Kane gabon nga pika e bardhë, Bayern ndalet nga Dortmundi

31 October 2026, 22:20 / SPORT ALFA PRESS

Kane gabon nga pika e bardhë, Bayern ndalet nga Dortmundi

Mbrëmja që duhej të ishte një festë e dyfishtë për Harry Kane përfundoi me zhgënjim. Sulmuesi anglez prezantoi trofeun e “Topit të Artë” para tifozëve në “Allianz Arena”, por Bayern Munich nuk arriti të merrte fitoren ndaj Borussia Dortmundit, duke u ndalur në barazimin 2-2.

Përballja mes dy rivalëve të Bundesligës dhuroi emocione dhe raste të shumta. Bayerni ishte pranë avantazhit që në minutën e 10-të, kur Michael Olise goditi shtyllën, ndërsa Dortmundi u kundërpërgjigj me tentativat e Jobe Bellingham dhe Ismael Saibari.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 38-të. Konrad Laimer përfitoi nga aksioni i ndërtuar nga Olise dhe dërgoi topin në rrjetë. Një gol i mëparshëm i Bellinghamit për Dortmundin ishte anuluar për faull.

Në pjesën e dytë, Kane pati mundësinë të thellonte rezultatin, por në minutën e 56-të gaboi nga pika e bardhë, duke dërguar penalltinë në traversë. Vetëm katër minuta më vonë, Serhou Guirassy barazoi shifrat për Dortmundin.

Bayerni reagoi shpejt dhe në minutën e 66-të riktheu avantazhin. Harry Kane shërbeu me kokë për Dayot Upamecano, i cili realizoi golin e dytë për bavarezët. Sulmuesi anglez ishte pranë golit personal edhe në minutën e 75-të, por këtë herë topi u përplas në shtyllë.

Kur fitorja dukej e siguruar për ekipin e drejtuar nga Vincent Kompany, Fabio Silva shënoi në minutën e 89-të, duke vendosur baraspeshën 2-2. Në shtesë, Lennart Karl humbi një tjetër mundësi për vendasit, pasi goditja e tij përfundoi në traversë.

Kështu, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund ndanë nga një pikë në një sfidë të luftuar deri në fund. Për Harry Kane, festa për trofeun e prezantuar para tifozëve u shoqërua me penalltinë e humbur dhe një barazim në minutat e fundit.

 

Po ndodh...