U kap me armë te rruga Elbasani, kush është Eduart Dushku, i ‘forti i Saukut’? Nga dënimi për vrasje te linja e urbanit në pronësi

5 November 2026, 10:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

U kap me armë te rruga Elbasani, kush është Eduart Dushku, i

Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e shtetasit Eduart Dushku, në zonën e Rrugës së Elbasanit, për shkak se u kap duke transportuar një armë zjarri me motomjet, të cilën dyshohet se do e shiste. Dushku, sot 49-vjeç, rezulton që të jetë një person me precedentë të theksuar penalë, përfshirë vrasjen, ndërkohë që më herët rezulton të ketë pasur në pronësi dhe një linjë të transportit urban në kryeqytet.

Motomjeti me të cilin ai po lëvizte u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit, ku gjatë verifikimeve u gjet një pistoletë me municion, të cilën dyshohet se 49-vjeçari do ta trafikonte. Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku efektivët gjetën dhe sekuestruan një jelek antiplumb.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu arma e zjarrit me municion, motomjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit.

KUSH ËSHTË EDUART DUSHKU

Eduart Dushku, i njohur edhe si Edison Dushku dhe me nofkën “i forti i Saukut”, është një emër i përmendur prej vitesh në kronikën e zezë në kryeqytet. Dushku u bë i njohur për publikun pas vrasjes së Abdulla Vrapit, në gusht të vitit 2011, në zonën e njohur si “Depot e Ujit”, pranë Sanatoriumit në Tiranë. Në mars të vitit 2012, ai u arrestua si i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Sipas raportimeve të kohës, konflikti mes palëve dyshohej se kishte lindur për motive që lidheshin me transportin urban.

Emri i tij u rikthye në vëmendje gjatë viteve 2014-2015, kur në zonën e Saukut të Vjetër u regjistruan dy episode të rënda: djegia e një automjeti dhe një shpërthim me lëndë plasëse në një lokal. Dushku u përmend në raportimet mediatike në lidhje me hetimet për këto ngjarje.

Në shtator të vitit 2017, ai u arrestua sërish, këtë herë në kuadër të një çështjeje që lidhej me shkatërrimin e pronës me zjarr. Arrestimi u krye ndërkohë që ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vetëm pak muaj më vonë, më 1 mars 2018, Dushku u bë pjesë e një tjetër operacioni policor. Ai u arrestua gjatë operacionit të koduar “Përsëritësi”, në rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia raportoi se kishte gjetur sende të paligjshme.

Në prill të vitit 2020, emri i tij u përfshi edhe në aksionin e Operacionit Forca e Ligjit (OFL), përmes të cilit autoritetet synonin identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë në veprimtari kriminale. Në këtë kuadër, OFL-ja i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të deklaronte burimin e ligjshëm të pasurisë.

Një tjetër element që e ka lidhur emrin e Dushkut me çështje të profilit të lartë është marrëdhënia e raportuar e biznesit me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, në lidhje me një pronë të blerë prej tij.

 

Po ndodh...