
Kush është Milorad Dodik? Dikur konsiderohej si një reformator që donte të udhëhiqte Republikën Srpska, sot në listën e zezë të SHBA

Milorad Dodik lindi në vitin 1959 në një familje fermere pranë qytetit të Banja Lukës në veriperëndim të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, e cila në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste. Ai studioi shkenca politike në kryeqytetin e atëhershëm jugosllav, Beograd dhe më pas punoi në një pozitë udhëheqëse në administratën e komunës së tij deri në vitin 1990.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990/91, Dodik u zgjodh deputet në Parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës. Atje ai angazhohej për bashkëjetesën e grupeve të ndryshme etnike dhe një të ardhme të përbashkët evropiane për Bosnjë-Hercegovinën. Kjo i dha atij reputacionin e një tradhtari në mesin e serbëve nacionalistë.
Në të njëjtën kohë, Dodik themeloi një fabrikë mobiljesh, por ajo shpejt dështoi. Kundërshtarët politikë ende e akuzojnë atë për kontrabandë cigaresh dhe karburantesh gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë nga viti 1992 deri në 1995. Këto akuza nuk u vërtetuan kurrë.
Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës, në fund të dhjetorit 1995, Dodik themeloi partinë e tij, të cilën e quajti Socialdemokratët e Pavarur (SNSD). Fillimisht, ai u dallua si një reformator në pjesën e mbizotëruar nga serbët e Bosnjë-Hercegovinës, “Republika Srpska” (RS).
Kundërshtarët e nacionalistëve
Në atë kohë, Dodik hodhi poshtë hapur politikat nacionaliste të Partisë Demokratike Serbe (SDS), e cila më parë kishte qeverisur RS. Ai mbrojti një Bosnjë multietnike dhe bëri thirrje publikisht për arrestimin e politikanëve sipresidenti i RS i kohës së luftës, Radovan Karaxhiq dhe komandanti ushtarak serb, gjenerali Ratko Mlladiq. Të dy u akuzuan për krime të rënda lufte dhe më vonë u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë.
Ky qëndrim ishte shumë i rrallë tek politikanët serbë në atë kohë. “Dodik ishte i guximshëm dhe pragmatik, gjë që e bëri atë të popullarizuar, veçanërisht me amerikanët,” thotë Tanja Topiq, vëzhguese politike nga Banja Luka, kryeqyteti i sotëm i RS. “Por sot ai feston të njëjtët kriminelë lufte si heronj kombëtarë dhe e përshkruan B-H si një krijesë të panatyrshme të komunitetit ndërkombëtar”.
Një shtet – dy “entitete”
Bosnjë-Hercegovina, e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit, me rreth 3.2 milionë banorë, është një shtet i decentralizuar. Ajo në thelb përbëhet nga dy njësi, të ashtuquajturat entitete: Federata e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është e populluar kryesisht nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë të Bosnjës, dhe Republika Srpska, e cila është e banuar kryesisht nga serbët e Bosnjës.
Përveç Presidencës Shtetërore prej tre anëtarësh, shteti ka një Parlament me dy dhoma. Të dy entitetet kanë secila edhe parlamentet dhe presidentët e tyre. Që nga viti 1996, ngjarjet politike në Bosnje janë monitoruar nga Përfaqësuesi i Lartë (HR) si përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar, i cili gjithashtu mund të ushtrojë njëfarë pushteti shtetëror. Për shembull, HR mund të shkarkojë politikanët që shkelin Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Që nga gushti 2021, HR është politikani gjerman i CSU-së, Christian Schmidt.
Me mbështetje masive nga Perëndimi, Dodik u bë kryeministër i Republikës Srpska, në 1998. Ai mori mbështetje edhe nga Serbia fqinje nën presidentin Slobodan Millosheviq.
Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright e vlerësoi Dodikun në atë kohë si “një frymë e pastër” dhe si një partner për stabilitetin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. “Ai udhëhoqi me mençuri RS-në nëpër kohë të vështira dhe ishte i përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik,” tha Albright. Ajo theksoi edhe rolin e Dodikut në pajtimin dhe përparimin në B-H.
Nga i dashur i të gjithëve, tek përçarës
“Vitet 1997/98 e deri në 2007 u shënuan nga një ndërhyrje e madhe ndërkombëtare në Bosnje,” shpjegon gazetari Zarko Markoviq nga Banja Luka. Ndërsa “Dodik ishte aq i çmendur sa të pranonte postin e kryeministrit në këtë kaos”. Kjo lloj çmendurie e përzier me një pjesë të madhe pragmatizmi e karakterizon sundimin e tij deri në ditët e sotme.
Por si u bë politikani i respektuar botërisht i politikani më i tmerrshëm i Ballkanit Perëndimor?
Dodik shërbeu si kryeministër i Republika Srpska nga viti 1998 deri në 2001. Ai e mbajti këtë detyrë përsëri nga viti 2006 deri në 2010. Më pas u bë president i RS. Por pasi fitoi pushtetin absolut në zgjedhje, ai ndryshoi kursin e tij dhe filloi fushatën për pavarësinë e Republikës Srpska. Shpesh fltet edhe për një referendum që do t’i siguronte atij legjitimitetin e nevojshëm.
Për herë të parë, ai mbajti një referendum për pavarësinë e Republika Srpska nga Bosnja në janar 2016 – edhe pse Gjykata Kushtetuese përgjegjëse në Sarajevë e kishte shpallur më parë votimin të paligjshëm. Rezultati nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm, por ai çimentoi autoritetin në njësinë “e tij” dhe tregoi aftësinë e tij për t’u përshtatur me rrethanat politike.
Dodik krijoi një rrjet aleatësh politikë që e lejuan të dominonte institucionet e RS, të shkatërronte opozitën dhe të ndërtonte një imazh për veten e tij si lideri i padiskutueshëm i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës. Në vitin 2018 ai u bë anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, e më pas përsëri president i Republika Srpska në 2022.
Që atëherë, Dodik ka ndjekur një politikë secesioniste dhe ka kërkuar bashkimin e Republika Srpska me Serbinë fqinje. Kjo çoi, ndër të tjera, në sanksione kundër tij nga SHBA dhe Britania e Madhe. Në të njëjtën kohë, ai forcoi marrëdhëniet e RS me shtetet me qeveritë kritike për BE-në si Hungaria, Serbiadhe Rusia, duke humbur kështu mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Përplasja e hapur me qeverinë qendrore të Bosnjë-Hercegovinës dhe komunitetin ndërkombëtar u zhvillua në vitin 2023. Në atë kohë, Dodik nënshkroi dy ligje që përcaktonin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të B-H dhe përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt nuk do të respektoheshin në Republika Srpska.
Për këtë, ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike nga Gjykata Federale e Bosnjë-Hercegovinës më 26 shkurt 2025. Por aktgjykimi nuk është ende i plotfuqishëm./DW

ide

A Nive o Bash!

Bindja absolute dhe jeta e përjetshme!

Europa, gropa dhe shpëtimtari!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128