AGSH denoncon incidentet ndaj gazetarëve në protestë: Spraj piperi, pengim në terren dhe sulme verbale

31 October 2026, 22:03 / AKTUALITET ALFA PRESS

AGSH denoncon incidentet ndaj gazetarëve në protestë: Spraj

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ngritur shqetësimin për incidentet e regjistruara ndaj gazetarëve gjatë protestës së 31 tetorit në Tiranë, duke denoncuar pengimin e raportimit, përdorimin e sprajit me piper dhe intimidimin verbal të punonjësve të medias.

Sipas AGSH-së, deri në momentin e reagimit janë dokumentuar të paktën dy raste kur efektivë të Policisë kanë penguar gazetarët të kalojnë përtej kordonit policor, duke kufizuar mundësinë e tyre për të ndjekur zhvillimet në terren.

Asociacioni thekson se kufizimi i lëvizjes së gazetarëve gjatë protestave, sidomos kur ngjarjet zhvendosen në zona të ndryshme të qytetit, pengon ushtrimin e detyrës dhe aksesin në informacion.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me përdorimin e sprajit me piper ndaj gazetares së A2 CNN, Fjorela Beleshi, gazetares së Top News, Kleida Muka, si dhe operatorit të A2 CNN, Eugert Hoxha, ndërsa raportonin nga protesta.

AGSH ka bërë publik edhe rastin e gazetares së Top Channel, Elda Menga, e cila, sipas organizatës, është fyer dhe intimiduar verbalisht nga një burrë rreth të 50-ave gjatë raportimit.

Në reagimin e saj, organizata kërkon nga Policia e Shtetit të japë shpjegime për incidentet e dokumentuara dhe të identifikojë efektivët përgjegjës. Ajo u bën thirrje gjithashtu protestuesve dhe qytetarëve të respektojnë punën e gazetarëve dhe të shmangin çdo formë agresioni ndaj tyre.

AGSH paralajmëron se përsëritja e incidenteve gjatë protestave të javëve të fundit dhe mungesa e përgjegjësisë për rastet e mëparshme rrezikojnë të krijojnë një klimë pandëshkueshmërie, duke cenuar sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.

Po ndodh...