55% e shqiptarëve kërkojnë çmime më të ulëta të energjisë
Ulja e çmimeve është prioriteti kryesor energjetik për më shumë se gjysmën e shqiptarëve, por kjo nuk pengon mbështetjen për tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme. Sipas Barometrit të Ballkanit 2025, 55% e të anketuarve në Shqipëri e konsiderojnë uljen e çmimit të energjisë prioritetin më të rëndësishëm, 12 pikë përqindjeje mbi mesataren prej 43% në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, 60% mbështesin investime më të mëdha në energjinë diellore, të erës apo hidroenergji, edhe nëse kjo do të sillte kosto më të larta të energjisë në afat të shkurtër.
Çmimi dominon qartë mbi alternativat e tjera kur shqiptarët pyeten se cili duhet të jetë prioriteti energjetik i vendit. Pas 55% që zgjedhin uljen e çmimeve, 23% vendosin si prioritet investimet në energjinë e rinovueshme, 12% sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit, 7% uljen e varësisë nga importet dhe 3% reduktimin e ndikimit mjedisor të prodhimit të energjisë.
Shqipëria është mbi mesataren rajonale për shqetësimin ndaj çmimit, por nuk është vendi ku ky prioritet është më i fortë. Në Kosovë, 76% e qytetarëve vendosin uljen e çmimeve në vend të parë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut këtë e bëjnë 42%. Në Mal të Zi përqindja është 34%, në Serbi 28% dhe në Bosnjë-Hercegovinë vetëm 25%. Kjo e fundit është edhe përjashtimi në rajon, pasi atje investimi në burimet e rinovueshme, me 37%, renditet përpara uljes së çmimeve.
Megjithatë, shqetësimi për çmimin nuk përkthehet në kundërshtim ndaj investimeve të gjelbra. Gjashtë në dhjetë shqiptarë, ose 60%, thonë se do të mbështesnin investime më të mëdha në burimet e rinovueshme edhe nëse këto do të nënkuptonin çmime më të larta të energjisë në afat të shkurtër. Kundër shprehen 31%, ndërsa 9% nuk japin një qëndrim. Mesatarja e mbështetjes në Ballkanin Perëndimor është 63%.
Mbështetja shqiptare është kështu 3 pikë përqindjeje nën mesataren rajonale, por mbetet shumicë e qartë. Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi, ku 70% pranojnë më shumë investime në burimet e rinovueshme edhe me kosto më të larta afatshkurtra. Pas tij vijnë Bosnjë-Hercegovina me 64% dhe Kosova me 63%, ndërsa Shqipëria me 60% qëndron pak mbi Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, me nga 59%.
Po kështu, sipas raportit, Shqipëria merr notën mesatare 3.5 nga 5 për kënaqësinë me furnizimin, përfshirë besueshmërinë dhe përballueshmërinë e tij, rezultati më i lartë ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Kosova vlerësohet me 3.4, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia me nga 3.3. Mali i Zi ka mesataren 3.2, ndërsa mesatarja e Ballkanin Perëndimor është 3.3.
Në Shqipëri, 42% deklarohen të kënaqur me furnizimin aktual me energji dhe 19% shumë të kënaqur, duke e çuar në 61% pjesën e përgjigjeve pozitive. Në anën tjetër, 8% janë shumë të pakënaqur dhe 15% të pakënaqur, ndërsa 18% mbajnë një qëndrim neutral./ekofin.al
Po ndodh...
Studentët dhe shqiptarët nuk të duan ty Sali, jo PD-në!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
