Nuk na duhet një marrëveshje PS-PD, na duhet demokracia!

Ajo që po bëhet në emër të reformimit të ligjit zgjedhor nuk është Reformë Zgjedhore. Është thjesht një përpjekje për të arritur marrëveshjen e radhës për të bojatisur ligjin ekzistues.
Në kushtet kur hetimet e prokurorisë kanë treguar se qeveria përdor çdo aset financiar në shërbim të riciklimit të pushtetit: punësimet fiktive, ndihmën ekonomike për të varfrit dhe lejet për kulla për të pasurit; në kushtet kur shteti përdoret në shërbim të pushtetit dhe krimi nuk është më thjesht donator, por ka përfaqësuesit e tij në Kuvend dhe në institucione, rrotacioni politik është bërë gati i pamundur.
Ligji zgjedhor është një nga kontribuesit e rëndësishëm të kësaj gjendjeje, ndërsa vendi vazhdon të mbetet një «demokraci hibride».
Shumë njerëz kanë dalë në rrugë. Por, përtej axhendës së këtij aksioni politik qytetar dhe përpjekjeve të partive opozitare për më shumë protagonizëm, mendoj se duhet të frenojmë një Reformë Zgjedhore të bërë «shkel e shko».
Në përpjekje për të dhënë një kontribut modest, ftoj mbështetjen për një «akt politik», që synon bashkimin e mendimit qytetar dhe intelektual.
Pavarësisht nëse socialistët do të qeverisin deri në fund të mandatit apo jo, pavarësisht nëse do të ketë apo jo një qeveri tranzitore, pushteti, sot e përgjithmonë, duhet të përcaktohet nga vota.
Ndaj, ftoj këdo të bashkohet me këtë «akt politik»:
1. Të ndalohet miratimi me urgjencë i Reformës Zgjedhore, qoftë në mënyrë të njëanshme, qoftë përmes një konsensusi PS-PD.
2. Të bëhen rregullimet e nevojshme për zgjedhjet vendore, ndërsa puna për Reformën e vërtetë Zgjedhore të vijojë, duke përfshirë edhe aktorë jashtëparlamentarë.
3. Reforma Zgjedhore të nisë duke zhbërë reformën e vitit 2008, duke rishikuar sistemin zgjedhor, pragun elektoral, kufizimin e numrit të mandateve etj.
4. Të implementohen plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2025.
5. Të miratohet, paralelisht, si pjesë e ligjit zgjedhor apo si një ligj më vete, «Ligji për Partitë Politike», për të garantuar demokracinë e brendshme dhe transparencën e financimit të tyre.
6. Të sanksionohet krijimi i një «qeverie tranzitore» katërmujore, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, me detyrën e administrimit të procesit zgjedhor, derisa Shqipëria të dalë nga harta e «demokracive hibride» dhe të arrijmë të zhvillojmë zgjedhje të besueshme.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet të investohen seriozisht në këtë drejtim, pa qenë nevoja të përsërisin shprehjen: «Jeni në rrugën e duhur drejt integrimit».
Ne duhet të gjejmë më parë rrugën që na çon drejt demokracisë funksionale.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
Nuk na duhet një marrëveshje PS-PD, na duhet demokracia!
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

