Shefi i ushtrisë izraelite: Jemi gati të rifillojmë sulmet ajrore ndaj Teheranit

14 Qershor 2025, 13:08 / BOTA ALFA PRESS

Shefi i ushtrisë izraelite: Jemi gati të rifillojmë sulmet ajrore

Ushtria izraelite është gati të rifillojë sulmet ndaj objektivave në kryeqytetin e Iranit, Teheran, tha të shtunën kreu i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

“IDF po vepron sipas planeve të saj operacionale dhe avionët luftarakë të IAF (Forcave Ajrore Izraelite) janë gati të rifillojnë sulmet ndaj objektivave në Teheran”, thanë të shtunën Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, Eyal Zamir, dhe Shefi i Forcave Ajrore, Tomer Bar, në një vlerësim të situatës.

Kujtojmë se Teherani kreu një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se ushtria e tij do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit.

Raketat iraniane — dhe kundërajrorët nga sistemi i mbrojtës izraelite “Kupola e Hekurt” — e ndriçuan qiellin mbi Tel Aviv pas mesnatës. Disa raketa ranë dhe shpërthyen në ndërtesa. Haifa dhe Jerusalemi u sulmuan gjithashtu, thanë zyrtarët ushtarakë.

Të paktën tre njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet iraniane, sipas zyrtarëve të emergjencës.

Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e së shtunës se po godiste dhjetëra raketahedhës në Iran, pasi paraprakisht e kishte shënjestruar mbrojtjen ajrore iraniane në rajonin e Teheranit.
Përfaqësuesi i Iranit në OKB deklaroi se 78 njerëz u vranë dhe mbi 320 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite.

Televizioni shtetëror raportoi të shtunën se rreth 60 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, u vranë nga një sulm izraelit mbi një kompleks banimi në Teheran.

Liderët ndërkombëtarë kanë dënuar dhunën, por gjithashtu kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin të bëjë marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”, dhe Shtëpia e Bardhë tha se forcat tokësore amerikane kanë ndihmuar Izraelin për t’i rrëzuar raketat iraniane gjatë dy valëve të para.

Më herët, gjeneral izraelit Effie Defrin deklaroi se të dyja valët e raketave të premten përbëheshin nga rreth 100 raketa secila, “shumica e të cilave” u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

 

Po ndodh...

ide