FBI zbarkon në Athinë për kontratat energjitike të ish-ambasadores Kimberly Guillyfole

18 November 2026, 22:30 / BOTA ALFA PRESS
FBI zbarkon në Athinë për kontratat energjitike të

Agjentë të FBI-së ndodhen në Athinë në kuadër të hetimeve ndaj ish-ambasadores amerikane Kimberly Guilfoyle. Kjo e fundit dha dorëheqjen në tetor pas raportimeve për marrëveshje të dyshimta financiare dhe përdorim të ndikimit politik për përfitime personale.

Agjentët amerikanë po shqyrtojnë prova që lidhen me aktivitetin e Guilfoyle, duke u përqendruar te dyshimet për konflikt interesi, transaksione financiare të diskutueshme dhe shfrytëzimi i lidhjeve politike për të favorizuar interesa private, shkruan Kathimerini.

Demokratët po shqyrtojnë periudhën e qëndrimit në Greqi të Kimberly Guilfoyle në Greqi, duke iu referuar pretendimeve për konflikte të mundshme interesi, transaksione financiare të dyshimta dhe përdorimin e ndikimit të saj politik për të favorizuar interesa private biznesi.

Ndër çështjet që raportohet se janë nën shqyrtim janë roli i lobistit Christos Marafatsos, i cili lidhet me rrethin e Guilfoyle, si dhe kontaktet dhe marrëveshjet e pretenduara të saj me kompaninë e ndërtimit AKTOR.

Kimberly Guilfoyle, ish-ambasadorja e SHBA-së në Greqi, është në qendër të një hetimi të zhvilluar nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së lidhur me pretendimet për marrëdhënie financiare, lidhje me figura të biznesit grek dhe përdorim të mundshëm të pozicionit të saj qeveritar për të çuar përpara interesa private. Këto akuza përfundimisht i kushtuan asaj postin e ambasadores.

Guilfoyle ishte një nga 12 personat që morën letra të publikuara nga kongresmeni demokrat Robert Garcia, anëtari më i lartë i pakicës në Komitetin e Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve, në emër të demokratëve të komitetit. Secilit prej tyre iu kërkua të ruante të gjitha dokumentet dhe komunikimet që lidhen me akuzat ndaj tyre. Mes marrësve të tjerë janë Donald Trump Jr., Eric Trump dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, shkruan Protothema.

Letra drejtuar Guilfoyle i referohet një kërkese të pretenduar për një pagesë prej 100 mijë dollarësh nga një donator republikan, në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës, si dhe akuzave që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetet e saj në Greqi.

Demokratët u referohen raportimeve në The Wall Street Journal dhe media të tjera, sipas të cilave Guilfoyle kishte lidhje me figura të pasura të biznesit grek, të cilat pretendohet se i kishin paguar udhëtimet. Letra përmend gjithashtu bashkëpunimin e saj të ngushtë me një lobist dhe ndërhyrjet e pretenduara që ajo kishte bërë pranë qeverive të Ballkanit, për të ushtruar presion që projektet t’i jepeshin një kompanie të caktuar.

Në letër, këto pretendime përshkruhen si akuza që janë ende nën hetim.

Sipas letrës, edhe përpara se Senati të konfirmonte emërimin e saj si ambasadore në Greqi, Guilfoyle dyshohet se ishte përfshirë në një marrëveshje me një donator republikan, nga i cili kishte kërkuar 100 mijë dollarë në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump.

I njëjti pretendim përfshin edhe premtimin për përfitime të ardhshme financiare, të cilat mund të arrinin deri në 1 milion dollarë.

Demokratët thonë se në këtë çështje dyshohet se ishte përfshirë edhe bashkëpunëtori dhe producenti i saj, Drew Lynch, dhe se ai dhe Guilfoyle ndihmuan për të vendosur donatorin në kontakt me zyrtarë të administratës.

Guilfoyle dha dorëheqjen nga posti i ambasadores në tetor, pasi shërbeu në Athinë për pak më pak se një vit. Dorëheqja e saj erdhi pas disa javësh raportimesh mediatike, sipas të cilave ajo kishte kërkuar pagesë nga një donator që mbështet presidentin amerikan Donald Trump, në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarët e administratës./Hashtag.al

Po ndodh...