“PD-ja po refuzohet njësoj si qeveria”/ Agim Baçi: Berisha duhet të rimendojë pozicionin e tij, opozita të lexojë realitetin e protestës

31 October 2026, 19:54 / POLITIKË ALFA PRESS

“PD-ja po refuzohet njësoj si qeveria”/ Agim Baçi:

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, protestën e studentëve dhe qëndrimin e Partisë Demokratike dhe opozitës. Sipas tij, ajo që ndodhi në bulevard, ku protestuesit kërkuan që demokratët të ishin të pranishëm, por jo deputetët e tyre, ishte një moment i trishtë për PD-në dhe një sinjal që drejtuesit e saj duhet ta marrin seriozisht.

Baçi u shpreh se është shqetësuese që refuzimi i qytetarëve ndaj opozitës duket i ngjashëm me atë ndaj qeverisë, duke theksuar se Sali Berisha duhet të rishikojë pozicionin e tij brenda Partisë Demokratike.

“Është një nga ato ditët e trishta për PD-në. Nuk e di çfarë duhet të ndodhë më që zoti Berisha ta rimendojë edhe njëherë atë pozicionin e vet brenda Partisë Demokratike, sepse është e trishtueshme që refuzimi i madh të jetë njësoj për opozitën dhe për qeverinë”, tha Baçi.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si opozita po i qaset protestës, duke sjellë në vëmendje shembujt e Hungarisë dhe Serbisë. Sipas tij, në Hungari partitë opozitare u bashkuan rreth një figure të vetme, ndërsa në Serbi mosleximi i realitetit politik nga opozita ka sjellë pasoja të rënda për përfaqësimin e saj parlamentar.

Baçi vlerësoi se PD-ja dhe partitë e tjera opozitare duhet të kuptojnë arsyet përse një pjesë e protestuesve refuzojnë identifikimin e lëvizjes me përfaqësuesit politikë. Ai theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin e saj popullor dhe të mos shndërrohet në një protestë të drejtuar nga opozita.

“Është protestë popullore. Në qoftë se do të merrte ngjyrimin dhe do të bëhej njësh me opozitën, zoti Rama do ta kishte shumë më të thjeshtë për të thënë që është një protestë normale e opozitës. Opozita këtë detyrë ka, të ngrihet në bulevard dhe të kërkojë zgjedhje të reja. Është misioni i opozitës që ditën e parë të kërkojë ndryshime të qeverisë. Kështu do t’u hiqte peshën atyre që kanë ndërtuar studentët dhe qytetarët në protestë”, u shpreh analisti.

Ai komentoi edhe deklaratën e Sali Berishës se, në rast se opozita fiton zgjedhjet, kandidatura për kryeministër do të vendoset përmes një referendumi. Baçi e cilësoi këtë deklaratë të pakuptimtë, duke argumentuar se zgjedhjet parlamentare përbëjnë njëkohësisht edhe një votëbesim për drejtuesin e forcës politike që synon të qeverisë.

“Deklarata për tërheqje është: unë nuk do të jem fare kandidat për kryeministër. Çfarë do të thotë referendum? Pasi të votojnë shqiptarët, çfarë referendumi do të bësh? Zgjedhjet janë njëkohësisht edhe referendum. Nëse njerëzit zgjedhin një forcë politike, kanë zgjedhur edhe kreun e asaj force politike për kryeministër. Nuk ke pse t’i thyesh prapë dhe të bësh një referendum. Kjo është një shaka shumë e madhe”, deklaroi Baçi.

Sipas tij, përmes kësaj deklarate Berisha ka tentuar të zbusë debatin për mundësinë që ai të jetë sërish kryeministër, por nuk e ka përjashtuar kandidimin e tij.

Në vijim, analisti tha se opozita duhet të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të shndërrohet në një alternativë reale për rotacionin politik. Ai vuri në dukje se pakënaqësia ndaj klasës politike është e gjerë dhe se partitë opozitare duhet të ndryshojnë mënyrën e komunikimit me qytetarët.

“Ka vetëm një gjë: rikthim të opozitës në një debat shumë të fortë me qytetarët, sepse opozita ka vetëm një qëllim, të bëhet ajo shpresa, instrumenti që qytetarët besojnë se përmes saj bëhet rotacioni”, u shpreh Baçi.

Në përfundim, ai theksoi se PD-ja, aleatët e saj dhe partitë e tjera opozitare duhet të lënë mënjanë përplasjet mes tyre, të lexojnë situatën politike dhe të kuptojnë zemërimin e qytetarëve ndaj të gjithë klasës politike.

 

Po ndodh...