Fati i demokracisë liberale dhe nevoja jetike për të kuptuar zemërimin e një brezi

3 November 2026, 21:31 / IDE NGA GORDON BROWN

Fati i demokracisë liberale dhe nevoja jetike për të kuptuar

Nga Gordon Brown

Një tërmet global i të rinjve po ndodh dhe ata e dine mire se ne nuk i kemi mbajtur premtimet e bëra. Ende nuk jemi tek një situatë si ajo e vitit 1968, kur studentët në Sorbonë ndezën fitilin që shpërtheu një krizë, e cila përfundimisht rrëzoi qeverinë e De Gaulle-it. Por në fund të vitit 2026, duke filluar me aktin simbolik të të rinjve francezë që u ngjitën në Kolonën në Place de la Bastille në Paris, bota po përjeton shpërthimin më të madh të demonstratave studentore në 60 vjet.

Kur studentët italianë më pas pushtuan një shkollë të mesme në Romë, ata e hapën kërkesën e tyre për ndryshim me fjalët "si në Francë". Demonstratat rinore tani po shpërthejnë nga India - ku qeveria është përgjigjur me forcë represive ndaj lëvizjes së tyre - deri në Shqipëri, ku, pasi kanë dalë në rrugë për gati pesë muaj, studentët po kërkojnë jo vetëm fundin e korrupsionit, por edhe zëvendësimin e qeverisë.

Por grupi më i rëndësishëm i protestave ka qenë në Serbi, ku Lista Studentore e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare kombëtare ka arritur jo vetëm të rrëzojë një qeveri të vendosur prej kohësh, të njollosur nga korrupsioni që pretendohet se ka lidhje me krimin e organizuar, por edhe të sigurojë një mandat zgjedhor. Tani është gati të formojë një administratë të re. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Lista Studentore jo vetëm që po ndryshon udhëheqjen politike të Serbisë, por po popullarizon edhe metoda të reja organizimi; ajo po ndërton një sistem për përzgjedhjen e kandidatëve nga jashtë radhëve të veta, duke përdorur metoda të tilla si asambletë e hapura publike me delegatë të alternuar dhe grupe pune të specializuara.

Tetëdhjetë e pesë asamble studentore përzgjodhën kandidatët, siç shpjegon një analizë e rregullave të tyre të brendshme. Dhe rezultatet shpesh janë befasuese: rektori i universitetit të Beogradit, Vladan Djokić, nuk u përzgjodh si kandidat, pavarësisht se ishte një mbështetës afatgjatë i lëvizjes dhe pritej nga shumëkush të luante një rol të madh në qeveri.

 Lista Studentore është krahasuar nga filozofi kroat Srećko Horvat, i cili e vendos lëvizjen brenda një tradite më të gjatë të demokracisë direkte dhe vetëorganizimit kolektiv, me Komunën e Parisit të vitit 1871. Aktivitetet e saj të mbledhjes së fondeve, megjithatë, janë shumë aktuale: raportohet se ka mbledhur gati 2 milionë euro nga më shumë se 26,000 donatorë individualë gjatë fushatës zgjedhore.

Vala e protestave rinore vjen pas mobilizimeve në Kenia në vitin 2024 dhe në Nepal, Indonezi, Filipine, Madagaskar, Marok dhe Peru në vitin 2025.

Se sa larg modeli bazë i organizimit serb do të formësojë lëvizjet rinore gjetkë, mbetet për t'u parë. Por sipas Olivier Ertzscheid, pedagog i lartë në Universitetin e Nantes, "ndjenja e përkatësisë dhe ndërveprimit social të të rinjve është në lojë", me mediat sociale që tani nxisin në mënyrë aktive ndjenjën e lidhjes dhe identitetit të përbashkët midis protestuesve.

Shtatori dhe tetori kanë parë protesta rinore në Belgjikë, Austri, Greqi dhe Itali për financimin e arsimit; në Gjermani për kërcënimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak; dhe në Spanjë dhe Portugali për mungesën e banesave të përballueshme.

Por protestat janë përhapur edhe shumë përtej Evropës, në Indonezi, ku demonstratat rinore janë përqendruar te ndotja; në Argjentinë për masat shtrënguese; dhe në Kili dhe Kolumbi për shkurtime të financimit. Fundjavën e kaluar në Gjermani, një grup i quajtur Gen Z Regelt udhëhoqi demonstrata në 21 qytete.

