"Ka njohuri të thelluara kundërzbulimi"/ SPAK e la në arrest shtëpie, Vlora Hyseni do ndihmohej nga dy izraelitë të Ergys Agasit për tu arratisur

5 November 2026, 13:14 / AKTUALITET ALFA PRESS

"Ka njohuri të thelluara kundërzbulimi"/ SPAK e la në

Një dokument i Gjykatës së Posaçme, në të cilin arsyetohet nevoja e mbajtjes së ish-kryespiunes Vlora Hyseni në masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", tregon se rreziku për arratisjen e saj ka qenë real, nëse do të lihej në liri.

Prokuroria e Posaçme dyshon se të paktën dy shtetas izraelitë mund të ndihmonin ish-zyrtaren e lartë që të largohej nga Shqipëria, për t’iu shmangur hetimit penal për akuzat "Përkrahje e autorit të krimit" dhe "Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë."

“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj, (të identifikuar me pseudonimet Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces), të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtëkontrollit efektiv të organeve proceduese”, thuhet në një pjesë të dosjes, të siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”.

Në materialet hetimore nuk jepen më shumë detaje për këta dy personazhe misteriozë, por theksohet se ata janë njohje e Ergys Agasit dhe pjesë e rrjetit kriminal të drejtuar prej tij.

FAKSIMILE/ Gjykata e Posaçme e la në izolim shtëpiak, zbardhet

Ish-kryespiunia e Shqipërisë, Vlora Hyseni i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme të Apelit, për lehtësim të masës së sigurisë. Ajo ndodhet aktualisht në "Arrest në shtëpi" dhe nga shkalla e dytë e drejtësisë, kërkon zbutje të masës.

Mirëpo, dy prokurorët që përfaqësojnë akuzën, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kërkuan më tepër kohë për të përgatitur dosjen e kundërshtimit të zbutjes së masës së sigurimit dhe dje, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tyre, duke lënë në fuqi "Arrestin në shtëpi".

Referuar komunikatës zyrtare të SPAK, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.

Po ndodh...