Rama mbledh nesër Asamblenë e PS! Kush janë ministrat që pritet të lënë karriget në qeveri për të kandiduar në zgjedhjet e 9 majit

13 November 2026, 11:33 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama mbledh nesër Asamblenë e PS! Kush janë ministrat që

Gjiri i Lalzit këtë të shtunë nuk do të jetë në qendër të vëmendjes për turistët, por për socialistët, për shkak të Asamblesë që do të mbahet në një nga resortet e asaj zone.

Kjo Asamble ka ngritur shumë pikëpyetje dhe pritet me padurim nga socialistët, veçanërisht pjesa e fundit e fjalimit të kryetarit të tyre.

Ndërkohë, ndonëse në media dhe në emisionet televizive aludohet se Rama do të flasë për Veliajn, kryeministri pritet të përqendrohet te protesta dhe përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit. 

Socialistët duket se do ta përqendrojnë vëmendjen te kryeqyteti, në mënyrë që të mos humbasin bashkinë më të madhe dhe më të rëndësishme në Shqipëri.

Këtë të shtunë, pritet dyfishimi i numrit të drejtuesve politikë të qarqeve, nga 12 në 24. Kjo lëvizje, me sa duket, ka për qëllim forcimin e pozicioneve të kësaj force politike përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

Ajo që pritet të shërbejë si një lloj "dhuratë për Vitin e Ri" për disa prej socialistëve është përmendja e emrave të tyre si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet e 9 majit.

Ministrat që pritet të largohen nga detyra për t'u përfshirë në garën elektorale të 9 majit janë Ervin Demo (ministri i Brendshëm), Enea Karakaçi (ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë) dhe Andis Salla (ministri i Bujqësisë).

VoxNews ka mësuar se këta emra po diskutohen në sondazhet e socialistëve. Surpriza është Ervin Demo, i cili përmendet si kandidat i mundshëm për Tiranën, megjithëse ende nuk ka rezultate të besueshme që të konfirmojnë apo të hedhin poshtë këtë kandidaturë për drejtimin e kryeqytetit.

Ndërkohë, Enea Karakaçit, drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Shkodër, pritet t'i besohet edhe kandidatura për drejtimin e kësaj bashkie, të cilën socialistët e fituan me Benet Becin.

Bashkia e Elbasanit, e cila me ndarjen e re territoriale është shndërruar në një "superbashki" për shkak të bashkimit me Cërrikun dhe Belshin, pritet t'i besohet Andis Sallës.

Ish-kryebashkiaku i Cërrikut, i cili më pas mori detyrën e ministrit të Bujqësisë, pritet të rikthehet në garë për drejtimin e "superbashkisë" së Elbasanit.

Duket se zgjedhjet e 9 majit do të jenë për socialistët jo vetëm një garë për fitimin e bashkive, por edhe një test për të matur nëse ata e gëzojnë ende besimin e votuesve.

Në veçanti, beteja për Tiranën pritet të jetë një nga sfidat më të vështira për socialistët, ndoshta më e vështira që ata kanë përballuar ndonjëherë, që prej zgjedhjeve të vitit 2011, kur Edi Rama humbi drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas 12 vitesh në krye të saj./VoxNews

Po ndodh...