Fundi i epokës së artë? Lëkundet ndërtimi, tregu jep sinjalet e para të pikiatës

2 November 2026, 15:02 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Fundi i epokës së artë? Lëkundet ndërtimi, tregu jep

Sektori i ndërtimit, i cili prej vitesh ka shërbyer si motori i pandalshëm i ekonomisë në Shqipëri, duket se ka prekur pikën e kthesës dhe ka nisur një pikiatë të papritur.

Të dhënat më të fundit nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë dëshmojnë për një rënie të menjëhershme të besimit në këtë sektor gjatë muajit tetor 2026.

Treguesi i Besimit në Ndërtim u shemb me -5.7 pikë përqindje brenda një muaji të vetëm, duke shënuar goditjen më të rëndë negative në të gjithë ekonominë dhe duke frenuar rritjen e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike në vend.

Shemben kontratat e reja

Të dhënat e detajuara tregojnë se pikiata po udhëhiqet nga një ngadalësim drastik i porosive të reja. Balanca e kontratave porositëse pësoi rënie, duke u zhytur nga -15.0 pikë përqindje në shtator, në -24.9 pikë përqindje në tetor.

Kjo rënie konfirmohet zyrtarisht nga vetë ndërtuesit në terren. Kur pyeten për faktorët që po u kufizojnë aktivitetin, përqindja e firmave që ankohen drejtpërdrejt për “Kërkesë të pamjaftueshme” u rrit në 45.93% në tetor (nga 42.75% që ishte në shtator).

Kjo dëshmon se blerësit po tërhiqen me shpejtësi nga tregu i pasurive të paluajtshme. Edhe aktiviteti aktual në kantiere ka filluar të humbasë ritmin, duke zbritur në 13.0 pikë.

Kjo pikiatë e papritur e porosive duket se ka thyer edhe arrogancën e çmimeve në treg. Përballë rënies së kërkesës, vetë ndërtuesit kanë ulur pritshmëritë e tyre për shtrenjtimin e mëtejshëm të apartamenteve.

Pritjet për çmimet në të ardhmen ranë në 11.8 pikë, një sinjal i fortë se tregu mund të jetë duke u detyruar të shkojë drejt një korrigjimi apo stabilizimi të detyruar.

Edhe pse sektori ende qëndron mbi mesataren e tij historike falë rritjes agresive të viteve të kaluara, ky muaj ka dhënë alarmin e parë se epoka e artë dhe e paprekshme e ndërtimit mund të jetë duke shkuar drejt fundit. /Kapitali.al

Po ndodh...