 Protestat vetëm do të intensifikohen këtë muaj. Në Australi, një demonstratë e madhe studentore është planifikuar për 11 nëntor, dhe sindikatat studentore në Britani dhe Itali po planifikojnë një ditë të përbashkët aksioni duke protestuar kundër rritjes së kostos së arsimit më 20 nëntor.

Disa vite më parë shkrova për një brez të ri aktivistësh të rinj – vajzash shkolle nga Bangladeshi që bënin fushatë kundër martesave të detyruara të fëmijëve dhe që kishin shpallur "zona pa martesa fëmijësh", dhe të rinjve nigerianë dhe të tjerë në Afrikë që kërkonin të drejtën e tyre për arsim.

Por rebelimet aktuale të të rinjve janë të një niveli tjetër, duke shpërthyer në një mjedis global të ri dhe më të rrezikshëm dhe duke sfiduar autoritetet për çështje shumë përtej arsimit.

Të rinjtë përballen me një krizë papunësie të udhëhequr nga IA; ata humbasin nga animi i shpenzimeve publike drejt njerëzve më të moshuar, nga ofrimi i kufizuar i arsimit; ata përballen me një krizë strehimi dhe qeveri që nënvlerësojnë rëndësinë e emergjencës klimatike dhe drejtësisë mes brezave.

Kriza e vendeve të punës për të rinjtë do të rritet. Numri i vendeve të punës për të diplomuar në Mbretërinë e Bashkuar të reklamuara në një agjenci të madhe punësimi ka rënë nga rreth 180,000 katër vjet më parë në 50,000 sot. Mendohet se IA është një faktor. Punësimi i teknologjisë së lartë i 18 deri në 24-vjeçarëve ra me 30% midis dhjetorit 2019 dhe dhjetorit 2025, ndërsa vetë sektori u zgjerua me 33% në atë periudhë. Pra, ndërsa qeveria përgatitet të njoftojë rishikimin e saj për punësimin e të rinjve, është urgjente që gati 1 milion të papunë nën 25 vjeç të futen në punë, duke i dhënë përparësi trajnimit para praktikës dhe duke rivendosur ndihmat për mirëmbajtjen arsimore, si dhe duke riformësuar rrënjësisht një sistem ndihmash sociale që po deshton dhe nuk e ndihmon brezin e ri.

Ky është një problem mbarëbotëror. Për shkak të barrës së borxhit gjithnjë në rritje dhe shpenzimeve marramendëse për mbrojtjen dhe subvencionet e energjisë, qeveritë janë bllokuar në një këmishë force fiskale aq të ngushtë sa do të kenë vështirësi të gjejnë burimet për të përmbushur aspiratat e të rinjve.

Një pjesë e madhe e shpenzimeve publike kapet nga brezat e vjetër, ndërsa shkollat dhe universitetet po humbasin. Në të gjithë Organizatën për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Europë, rreth gjysma e shpenzimeve shëndetësore dhe të sigurimeve shoqërore shkon për të moshuarit, mbi 65 vjeç, pavarësisht se ata përbëjnë vetëm 18.5% të popullsisë së përgjithshme. Në këtë llogari, pensionet janë zëri më i madh, duke zënë 38% të të gjitha shpenzimeve sociale, po ashtu një pjesë e kuptueshme e lartë e të gjitha shpenzimeve shëndetësore shkon për të moshuarit. Të rinjve sot kanë më pak të ardhura dhe më tepër shpenzime, sesa brezat e mëparshëm duke bërë që hendeku i të ardhurave dhe pasurisë midis të rinjve dhe të moshuarve të zgjerohet akoma më shumë.

Është koha të lidhim pikat. Valérie Becquet, sociologe në Universitetin CY Cergy Paris dhe bashkëautore e librit Gjeopolitika e Rinisë: Angazhimi dhe (e)Mobilizimi, paralajmëron se protestat po shndërrohen në një lëvizje më të gjerë shoqërore. "Ka pabarazi në të gjitha nivelet," thotë ajo, "me hendekun që zgjerohet midis grupeve të ndryshme shoqërore."

Shkaktarët e demonstratave ndryshojnë nga vendi në vend, por ankesa themelore është çuditërisht e ngjashme. Të rinjtë besojnë se çdo premtim se do të bënin më mirë se brezi i prindërve të tyre tashmë është thyer  dhe ky argument është i fortë. Vetë demokracia liberale tani është në gjyq.

Gordon Brown ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2007 deri në 2010 dhe është i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për arsimin global./ Përkthyer The Guardian

Po ndodh...