Robinho Jr. i hap derën Italisë, por ëndrra mbetet Brazili

19 November 2026, 23:44 / SPORT ALFA PRESS

Robinho Jr. i hap derën Italisë, por ëndrra mbetet Brazili

Talenti brazilian, Robinho Jr., i lindur në vitin 2007 dhe djali i ish-yllit të Milanit, ka lënë të hapur mundësinë për të veshur fanellën e kombëtares italiane, edhe pse ëndrra e tij ka qenë gjithmonë të përfaqësojë Brazilin, kombëtaren e babait të tij.

Deklarata e tij erdhi pas një paraqitjeje të shkëlqyer me përfaqësuesen U-20 të Brazilit, ku shënoi dy gola në fitoren ndaj Perusë. Aktualisht, sulmuesi aktivizohet te Genoa, me të cilën debutoi në Serie A më 17 tetor, në ndeshjen kundër Romës, duke luajtur për shtatë minuta.

Në përfundim të takimit, i pyetur për të ardhmen e tij ndërkombëtare, Robinho Jr. u shpreh se nuk dëshiron të përjashtojë asnjë mundësi, pasi ka të drejtën të zgjedhë mes dy prej kombëtareve më të suksesshme në historinë e futbollit.

Talenti i ri ka dy shtetësi, braziliane dhe italiane, falë origjinës së nënës së tij.

“Që kur isha i vogël, e kam imagjinuar gjithmonë veten duke luajtur për Brazilin, por më pas u hap edhe mundësia për të përfaqësuar kombëtaren italiane”, deklaroi ai.

Kështu, pavarësisht ëndrrës për të ndjekur gjurmët e të atit dhe për të luajtur me Brazilin, Robinho Jr. nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të zgjedhë Italinë. 

Po ndodh...