Rama dhe Berisha “rrëzohen” nga rasti Dodik

30 Janar 2026, 12:21 / EDITORIAL NGA BATON HAXHIU

Rama dhe Berisha “rrëzohen” nga rasti Dodik

Në diplomaci, pamja shpesh ngatërrohet me thelbin. Javën e kaluar, në Jerusalem, kjo ngatërresë u bë veçanërisht e dukshme për Ballkanin dhe për Shqipërinë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e paraqiti vizitën e tij në Izrael si dëshmi se ai është udhëheqësi shqiptar, madje një nga të rrallët në rajon, që është pritur me nivelin më të lartë shtetëror. Në një rajon ku simbolika diplomatike shpesh shërben si zëvendësim për llogaridhënien e brendshme, ky pretendim u përdor për të forcuar një narrativë pushteti dhe legjitimiteti ndërkombëtar.

Por faktet e së njëjtës javë e zbehin këtë histori.

Në të njëjtin qytet, në Jerusalem, Milorad Dodik— lideri serb i Bosnjës dhe një figurë e sanksionuar deri para pak kohësh nga Shtetet e Bashkuara dhe ende nga Britania e Madhe dhe disa vende europiane, për minimin e rendit kushtetues dhe nxitjen e ndarjeve etnike— u prit me ceremoni zyrtare nga kreret më të lartë të shtetit dhe u nderua në vetë parlamentin izraelit, Knesset. Ai mori dekoratën “Jabotinsky për Lirinë”, një çmim i ngarkuar me simbolikë politike dhe ideologjike, i dhënë për ndërtimin e marrëdhënieve dhe aleancave strategjike.

Për Dodikun, tashmë një individ pa pushtet kjo ishte një skenë legjitimiteti ndërkombëtar, në një moment izolimi perëndimor dhe kur ishte detyruar të largohej nga posti i presidentit pasi SHBA i zbuti disa sanksione. Për publikun rajonal, ishte një mesazh i qartë: Sanksionet nuk e përjashtojnë gjithmonë një lider nga skena ndërkombëtare dhe ceremonitë nuk janë domosdoshmërisht, një gjykim moral.

Rama dhe iluzioni i ekskluzivitetit

Vizita e Edi Ramës ishte, pa dyshim, e nivelit të lartë por ato nuk përbëjnë provë se një lider është më i pranuar, më i besuar apo më legjitim se të tjerët. Dhe sigurisht nuk janë dëshmi se dekoratat përkthehen automatikisht në standarde më të larta demokratike brenda vendit.

Kur një lider i sanksionuar si Dodik mund të marrë një pritje parlamentare dhe një dekoratë politike, pretendimi se ceremonitë diplomatike janë matësi i vetëm i reputacionit bie.

Rasti Dodik rrëzon Ramën dhe Berishën njëkohësisht

Në këtë kontekst, rasti Dodik shndërrohet në një pasqyrë të pakëndshme jo vetëm për Ramën, por edhe për Sali Berishën.
Si Dodik ashtu edhe Berisha janë shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore:
Dodik për minimin e Dejtonit, nxitjen e tensioneve etnike dhe korrupsionin sistemik.
Berisha për korrupsion madhor, keqpërdorim pushteti dhe mbrojtje të interesave familjare, sipas deklarimit zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Por këtu mbaron ngjashmëria.
Nën presion ndërkombëtar, Dodik ka pranuar marrëveshje politike, është tërhequr nga disa pozicione konfrontuese dhe ka sinjalizuar largim gradual nga politika, duke pranuar realitetin e izolimit.
Në kontrast të plotë, Berisha:
Refuzon çdo përgjegjësi,
sulmon SHBA-në, BE-në dhe drejtësinë shqiptare,
mban peng Partinë Demokratike,
dhe e përdor opozitën si mburojë personale kundër një procesi penal që e prek drejtpërdrejt.
Nëse Dodik u tërhoq për të mos fundosur më tej entitetin që përfaqëson, Berisha vazhdon të fundosë opozitën dhe jetën politike shqiptare për hallin e tij personal penal.

Rasti Dodik rrëzon njëherësh dy mite: Mitin e Ramës për ekskluzivitetin e “pritjes më të lartë” dhe mitin e Berishës se sanksionet nuk kanë pasoja. Ai dëshmon se propaganda politike mund të funksionojë përkohësisht, por bie sapo përplaset me faktet.
Dhe faktet, këtë herë, flasin qartë./Alfapress.al

Po ndodh...

ide