Zgjedhjet, organizimi i partisë, Veliaj dhe protestat kundër qeverisë, çfarë pritet të diskutojë Rama me socialistët në Lalëz

10 November 2026, 10:44 / POLITIKË ALFA PRESS
Zgjedhjet, organizimi i partisë, Veliaj dhe protestat kundër

Detaje të reja janë mësuar lidhur me mbledhjen e radhës së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë, në orën 10:30, në zonën e Gjirit të Lalzit.

Mbledhja do të drejtohet nga kryesocialisti dhe njëherësh kryeministri Edi Rama, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jetë përgatitja e Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 9 majit.

Një pjesë e rëndësishme e takimit pritet t'i kushtohet organizimit të strukturave të PS-së në të gjithë vendin, si dhe përcaktimit të prioriteteve dhe angazhimeve në funksion të procesit të ardhshëm zgjedhor.Po ashtu, në fokus të diskutimeve pritet të jetë edhe situata aktuale politike në vend, në një kohë kur vijojnë protestat dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.

Rama është akuzuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli, se ka urdhëruar transferimin e tij në burgun e Fierit. Sipas Veliajt, përmes Toni Gogut, i janë dërguar kërkesa për të pranuar përfshirjen në protesta, dorëheqje nga bashkia dhe përfaqësimi prej Plarent Ndrecës.

Asambleja Kombëtare pritet të shërbejë si një moment koordinimi për drejtuesit dhe strukturat socialiste, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore dhe zhvillimeve të pritshme politike.
 

Po ndodh...