Skandali financiar, në pranga miku i Vuçiçit/ Çfarë zbulon rasti i Alta Bank për lidhjet mes biznesit dhe pushtetit në Serbi?

2 November 2026, 15:17 / BOTA ALFA PRESS

Skandali financiar trondit Serbinë, në pranga miku i

Një skandal i rëndë financiar ka tronditur Serbinë, ku pronari i Alta Bank, Davor Matsura, është arrestuar së bashku me dy drejtues të tjerë të institucionit bankar, nën dyshimet për abuzim me detyrën dhe përvetësim të paligjshëm të rreth 45 miliardë dinarëve.

Matsura, i njohur si biznesmen me lidhje me Partinë Progresive Serbe të Aleksandër Vuçiçit, u mor në paraburgim mbrëmjen e kaluar, raportojnë mediat serbe.

Sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar, në pranga kanë përfunduar edhe drejtori i Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Parasë së Gatshme të bankës, G.M., si dhe një punonjës i sektorit të operacioneve të thesarit, I.P.

Hetimet dyshojnë se Matsura, duke tejkaluar kompetencat e tij, ka hyrë në mënyrë të paligjshme në kasafortën e bankës dhe ka përvetësuar një shumë prej rreth 45 miliardë dinarësh. Dy punonjësit e tjerë dyshohet se e kanë ndihmuar, duke i vënë në dispozicion kartat e hyrjes ose duke përdorur kartat e tyre për t'i mundësuar aksesin në ambientet e sigurisë.

Gjatë datave 31 tetor dhe 1 nëntor, me urdhër të Prokurorisë, janë kryer kontrolle në ambientet e Alta Bank dhe në banesën e biznesmenit. Gjithashtu, është bërë inventarizimi i parave të gatshme në kasafortën e institucionit.

Të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet të dalin përpara Prokurorisë për Krimin e Organizuar, ku do të vijojnë procedurat hetimore.

Arrestimet vijnë në një moment kur Alta Bank është përballur me një krizë të rëndë financiare. Pak ditë më parë, Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë vendosi t'i revokojë licencën e aktivitetit, pasi kontrollet kishin evidentuar përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes financiare dhe rrezik për likuiditetin e institucionit.

 Autoriteti monetar serb bëri të ditur se vendimi u mor për të mbrojtur interesat e depozituesve, ndërsa paralajmëroi edhe subjektet e këmbimit valutor që kishin bashkëpunuar ekskluzivisht me Alta Bank të lidhin marrëveshje me institucione të tjera bankare, në mënyrë që të vijojnë aktivitetin e tyre.

Ndërkohë, Banka Kombëtare e Serbisë u ka kërkuar këtyre subjekteve të njoftojnë menjëherë për lidhjen e kontratave të reja dhe të sigurojnë përmbushjen e kushteve ligjore për ushtrimin e aktivitetit.

Rasti i Alta Bank merr edhe një dimension politik për shkak të lidhjeve të raportuara të pronarit me Partinë Progresive Serbe të Aleksandër Vuçiçit, në një periudhë kur pushteti në Serbi po përballet me presion të fortë dhe pakënaqësi në rritje.

Po ndodh...