Granata dhe shpërthime për të zhvatur bizneset në Athinë, Klodian Lekocaj dyshohet se drejtonte bandën nga burgu

5 November 2026, 20:30 / AKTUALITET ALFA PRESS
Granata dhe shpërthime për të zhvatur bizneset në

Një rrjet kriminal i përfshirë në zhvatjen e bizneseve në Athinë, përmes kërcënimeve, shpërthimeve me granata dhe zjarrvënieve, është goditur nga Policia greke. Në krye të organizatës dyshohet se qëndronte shqiptari Klodian Lekoçaj, një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë, i cili ndodhet i burgosur në burgun e Trikalës, por që, sipas hetimeve, vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal edhe nga qelia.

Pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset e sulmuara kanë dokumentuar disa prej episodeve të dhunshme të bandës. Në videot e publikuara shihet një prej anëtarëve që thyen xhamat e një mense në zonën e Akarnonit dhe më pas hedh një granatë brenda ambienteve të saj. Sulmi ndodhi më 5 tetor dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Në shënjestër të grupit kriminal ishin edhe dyqanet me emrat “Paris” dhe “Best”, në qendër të Athinës. Anëtarët e bandës u kërkonin pronarëve shuma të mëdha parash në këmbim të asaj që e quanin “mbrojtje”. Për të ushtruar presion ndaj tyre, ata përdornin shpërthime me granata dhe kërcënime të vazhdueshme.

Dy shpërthime ndodhën në orët e para të 8 shtatorit, kur bizneset ishin të mbyllura, duke shkaktuar dëme të rënda materiale. Ndërsa më 5 tetor, autorët kryen një tjetër sulm ndaj dyqanit “Paris”, këtë herë në një moment kur brenda ndodheshin klientë. Hedhja e granatës jashtë ambienteve të biznesit përfundoi me plagosjen e lehtë të një vajze të re.

 

Sipas hetimeve të Policisë Helenike, organizata përbëhej nga nëntë anëtarë kryesorë. Katër prej tyre ndodheshin në burgjet greke, ndërsa pesë të tjerët u arrestuan më 3 nëntor. Mes të arrestuarve janë dy shtetas grekë dhe tre të huaj, të moshës 17 deri në 20 vjeç.

Përveç shqiptarit Klodian Lekoçaj, si pjesë e grupit janë identifikuar edhe një shtetas grek me origjinë rome, i cili ndodhet në burgun e Malandrinos, si dhe dy persona me origjinë egjiptiane. Njëri prej tyre është gjithashtu i burgosur në Malandrino, ndërsa tjetri mbahet në Qendrën Speciale të Paraburgimit për të Mitur në Avlona.

Të arrestuarit u dërguan mëngjesin e 4 nëntorit në gjykatën e Evelpidonit, ku u përballën me akuza të rënda. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre procedime për 13 vepra penale dhe tri kundërvajtje, mes të cilave krijimi dhe drejtimi i organizatës kriminale, tentativa e vrasjes, shpërthimet, zjarrvënia e qëllimshme, zhvatja në seri, mbajtja e paligjshme e armëve dhe eksplozivëve, dëmtimi i pronës dhe ushtrimi i dhunës ndaj punonjësve.

Hetimet po vijojnë për të dokumentuar të gjitha episodet kriminale dhe rolin e secilit prej anëtarëve të rrjetit, ndërsa autoritetet greke dyshojnë se urdhrat për sulmet dhe zhvatjet jepeshin nga drejtuesi i organizatës, edhe pse ndodhej pas hekurave.

 

Po ndodh...