Vuçiç: Do gjejmë banka private që do të marrin licenca për t’iu dërguar para njerëzve tanë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për anulimin e dinarit serb, është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga viti 1999, dhe se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.
“Në secilin prej atyre akteve, është e drejtë e Serbisë të financojë aktivitete të caktuara, shëndetësi, arsim, pensione”, ka thënë Vuçiq të premten në një konferencë për media.
“Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se euroja është valuta e vetme me të cilën mund të kryhen pagesa me para të gatshme.
Vendimi ka hyrë në fuqi, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.
Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.
Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovëpër vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.
Në konferencë për media, Vuçiq ka thënë se do të bëjë gjithçka që serbët në Kosovë t’i marrin sërish të ardhurat e tyre.
Presidenti serb ka thënë se deri në mesditën e së premtes, për serbët në Kosovë janë ndarë më shumë se 5 milionë euro për përfitime të ndryshme.
Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë zgjidhje se si t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë.
Kur foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.
Vuçiq ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
Disa ia kanë vënë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë.
“Banka Popullore e Serbisë nuk do të bisedojë me BQK-në”
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes BQK-së dhe Bankës Popullore të Serbisë për të arritur marrëveshje për pagesat për serbët në Kosovë.
Mirëpo Vuçiq e ka hedhur poshtë këtë mundësi.
“Ne do të gjejmë një zgjidhje. Nëse është e nevojshme, do të gjejmë banka private që do të marrin licenca gjithsesi, do të gjejmë zgjidhje për t’ua ndarë paratë njerëzve tanë”.
Sipas tij, Banka Popullore e Serbisë do t’i përmbahet ligjit dhe se Serbia do të japë informacione për vendimin përfundimtar për këtë çështje, por “prioritet do të jetë transporti dhe dërgimi i parave në Kosovë.”
Mes tjerash, Vuçiq ka paralajmëruar që Serbia do të kërkojë seancë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të hënën, më 5 shkurt.
Pse u miratua rregullorja pikërisht tani?
Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur ditë më parë integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.
Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”.
Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.
Çfarë duhet të bëjnë serbët tani?
Qytetarët serbë në Kosovë do të duhet të hapin llogari në bankat komerciale që janë të lincencuara prej BQK-së.
Shteti serb mund t’ua nisë atyre paratë në dinarë, mirëpo ato duhet të konvertohen gjatë rrugës në euro.
Për hetimet pas incidentit në Banjskë
I pyetur për rastin e Banjskës, Vuçiq ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se në kohën e duhur do të paraqiten aktakuzat.
Në shtator të vitit të kaluar, Policia e Kosovës është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb.
Si pasojë e sulmit është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Më pas, në shkëmbim e sipër të zjarrit, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Agjencia Ndërkombëtare e Policisë [INTERPOL] ka lëshuar fletarrestim kundër tij.
Kosova e akuzon Serbinë për sulmin në Banjskë, ani pse Beogradi i mohon të gjitha akuzat.
Ndonëse është akuzuar për disa vepra, Radoiçiq aktualisht është i lirë prej autoriteteve serbe, me kushtin që të mos shkojë në Kosovë./REL
-
-
-
Milani në kërkim të një sulmuesi, dy emra në krye të listës
2 Shkurt, 15:52 -
Sali Berisha pa Lulzim Bashën është i njëjti si në vitet 97-98!
ide
Mosbindje civile e PD, ndaj Sali Berishës
Alter ego e udhëheqësve të Shqipërisë: Banditi
Sikur Berisha të mos kishte ‘Mizën nën Kësulë’
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128