“PD, në pikën më të ulët që nga themelim i saj”, ish-deputeti demokrat: Partia duhet të reformohet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike, Aleksandër Biberaj, ka komentuar protestën studentore, duke e cilësuar atë si një revolucion dhe bërë thirrje për mbështetjen e të rinjve nga pedagogët, intelektualët dhe qytetarët.
I ftuar në studion e News24, Biberaj u shpreh se studentët kanë nevojë për mbështetje në qëndresën e tyre, ndërsa paralajmëroi se ndërhyrja e partive politike për të përfituar nga lëvizja mund të sjellë përçarjen e saj. Ai kujtoi edhe protestën e vitit 2018, e cila sipas tij nuk arriti objektivat për shkak të përçarjes.
“Ky është revolucion dhe është kënaqësi të marrësh pjesë në këtë revolucion. Është detyrim që ke ndaj vendit tënd, ndaj shoqërisë tënde dhe ne kemi detyrim disa fish, sepse ata janë studentët tanë, janë fëmijët tanë. Patjetër duhet një mbështetje dhe unë përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje të gjithë kolegëve profesorë, intelektualëve, familjarëve dhe studentëve për t’i mbështetur, në mënyrë që të bëhet e mundur realizimi i objektivave të tyre.
Në të gjitha takimet që kemi pasur, në çfarëdo lloj niveli me profesorët, të gjithë janë dakord. Nuk kemi pasur asnjë rast që një profesor të ketë rezervë. E vetmja rezervë e profesoratit dhe e studentëve është që partitë politike të mos fusin duart në këtë lëvizje për të përfituar dhe të mos e përçajnë, sepse ne kemi pasur një protestë në vitin 2018, por u përça dhe nuk arriti objektivat”, u shpreh Biberaj.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke pranuar se kjo forcë politike ka pësuar rënie të demokracisë së brendshme dhe se sot ndodhet në pikën më të ulët të saj që nga themelimi.
Biberaj përmendi si momente që, sipas tij, kanë ndikuar në degradimin e PD-së tragjedinë e Gërdecit, ngjarjet e 21 janarit 2011, koalicionin me LSI-në në vitin 2009 dhe më pas mungesën e konkurrencës brenda partisë. Ai e cilësoi emërimin e Lulzim Bashës si një fatkeqësi për demokratët, ndërsa tha se rikthimi i Sali Berishës nuk rezultoi zgjidhja më e mirë.
“Partia Demokratike ka filluar si Parti Demokratike dhe ka pasur demokraci, e cila fatkeqësisht ka shkuar në rënie. Ngjarjet që kanë vulosur dhe, në një farë mënyre, kanë shënuar fillimin e degradimit të Partisë Demokratike kanë qenë krimi shtetëror i Gërdecit, 21 janari, koalicioni i vitit 2009 i Partisë Demokratike me LSI-në dhe pastaj historitë e mungesës së konkurrencës. Emërimi i Lulzim Bashës ka qenë një fatkeqësi për Partinë Demokratike. U rikthye doktori, natyrisht me premtime, e kemi mbështetur, por rezultoi që nuk ishte zgjidhja më e mirë. Kam përshtypjen se sot jemi në pikën më të ulët të kuotave si parti politike, që nga themelimi deri më sot”, deklaroi ai.
Ish-deputeti kritikoi edhe vendimet e opozitës për bojkotin e reformës territoriale, bojkotin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 dhe djegien e mandateve parlamentare, duke i cilësuar këto veprime si “vetëvrasje politike”.
Biberaj vlerësoi qeverisjet e para të PD-së, veçanërisht periudhën 2005–2009, por theksoi se tragjedia e Gërdecit dhe koalicioni me LSI-në shënuan kthesa negative për partinë. Ndërsa për qeverisjen e Edi Ramës, ai përdori tone të ashpra, duke e cilësuar si më të keqen që ka pasur Shqipëria.
“Qeverisja e parë e Partisë Demokratike, në vitet 1992–1996, ka qenë qeverisja më e mirë që ne kemi pasur. Qeverisja e dytë më e mirë që ka pasur ky vend është qeverisja e viteve 2005–2009, mandati i parë i Berishës, i cili u ndërpre nga tragjedia e Gërdecit. Pas Gërdecit dihet se si kanë rrjedhur ngjarjet në Shqipëri. Koalicioni i vitit 2009 me LSI-në ka qenë një tjetër vetëvrasje politike.
Ndërsa qeverisja e Edi Ramës, nga viti 2013 deri më sot, është qeverisja më e keqe që ka pasur Shqipëria, është edhe më e keqe se qeverisja e komunizmit. Krim, korrupsion, administratë publike totalisht politike, skandale të panumërta që do të rrëzonin çdo qeveri, por nuk ka rënë sepse ka qenë opozita e dobët”, u shpreh Biberaj.
Ai theksoi se opozita duhet të luajë rolin e saj si alternativë qeverisëse dhe si institucion moral, duke argumentuar se përballë skandaleve të shumta të qeverisë duhet të kishte arritur të nxirrte në shesh dhjetëra mijëra qytetarë.
Biberaj sqaroi se mbështetja e tij për protestën studentore është një qëndrim parimor, i ndarë nga përkatësia e tij politike në PD. Ai tha se vijon të jetë anëtar i kësaj partie, ku ka dhënë kontributin e tij, por kjo nuk e pengon të jetë kritik ndaj drejtimit të saj.
“Unë e mbështes protestën e studentëve sepse jam qytetar i këtij vendi dhe jam profesor në universitet. Partia Demokratike është tjetër gjë. Është partia ku unë kam bërë karrierën politike, kam dhënë kontributet e mia dhe kam qenë shumë kritik. Pra, janë dy linja të ndryshme”, tha ai.
Në fund, ish-deputeti u shpreh se Partia Demokratike ka nevojë për një reformim të thellë, rotacion elitash dhe konkurrencë të vërtetë brenda strukturave të saj. Sipas tij, duhet të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, në mënyrë që partia të rikthejë besimin dhe të dalë nga kriza ku ndodhet.
“Përderisa po spostohet qendra e rëndesës së Partisë Demokratike, ajo duhet të bëjë një reformim të thellë, duhet të ketë rotacion elitash, konkurrencë dhe zgjedhje."
Po ndodh...
Studentët dhe shqiptarët nuk të duan ty Sali, jo PD-në!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
