Lindjet në tremujorin e tretë 2026 zbresin në minimum historik, prirja e rënies duket pa kthim

10 November 2026, 11:48 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Lindjet në tremujorin e tretë 2026 zbresin në minimum historik,

Lindjet në Shqipëri ranë në 5,787 në tremujorin e tretë të vitit 2026, duke shënuar rënie prej 10.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. të dhënat e INSTT tregojnë se ky është niveli më i ulët i regjistruar për këtë periudhë të vitit të paktën që nga viti 2011, kur raportohen të dhënat.

Por dhe më herët kur të dhënat raportoheshin vjetore, Shqipëria nuk regjistronte lindje kaq të ulëta prej dekadash.

Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se Shqipëria është tashmë vendi me rënien më të lartë të lindjeve në Europë gjatë tri dekadave të fundit. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara për periudhën 1997–2025, numri i lindjeve në vend është tkurrur me 63.5%, nga 61.7 mijë në vetëm 22.5 mijë.

Asnjë vend tjetër europian nuk ka regjistruar një rënie kaq të fortë gjatë kësaj periudhe. Pas Shqipërisë renditen Lituania, me një tkurrje prej 53%, Moldavia me 51% dhe më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.

Rënia është e ndjeshme edhe kur lindjet maten në raport me popullsinë. Në mesin e viteve ’90, Shqipëria regjistronte 21.7 lindje për 1,000 banorë, ndërsa në vitin 2025 ky tregues kishte zbritur në vetëm 9.6, duke u më shumë se përgjysmuar.

Tkurrja e lindjeve nuk lidhet vetëm me faktin se familjet po vendosin të kenë më pak fëmijë. Emigracioni masiv i dekadave të fundit ka larguar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së re, duke reduktuar numrin e grave në moshë riprodhuese. Edhe nëse numri mesatar i fëmijëve për grua do të stabilizohej, lindjet mund të vijonin të pakësoheshin, për shkak të tkurrjes së brezave që hyjnë në moshën për të krijuar familje.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet në stilin e jetesës, shtyrja e moshës së martesës dhe lindjes së fëmijës së parë, si dhe prirja drejt familjeve më të vogla po e përforcojnë këtë proces.

Kostot ekonomike janë një tjetër pengesë për familjet e reja. Çmimet e larta të banesave, shpenzimet për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, si dhe pasiguria për të ardhurat dhe punësimin ndikojnë në vendimin për të pasur fëmijë. Në këto kushte, mbështetja përmes bonusit të bebes, që në Shqipëri është 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, mbetet një ndihmë e njëhershme, që nuk adreson kostot afatgjata të rritjes së fëmijëve.

Pasojat e rënies së lindjeve po bëhen gjithnjë e më të dukshme në strukturën e popullsisë. Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë në fillim të vitit 2026 zbriti në 2.336 milionë banorë, me një rënie prej 1.16% në krahasim me një vit më parë. Vetëm gjatë vitit 2025, migracioni neto ishte negativ me 28.5 mijë persona, ndërsa shtesa natyrore ishte vetëm 1,147 persona, duke iu afruar gjithnjë e më shumë zeros.

Ndërkohë, mosha mediane e popullsisë arriti në 45 vjeç në fillim të vitit 2026, duke reflektuar përshpejtimin e plakjes demografike.

Në afat të gjatë, kombinimi i lindjeve të pakta, emigracionit dhe plakjes krijon një rreth vicioz. Më pak fëmijë sot do të thotë më pak nxënës në vitet e ardhshme, më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës dhe një numër gjithnjë e më i vogël kontribuuesish në sistemin e pensioneve, ndërsa popullsia e moshuar shtohet.

Tkurrja e forcës së punës rrezikon të kthehet në një kufizim strukturor për ekonominë, duke vështirësuar zgjerimin e bizneseve, rritur presionin mbi financat publike dhe zvogëluar potencialin e konsumit dhe të rritjes ekonomike.

Rreziku bëhet edhe më i madh sepse procesi është vetëpërforcues. Brezat gjithnjë e më të vegjël që lindin sot do të jenë prindërit e së ardhmes, duke e bërë rikuperimin e numrit të lindjeve edhe më të vështirë, edhe nëse kushtet ekonomike përmirësohen./monitor

Po ndodh...