Alarm në Bruksel/ Hakerat godasin Komisionin Evropian, në rrezik të dhënat e mijëra punonjësve

19 November 2026, 08:46 / BOTA ALFA PRESS

Alarm në Bruksel/ Hakerat godasin Komisionin Evropian, në rrezik

Një sulm i madh kibernetik ka goditur Komisionin Evropian, duke shkaktuar probleme në disa sisteme të brendshme dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave personale të punonjësve të institucionit.

Sipas një raportimi të POLITICO Europe, sulmi është zbuluar në fillim të këtij muaji nga CERT-EU, struktura përgjegjëse për sigurinë kibernetike të institucioneve të Bashkimit Evropian. Hetimet paraprake tregojnë se hakerat kanë përdorur një mjet të mbështetur nga inteligjenca artificiale, të quajtur ARTEX, për të identifikuar dobësi në sistemet informatike.

Sipas raportimit, ndërprerjet kanë zgjatur më shumë se 10 ditë dhe kanë prekur platforma të rëndësishme si Sysper, që përdoret për pagat, lejet dhe oraret e punonjësve, si dhe MyPMO, sistemi për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore. Probleme janë raportuar edhe në shërbimet e përkthimit. Edhe pse shumica e sistemeve janë rikthyer në funksion, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme më 18 nëntor.

Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e vjedhjes së të dhënave personale të punonjësve. Deri tani, hetuesit nuk kanë përcaktuar nëse informacionet janë komprometuar dhe sa e madhe mund të jetë përmasa e dëmit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, ka konfirmuar se institucioni ka ndërmarrë masat e nevojshme për t’iu përgjigjur sulmit dhe se janë njoftuar personat e prekur.

Megjithatë, mbetet e paqartë se kush qëndron pas sulmit dhe nëse hakerat kanë arritur të marrin të dhëna konfidenciale.

Po ndodh...