Presidenti Trump në krah të Bruce Blakeman në garën për guvernator të New York: Ka mbështetjen time të plotë, votoni për të! Kathy Hochul është radikale dhe e rrezikshme

3 November 2026, 20:28 / BOTA ALFA PRESS
Presidenti Trump në krah të Bruce Blakeman në garën për

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish mbështetjen për kandidatin Bruce Blakeman në garën për postin e guvernatorit të shtetit të New York dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për të.

Përmes një postimi, Trump e cilësoi Blakeman si një patriot që mbështet politikën “America First”. Sipas presidentit amerikan, Blakeman ka qenë në krah të tij që në fillimet e lëvizjes politike dhe ka bashkëpunuar ngushtë me agjentët e emigracionit (ICE), Patrullën Kufitare dhe forcat e rendit për forcimin e sigurisë dhe garantimin e rendit publik.

Presidenti amerikan renditi edhe prioritetet që Blakeman do të ndjek nëse zgjidhet guvernator, mes të cilave janë rritja ekonomike, ulja e taksave dhe rregulloreve, nxitja e prodhimit vendas.

Trump nuk i kurseu kritikat ndaj kundërshtares së Blakeman, guvernatores aktuale Kathy Hochul, të cilën e cilësoi si përfaqësuese të së majtës radikale.

 

Ai thekson se Hochul mbështet rritjen e taksave, kufijtë e hapur, politikat për personat transgjinorë, e të tjera. “Kathy Hochul është e papërgjegjshme, radikale dhe e rrezikshme!”, shkroi Trump.

Donald Trump: Është një nder i madh për mua të shpreh mbështetjen për patriotin e lëvizjes “America First”, Bruce Blakeman, i cili kandidon për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i shtetit të madh të Nju Jorkut!

Bruce, drejtuesi shumë i respektuar dhe mjaft popullor i Qarkut Nassau, është plotësisht në linjë me lëvizjen MAGA dhe ka qenë në krahun tim që në fillim.

Në detyrën e drejtuesit të Qarkut Nassau, ai po punon pa u lodhur së bashku me heronjtë trima të ICE, Patrullës Kufitare dhe forcave të rendit, për të mbajtur kufijtë tanë të sigurt, për të ndaluar krimet e kryera nga emigrantët, për të mbrojtur komunitetin dhe për të garantuar LIGJIN DHE RENDIN.

Kundërshtarja e tij, Kathy Hochul, është një demokrate e së majtës radikale, e cila kërkon rritje masive të taksave, kufij të hapur, pjesëmarrjen e burrave në sportet e grave dhe gjymtimin e fëmijëve tuaj në emër të tranzicionit gjinor. Kathy Hochul është e papërgjegjshme, radikale dhe e rrezikshme!

Nga ana tjetër, si guvernatori juaj i ardhshëm, Bruce do të vazhdojë të luftojë fort për rritjen e ekonomisë, uljen e taksave dhe të rregulloreve, promovimin e produkteve “Made in the U.S.A.”, dominimin energjetik amerikan, forcimin e ushtrisë dhe mbështetjen e veteranëve, avancimin e integritetit të zgjedhjeve dhe mbrojtjen e Amendamentit të Dytë të Kushtetutës, i cili është vazhdimisht nën sulm.

Bruce Blakeman ka mbështetjen time të plotë dhe të pakushtëzuar për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i shtetit të madh të Nju Jorkut.

DILNI DHE VOTONI PËR BRUCE – AI NUK DO T’JU ZHGËNJË KURRË!

Presidenti DONALD J. TRUMP

 

Po ndodh...