Skizofrenia e një procedure. Përse Partia Demokratike edhe organizon zgjedhje edhe nuk do zgjedhje?

8 Maj 2026, 11:08 / IDE NGA ARTAN FUGA

Skizofrenia e një procedure. Përse Partia Demokratike edhe organizon

Ka një zhurmë të tmerrshme mediatike për procedurën e ashtuquajtur “të zgjedhjes” së kryetarit të PD.

Ka media që çdo kandidat që del e ngre në qiell, ndërkohë që jo të gjithë janë automatikisht të tillë. Tjetër është e drejta për të kandiduar, tjetër është performanca e kandidatëve. Ndërkaq lidershipi i PD ka hyrë në një vorbull frike dhe ankthi sikur çdo kandidaturë do ta rivalizojë fort me vota kryetarin tradicional të partisë.

Kështu e sjell ngurtësimi i dinamikave në lidership dhe këtu nuk e kam fjalën për kryetarin, thjesht, por edhe për kryesinë, deputetët, etj.

Jo sepse personalisht mund ta rivalizojnë doktor Berishën, por sepse baza e partisë duke dashur sa më shumë liri, duke parë se ka sforcim për të penguar kandidaturat rivale, duke qenë në pakënaqësi të thellë për statusin e vet opozitar përballë deputetëve “pashallarë” dhe “pashallare” që me disa vargje në foltoren e Kuvendit ja çojnë dyst jetën, sikur të ishin deputetë të kohës së monizmit, mund t’i japin vota dhe një njeriu prej kashte.

Thjesht për të sfiduar lidershipin. Të humbur që të humbur – thonë – jemi. Hajde bëjmë një gjest!

Kandidatura prej kashte ose byku që mund të vihet mund të marrë edhe 30 përqind të votave. Pra, nuk ndryshon gjë në drejtim, por krijon një shqetësim. Ky 30 përqindsh pastaj do të kërkojë përfaqësim dhe partia do të jetë e detyruar të njohë fraksionet, çka e çon në brigje të rrezikshme shkëmborë që me kulturën që ka nuk e përballon dot.

Pasi i thamë të gjitha këto, vemë gishtin te pika manipuluese që sjell vërdallë të gjithë opinionin publik.

Ja pyetja që njeriu me tru në kokë, ose që nuk është maskara duhet të bëjë: Po pse vetëm PD nuk bën dot zgjedhje?

Pse vetëm Sali Berisha nuk do kandidatura përballë tij?

A nuk e përjashtoi postin e kryetarit nga procesi zgjedhor Partia Socialiste, duke thënë se gjoja një kryeministër nuk votohet dot kur është fjala për postin e kryetarit të partisë? Qesharak si argument, por u përdor nga spinofistët e PS dhe mirë a keq u gëlltit dhe u harrua.

Pa shihni një çikë këto partitë e vogla të vjetra, 40 vjeçare, dhe të reja, a bëjnë vërtet zgjedhje për kryetarët? Kemi kryetarë që qëndrojnë prej disa dekadash në krye. Një Zot e di se çfarë votohet aty. Po në shoqata jo fitimprurëse, gjoja në shoqërinë civile, a bëhen zgjedhje për kryetarë dhe kryetare? Për këto dhe këta pra që kërkojnë zgjedhje në PD, a bëjnë zgjedhje te OJF e tyre apo i kanë si fabrika prodhimi parash që i përvetësojnë pa matur asnjë kontribut në shoqëri?

Pra, mos i kërkoni PD të bëjë atë që shoqëria shqiptare nuk e ka akoma kulturë që ta bëjë.

Udhëheqësi në Shqipëri riprodhon pa qenë sigurisht imazhin e Zotit, të prijësit, të bajraktarit.

Në PD si duket mendohet: Ne duan të na e hedhin këta maskarenj? Ata vetë nuk e kanë kulturën e zgjedhjes, kurse ne na e kërkojnë! Hipni këtu dhe shihni Stambollin!

Por këtu fillon edhe drama dhe tragjedia e demokracisë shqiptare.

Prej këtyre mentaliteteve ne kemi klasën politike më të vjetër në Evropë, ndoshta në botë. Zgjedhjet te ne kurrë nuk ka pasur humbës t’i ketë pranuar me ndonjë përjashtim kontekstual dhe rastësor.  Kjo është arësyeja që ne kemi klasën më të pasur politike në botë, në krahasim me gjendjen financiare të qytetarëve.

Vazhdojmë me dramën tragjike. Pikërisht PD duke mos e ngrënë “koqen e ullirit” që i propozojnë, bën atë që është gangrena e saj. Me fjalë është kundër PS, kurse si kulturë, procedura, organizim, mentalitet, opozita dhe pushteti janë njësoj.

Ju nuk e zgjidhni kryetarin as ne nuk e zgjedhim!

Shumë pragmatiste, duartrokitje miq e shokë! Por, ju jeni njësoj si ata në këtë pikë! Ky është mesazhi që jepni.

Sociologjikisht, ajo që ve re është se kandidaturat e dala dhe që “kërkojnë formularin”, vijnë nga askurkundi. Në ç’kuptim që të mos i fus të gjitha në një torbë! Dmth ose janë të panjohura për publikun, ose nuk vijnë nga radhët e elitës drejtuese të partisë, ose kanë humbur gjithçka si status politik dhe tani luajnë “të gjitha për të gjitha”. Sjellje tepër racionale nga ana e tyre, por në plani etik dhe parimor ka sigurisht shumë “ujë në varkë”!

Do të prisja nga radhët e deputetëve të PD ose nga ata që janë në kryesi, a në Këshill të kandidonin. Do të ishte e natyrshme. Do të prisja të paktën të shpreheshin për çështjen kaq serioze që gërryen. Por, ata nuk ndihen. Nuk duan alternativë. Nuk prishin ujërat e ndejtura. E kam gabim? Hë pra ku janë? Por, kur duhej një kandidat për kryetar të Bashkisë në Tiranë a në qytete të tjera ku ishin? Strukën kokën në mënyrë të turpshme, askush nuk doli, aq sa partia nuk gjente dot kandidat.

Ata s’flasin sepse një shumicë e tyre kanë “kalë beteje” pikërisht heshtjen. Heshtje ju ka sjellë statuse, parà, benefice, privilegje, prandaj vegjetojnë në kurriz të elektoratit.

Problemi nuk është thjesht te Sali Berisha, por te një lidership, i cili pranon statukuonë, humbjen, statusin monopol të gjoja opozitarit, në shkëmbim të privilegjeve.

Ta shihni se çfarë do thonë për doktorin, këta njerëz pas disa viteve!

Heshtin! Askush nuk i nget. Heshtin!

Në fund, ajo që kam thënë gjithmonë! Zgjedhja e kryetarit drejtpërdrejt nga baza e partisë që e kanë të gjitha partitë te ne nuk është një mekanizëm demokratik sikurse na e shesin. Absolutisht jo! Është logjika e “Fyhrerit” që anashkalon strukturat. Si PS edhe PD paguajnë haraçin e zgjedhjes së liderit nga turma e paidentifikuar!

Gabimi i PD është edhe taktik. Kur s’do dhe nuk bën dot zgjedhje, si edhe të tjerët, përse i hyn kot këtij procesi diskreditues?! Thuaj që kryetari është tradita dhe shtylla e Partisë, sa kohë doktor Berisha është aktiv, dhe me kaq e mbyll çështjen! Shumë më mirë se të hysh në një skizofreni shkatërruese, që edhe thua se bën zgjedhje edhe nuk do zgjedhje!

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 16:37 EDITORIAL

Sali Llapa

Nga Bato Kosova