Zero komision për blerjet me kartë në çdo dyqan/ Vendimi i BSH: Çmimi në raft do të jetë i njëjtë si me kesh, ashtu edhe me kartë

5 November 2026, 09:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Zero komision për blerjet me kartë në çdo dyqan/ Vendimi

Qytetarët nuk do të paguajnë më asnjë komision apo tarifë shtesë për pagesat me kartë nëpër pikat e shitjes në Shqipëri. Ky vendim vjen pas miratimit të rregullores së re nga Banka e Shqipërisë, e cila është përafruar plotësisht me direktivat e Bashkimit Evropian për të mbrojtur konsumatorët dhe tregtarët.

Ndryshimi është rrënjësor, pasi deri më sot qytetarëve dhe tregtarëve u mbahej deri në 3 për qind komision për çdo blerje me kartë, një kosto e lartë kjo që rriste artificialisht çmimet e produkteve në treg. 

Zero komision për blerjet me kartë në çdo dyqan/ Vendimi

Me rregullat e reja, çmimi që shihni në raft do të jetë i njëjtë si për ata që paguajnë me para në dorë (kesh), ashtu edhe për ata që përdorin kartë debiti ose krediti. Çdo praktikë ku tregtarët apo bankat tentojnë të ngarkojnë qytetarët me kosto ekstra për përdorimin e kartës është rreptësisht e ndaluar.

Çfarë ndryshon në sistemin e pagesave?
Së pari, konsumatori final do të ketë zero ngarkesë direkte. Tavanet e reja prej 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit janë tarifa që rregullohen ekskluzivisht në prapaskenë mes bankave dhe tregtarëve. Për më tepër, ligji ndalon rreptësisht bankat që të shpikin komisione të reja apo të fshehura për të zëvendësuar këto kufizime.

Së dyti, do të ketë transparencë të plotë në arkë. Nëse një dyqan pranon një markë të caktuar karte, ai nuk mund t'ju refuzojë në momentin e pagesës. Në rast se tregtari zgjedh të mos pranojë kategori specifike, siç janë kartat e biznesit, ai është i detyruar ta afishojë këtë njoftim qartë dhe në mënyrë të dukshme si në hyrje të dyqanit, ashtu edhe te kasa.

Deri më sot, bankat aplikonin komisione të larta ndaj bizneseve, gjë që i detyronte tregtarët të rritnin çmimet e produkteve për të mbuluar këto kosto. Me këtë ndërhyrje drastike të Bankës së Shqipërisë, jo vetëm që garantohet paanshmëria për blerësit, por bizneset tani inkurajohen të ofrojnë edhe zbritje apo skonto për t’i orientuar klientët drejt pagesave elektronike.

Po ndodh...