Protesta është më e madhe se partitë

Protesta që vrau frikën dhe ringjalli shpresën është më e madhe se partitë, më e madhe se PS-ja dhe PD-ja. Ajo ka kapërcyer kufijtë e përkatësive politike dhe po artikulon një kërkesë që shkon përtej rotacionit të zakonshëm të pushtetit: përgjegjësi, drejtësi dhe fundin e pandëshkueshmërisë politike.
“Ramë në burg, Berisha në burg!” Ishte pikërisht kjo kërkesë që bashkoi qindra e mijëra qytetarë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Protesta vendosi një kufi të qartë: jo më bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.
Por, fajtorë që duhen ndëshkuar!
Prej gjashtë muajsh, protesta qytetare ka ndryshuar skenën politike në vend duke u shndërruar në një nga ngjarjet kryesore të jetës publike. Ajo ëshë një lëvizje kundër mungesës së transparencës, korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe mungesës së llogaridhënies. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë (2026) do ta cilësonte mobilizim në protestë “si më të madhin që prej tranzicionit demokratik”, duke evidentuar pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra qytetarëve në kulmin e protestave.
Prona, tjetërsimi i saj dhe e drejta e mohuar e qytetarëve për t’u informuar, ishte zanafilla e protestës. Dhe pikërisht kjo protestë i dha kësaj pakënaqësie një dimension të ri: qytetarët nuk po kundërshtojnë vetëm një projekt por një model qeverisjeje që i përjashton nga vendimmarrja. Ajo po i tregon qartë kastës së korruptuar politike se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar prej saj.
Ky është dallimi thelbësor i momentit politik që po jetojmë. Nga njëra anë kuvendi i qytetarëve në shesh që kërkojnë llogari dhe refuzojnë të heshtin. Nga ana tjetër, kuvendi i një politike që vazhdon të sillet sikur përfaqësimi qytetar është pronë ekskluzive e dy partive kryesore. Përpjekjet për ta sulmuar, etiketuar apo zvogëluar protestën nuk e kanë zhbërë thelbin e saj.
Sepse ajo ka një dimension tjetër, të rikthejë qytetarin në qendër të vendimmarrjes.
Ndërkohë, PS-ja dhe PD-ja përballen me një krizë të thellë besueshmërie dhe përfaqësimi. Asambleja e fundit e Partisë Socialiste ishte një tjetër dëshmi e mënyrës se si funksionon pushteti brenda saj dhe qeverisja: përqendrim i vendimmarrjes, imponim, bindje ndaj kryetarit dhe mungesë llogaridhënie.
Nga ana tjetër, PD-ja vazhdon paaftësinë dhe pamundësine për të ndërtuar një alternativë bindëse dhe të besueshme. Nëse PD kërkon mbështetjen e pushtetit (Veliaj, Spiropali) për të zgjidhur betejat e saj apo për të goditur kundërshtarët politikë, atëherë lind pyetja: ku mbetet beteja kundër narkoshtetit? A ishte ajo reale për ndryshimin e sistemit apo vetëm një retorikë politike?
Marrëveshja Rama-Berisha me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ndryshoi mënyrën e përfaqësimit politik në Shqipëri, duke sjellë sundimin personal në parti, parlament e qeveri: deputetët nuk duhet t’i zgjedhë populli por vetëm kryetari me listë. Dhe ky ishte një krim antiparlamentar.
Dhe sot loja vazhdon, PS-PD reformën zgjedhore e përdorin si fasadë për një proces që gjithmonë në fund ruan të pandryshuar interesat e dy partive të mëdha në kurriz të interesit qytetar. Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 pohoi se zhvillimi i zgjedhjeve kishte probleme në zbatimin e standardeve zgjedhore dhe pati polarizim dhe kushte jo të barabarta të kondidatëve.
Pra, problemi nuk është thjesht teknik, është politik dhe institucional.
Reforma duhet të çlirojë votën nga kontrolli i strukturave partiake dhe t'i japë qytetarit mundësinë që zgjedhja e tij të përkthehet në përfaqësim real.
Por a e duan vërtet këtë ndryshim partitë që kanë përfituar nga ky sistem i përçudnuar?
Prandaj, sfida më e madhe e protestës është të ruajë autonominë, të artikulojë kërkesa të qarta dhe të mos lejojë që energjia qytetare të përvetësohet nga kasta politike e korruptuar. Qytetarët nuk janë në shesh për të ndërruar një palë me një tjetër. Ata janë aty sepse nuk pranojnë më të njëjtin model pushteti, të njëjtat pazare, të njëjtën pandëshkueshmëri dhe të njëjtën mungesë përfaqësimi.
Ata janë shumë, janë të vendosur dhe, mbi të gjitha, kanë filluar të besojnë se ndryshimi nuk duhet të vijë nga partitë, por nga fuqia e tyre për t'u organizuar dhe për të kërkuar llogari.
Protesta është më e madhe se partitë. Dhe pikërisht për këtë arsye, politika ka arsye të ketë frikë prej saj.
Po ndodh...
Çfarë janë socialistët pa Ramën, "mut"?!
ide
Protesta është më e madhe se partitë
Sorosi, Berisha dhe hipokrizia politike
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

