Bizneset e përjashtuara nga tenderat nuk do të rikthehen më përmes gjykatave, BE i imponon qeverisë ndryshimin e ligjit

10 November 2026, 12:43 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Bizneset e përjashtuara nga tenderat nuk do të rikthehen më

Bizneset që përjashtohen nga tenderat me vendim të Agjencisë së Prokurimeve Publike nuk do ta kenë më luksin të rikthehen nga dera e prapme përmes gjykatave. 

Bashkimi Europian i ka imponuar qeverisë shqiptare një ndryshim në Ligjin e Prokurimeve Publike, i cili mbyll një shteg të madh abuzimi, që ndodhte shpesh në Shqipëri. Rikthimin e kompanive të përjashtuara në proçedurat e prokurimit duke rrëzuar përjashtimin në gjykata. 

Bëhet fjalë për shtimin e thjeshtë të lidhëzës "ose" në Nenin 78 të ligjit të prokurimeve. Ky ndryshim teknik vjen si një përgjigje direkte ndaj një sfilate vendimesh absurde të Gjykatave Administrative, të cilat në vitet e fundit kanë rrëzuar masën e përjashtimit ndaj kompanive që manipulonin garat publike.

Bizneset e përjashtuara nga tenderat nuk do të rikthehen më

Burokracia që pasuronte mashtruesit
Deri më sot, sa herë që Autoriteti i Prokurimit Publik kapte një kompani me dokumente të falsifikuara, me bilance të rreme apo me përvojë të shpikur dhe e fuste atë në "Listën e Zezë", pronarët e bizneseve i drejtoheshin gjykatës. 

Gjykatat Administrative, përmes një interpretimi të qëllimshëm burokratik, i shpëtonin ato duke argumentuar se ligji ekzistues kërkonte që shoqëria të kishte kryer dy shkelje njëkohësisht: edhe keqinformimin, edhe paraqitjen e dokumenteve të rreme. Nëse kompania kishte bërë vetëm njërën, gjykatat urdhëronin APP-në t'i kthente ato sërish në garat e parave publike.

Tashmë, me formulimin e ri, mjafton që një kompani të kryejë qoftë edhe njërën nga shkeljet – ose të keqinformojë, ose të paraqesë një dokument të rremë – që të fluturojë menjëherë nga sistemi dhe të bllokohet për një periudhë të gjatë nga të gjitha tenderat në Republikën e Shqipërisë.

Goditje edhe "Karteleve" pa pritur gjykatat
Paralelisht, ligji i ri heq një tjetër pengesë të madhe që lidhet me marrëveshjet e fshehta (kartelat) midis kompanive. Nëse Autoriteti i Konkurrencës zbulonte se dy kompani ishin marrë vesh në prapaskenë për të paracaktuar fituesin e një tenderi, ato sërish nuk përjashtoheshin dot nga APP-ja nëse vendimi nuk merrte "formë të prerë" në gjykatë – një proces që zgjaste me vite të tëra. 

Projektligji i vitit 2026 e fshin togfjalëshin "të formës së prerë", duke i dhënë të drejtë shtetit të bllokojë menjëherë firmat abuzuese sapo institucioni kompetent të ketë faktuar marrëveshjen monopol.

Ky ndryshim radikal është pjesë e paketës së emergjencës për hapjen e negociatave me BE-në për grup-kapitullin "Themeloret". Brukseli e ka bërë të qartë: pa një "Listë të Zezë" funksionale dhe pa ndëshkimin e pastër të mashtrimit, Shqipëria nuk mund të aspirojë integrimin evropian./Kapital

Po ndodh...