354 të arrestuar në operacionin ndërkombëtar kundër Dark Web-it, sekuestrohen tonelata drogë dhe 152 armë zjarri

13 November 2026, 08:31 / BOTA ALFA PRESS

354 të arrestuar në operacionin ndërkombëtar kundër

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale që veprojnë në të ashtuquajturin Dark Web ka përfunduar me 354 persona të arrestuar dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës, armëve të zjarrit dhe parave.

Operacioni, i koduar “TorNado”, u zhvillua nga maji i vitit 2025 deri në tetor të vitit 2026, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese nga 14 shtete. Koordinimi i tij u drejtua nga Europoli, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin policor.

Gjatë operacionit u zhvilluan qindra ndërhyrje policore në vende të ndryshme të botës, me objektiv goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e drogës dhe armëve përmes platformave të fshehta të internetit.

Numri më i madh i arrestimeve u regjistrua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 132 persona, të ndjekura nga Britania e Madhe me 59, Hungaria me 45, Gjermania me 41 dhe Franca me 23 të arrestuar.

 

Në Evropë, autoritetet sekuestruan pothuajse një ton substanca narkotike dhe të kontrolluara, mes tyre amfetaminë, ketaminë, MDMA, kokainë dhe kanabis.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara u sekuestruan më shumë se 4.8 tonë drogë, 152 armë zjarri dhe rreth 150 milionë euro në para të gatshme dhe kriptovaluta.

Në një njoftim zyrtar, Europoli theksoi se operacioni evidentoi aftësinë e rrjeteve kriminale në Dark Web për t’u përshtatur dhe riorganizuar, pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteteve.

“Operacioni nxori në pah qëndrueshmërinë në zhvillim të tregjeve të internetit të errët, të cilat vazhdojnë të përshtaten pavarësisht ndërprerjeve”, thuhet në njoftimin e Europolit.

Edhe zëvendësdrejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Raya, vlerësoi rëndësinë e operacionit, duke theksuar se në shënjestër ishte trafikimi i fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse përmes Dark Web-it.

“Ne identifikuam shitës të mëdhenj në rrjetin e errët”, deklaroi Raya, duke shtuar se autoritetet arritën të çmontonin edhe elementët kryesorë të rrjeteve të tyre kriminale, të cilët u mundësonin të vijonin aktivitetin.

Në operacion morën pjesë shërbime policore nga Australia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Dark Web është një pjesë e internetit që nuk aksesohet përmes motorëve të zakonshëm të kërkimit dhe ku përdoruesit mund të komunikojnë në mënyrë anonime. Kjo hapësirë përdoret edhe për aktivitete të ligjshme, por është shfrytëzuar nga rrjetet kriminale për shitjen e drogës, armëve dhe mallrave të tjera të paligjshme.

 

Po ndodh...