vendet e tjera të botës, bashkatdhetarët kanë organizuar protesta, tubime dhe aktivitete, përmes të cilave kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe kanë kërkuar drejtësi. Diaspora jonë edhe një herë po dëshmon se largësia gjeografike nuk do të thotë largësi nga Kosova”, deklaroi Zogiani. (A2 Televizion)
Po ndodh...
Rrethimi i Ramës dhe Berishës nga SPAK!
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128