Demokratët nisin hetimet ndaj ish-ambasadores amerikane në Greqi
Në qendër të një hetimi të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së është Kimberly Guilfoyle, ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi. Hetimi lidhet me akuzat për transaksione financiare, marrëdhëniet me biznesmenë grekë dhe dyshimet se ajo mund të ketë shfrytëzuar pozicionin e saj qeveritar për t’u shërbyer interesave private. Këto akuza, sipas raportimeve, i kushtuan në fund edhe postin e ambasadores.
Guilfoyle është njëra prej 12 personave që kanë marrë letra nga kongresmeni demokrat Robert Garcia, në emër të demokratëve në Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare. Në këto letra u kërkohet të gjithë personave të përfshirë të ruajnë çdo dokument dhe komunikim që lidhet me akuzat ndaj tyre.
Mes personave që kanë marrë këto letra janë edhe Donald Trump Jr., Eric Trump dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan.
Sa i përket Kimberly Guilfoyle, letra përmban referenca për një kërkesë për pagesën e 100 mijë dollarëve nga një donator republikan, në këmbim të sigurimit të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Gjithashtu, përmenden edhe akuza që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e saj në Greqi.
Demokratët u referohen raportimeve të Wall Street Journal dhe mediave të tjera, sipas të cilave Guilfoyle mbante marrëdhënie me biznesmenë të pasur grekë, të cilët dyshohet se financonin udhëtimet e saj.
Në letër përmendet gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë i saj me një lobist, si dhe ndërhyrjet e pretenduara pranë qeverive të vendeve të Ballkanit në favor të dhënies së kontratave për një kompani të caktuar.
Megjithatë, në dokument theksohet se bëhet fjalë për akuza që janë ende nën hetim dhe jo për shkelje të provuara të ligjit.
Sipas letrës, përpara se emërimi i saj si ambasadore në Greqi të konfirmohej nga Senati amerikan, Guilfoyle dyshohet se ishte përfshirë në një marrëveshje me një donator republikan, të cilit i kishte kërkuar 100 mijë dollarë në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump.
Në të njëjtën akuzë përmendet edhe një premtim për përfitime të ardhshme financiare, të cilat mund të arrinin deri në 1 milion dollarë.
Demokratët bëjnë me dije se në këtë çështje dyshohet të jetë përfshirë edhe bashkëpunëtori dhe producenti i saj, Drew Lynch, i cili, së bashku me Guilfoyle, pretendohet se ka lehtësuar kontaktet e donatorit me zyrtarë të administratës amerikane.
Mes personave të përmendur në këtë çështje janë edhe ish-drejtuesi i Shërbimit Amerikan të të Ardhurave (IRS), Billy Long, drejtori i FBI-së, Kash Patel, si dhe këshilltari ligjor i FBI-së, Sam Reimer.
Letra u referohet gjithashtu mesazheve me shkrim, të cilat janë shqyrtuar nga përfaqësues të demokratëve në Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare.
Sipas pretendimeve të përfshira në dokument, vetë donatori e kishte cilësuar marrëveshjen si një transaksion me përfitime reciproke, duke pretenduar se pagesa financiare ishte e lidhur drejtpërdrejt me aksesin që do t’i sigurohej pranë zyrtarëve të administratës amerikane.
Po ndodh...
Çfarë janë socialistët pa Ramën, "mut"?!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

