“Arlinda nuk u vra pa paralajmërim”, ministrja Gërvalla: Raporti nxjerr në pah mangësi serioze!

30 October 2026, 11:03 / KOSOVA ALFA PRESS

“Arlinda nuk u vra pa paralajmërim”, ministrja Gërvalla:

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka folur këtë të premte për mediat lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj. 

Ajo ka bërë me dije se raporti për vrasjen është ende i paplotë për shkak të mungesës së disa dokumentacioneve dhe sqarimeve shtesë, ka evidentuar mangësi serioze dhe vonesa në trajtimin e rastit.

Gjithashtu, Gërvalla theksoi se konstatimi më shqetësues i raportit është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim, pasi institucionet kishin marrë sinjale paraprake për rrezikun që i kanosej.

“Raporti mbështetet nga dokumentacioni, analizon veprimet dhe mosveprimet nga raportimi i parë i Arlindës deri tek vrasja e saj. Raporti është pjesërisht i plotë, sepse zyra e koordinatores s’ka marrë përgjigje të detajuar. Presim ende dokumentacion dhe sqarime shtesë. Por raporti nxjerr në pah mangësi serioze dhe vonesa. Konstatimi më shqetësues, se ajo nuk u vra pa paralajmërim. Arlinda raportoi dhunën fizike e psikologjike. Ajo raportoi kërcënimet dhe informoi policinë që bashkëshorti posedoi armë”, tha Gërvalla.

Po ashtu ajo u shpreh se viktima kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar policinë se bashkëshorti dhe familjarë të tij, të cilët qëndronin në pronë kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në shtëpinë e saj.

“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhër mbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, tha ministrja.

Po ndodh...