SHBA rrit presionin ndaj Vladimir Putinit për të pranuar armëpushimin 30-ditor në Ukrainë!

12 Mars 2025, 16:40 / BOTA ALFA PRESS

SHBA rrit presionin ndaj Vladimir Putinit për të pranuar

Kryediplomati i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, Marco Rubio i ka kërkuar Vladimir Putinit që të pajtohet me armëpushim 30-ditor në Ukrainë.

Një ditë pas dakordësimit SHBA-Ukrainë për armëpushimin 30-ditor, Kremlini tha se po studion propozimin, por theksoi se nuk do të pajtohet me asgjë derisa të dëgjojë këndvështrimin e plotë nga SHBA.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, dha sot detaje të tjera në lidhje me bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, duke zbuluar se janë diskutuar ‘koncesionet territoriale sipas çdo marrëveshjeje paqeje’.

Ai tha se SHBA shpreson të ketë një përgjigje pozitive për armëpushimin nga Rusia, duke shtuar se do t’i kërkonte Vladimir Putinit t’i jepte fund armiqësive “kështu që njerëzit të ndalojnë së vdekuri, dhe që plumbat të pushojnë së fluturuari”.

SHBA do të ketë kontakte me Rusinë sot, por nuk e di ende se cili është reagimi i Moskës ndaj armëpushimit të propozuar, thotë Rubio.

“Nëse [Rusia] thotë jo, do të na tregojë shumë për qëllimet e tyre dhe çfarë mendësie kanë,” tha ai.

Ai shtoi më tej se “ky konflikt nuk ka zgjidhje ushtarake. Asnjëra palë nuk mund të arrijë ushtarakisht qëllimet e saj”.

“Ne po shikojmë të sigurojmë sigurinë afatgjatë të Ukrainës – çfarë kuptimi ka të shpenzojmë gjithë këtë kohë për të arritur një armëpushim dhe një fund të negociuar të luftës për të parë që ajo të ndizet përsëri pas gjashtë vjetësh, katër vjetësh, tre vjetësh? Ne nuk jemi të interesuar për këtë”, tha Rubio.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128