Kur digjen pallatet, mungojnë mjetet; kur protestojnë studentët, autobotët nuk kursejnë ujin! Kontrasti që ekspozon propagandën e qeverisë
Nga Elbasani, ku shpërthimi dhe flakët përfshinë një pallat duke shkaktuar dy viktima, te rrugët e Tiranës, ku prej javësh studentët dhe qytetarët përballen me autobotët e ujit të Policisë. Dy pamje që ekspozojnë një kontrast të fortë dhe ngrenë një pyetje që institucionet nuk mund ta shmangin: Për çfarë është realisht i përgatitur shteti shqiptar? Për të mbrojtur qytetarët apo për t’u përballur me ta?
Tragjedia në Elbasan, ku shpërthimi i fuqishëm në një pallat pesëkatësh u pasua nga një zjarr me pasoja tragjike, ka rikthyer në vëmendje gjendjen e shërbimeve zjarrfikëse dhe kapacitetet që ato kanë në dispozicion për të përballuar emergjenca ku çdo sekondë mund të jetë vendimtare.
Pamjet nga ndërhyrja e zjarrfikësve kanë ngritur pikëpyetje mbi pajisjet, automjetet dhe kushtet me të cilat këto struktura përballen me zjarre të përmasave të mëdha. Ndërkohë, deklaratat e drejtuesve vendorë për numrin e mjeteve dhe investimet e kryera nuk mjaftojnë për të mbyllur debatin. Sepse inventari i automjeteve nuk është i njëjtë me gatishmërinë për të shpëtuar jetë.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka deklaruar se shërbimi zjarrfikës i qytetit është ndër më të pajisurit në vend. Edhe drejtori i këtij shërbimi, Emirjon Sota, ka bërë me dije se bashkia disponon tetë mjete, mes tyre gjashtë automjete me pompë centrifugale, një autobot dhe një autoshkallë.
Por pyetja është: në çfarë gjendjeje janë këto mjete? Sa prej tyre janë plotësisht funksionale? A kanë zjarrfikësit pajisjet mbrojtëse dhe mjetet profesionale për të ndërhyrë në kushte ekstreme? Dhe ku kanë përfunduar investimet që prej kohësh prezantohen si dëshmi e modernizimit të shërbimit?
Këto nuk janë pyetje për propagandë politike, por për sigurinë publike. Dy jetë të humbura janë arsye e mjaftueshme që institucionet të japin llogari.
Por ndërsa në Elbasan diskutohet nëse shërbimet e emergjencës kanë mjetet e duhura për të përballuar një tragjedi, në Tiranë, prej javësh, shteti shfaq një tjetër nivel gatishmërie.
Në rrugët e kryeqytetit, ku studentët kanë dalë në protestë për të kërkuar ndryshim dhe llogaridhënie politike, autobotët e Policisë janë kthyer në një pamje të përsëritur. Rrymat e ujit me presion të lartë janë drejtuar ndaj protestuesve, ndërsa të rinjtë vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre, me thirrjen: “Pa dorëheqje nuk ndalemi!”
Studentët kanë dalë në rrugë jo për të kërkuar privilegje, por për të kundërshtuar një realitet politik dhe institucional që, sipas tyre, nuk u ofron më as besim dhe as perspektivë. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës politike, duke e shtrirë protestën përtej kufijve të një pakënaqësie studentore.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: një qeveri që përballet me një brez të ri që kërkon përgjegjësi, nuk mund t’i përgjigjet zërit të tij vetëm me prezencë policore dhe mjete për shpërndarjen e turmave.
Studentët nuk kanë nevojë për autobotë për t’u heshtur. Kanë nevojë për institucione që i dëgjojnë.
Një vend nuk matet me numrin e mjeteve që nxjerr në rrugë për të kontrolluar protestat, por me aftësinë për të garantuar sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve të tij.
Nëse shteti arrin të organizojë një prani të vazhdueshme të forcave të rendit dhe autobotëve në protestat e studentëve, atëherë qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë të njëjtën seriozitet edhe në shërbimet që shpëtojnë jetë.
Pas tragjedisë në Elbasan, nuk mjaftojnë deklaratat se gjithçka është në rregull. Duhet transparencë për pajisjet, investimet dhe përgjegjësitë. Ndërsa përballë studentëve, përgjigjja nuk mund të jetë presioni, por respektimi i së drejtës për të protestuar.
Uji duhet të shuajë flakët, jo zërin e studentëve./Alfapress
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
