Simbioza e sheshit me drejtësinë: Aleanca strategjike e protestës me SPAK si kusht për përmbysjen e kastës dhe krimit të jakave të bardha!

Në peizazhin e sotëm politik shqiptar, artikulimi i një aleance të qartë dhe të dukshme me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) përbën një domosdoshmëri strategjike për lëvizjen qytetare. Përballë një regjimi të konsoliduar, çdo përpjekje e sinqertë për rrëzimin e qeverisë së megakorrupsionit dhe pastrimin e klasës së korruptuar politike varet plotësisht nga mbështetja që protesta duhet t'i ofrojë këtij institucioni të drejtësisë.
Sfida më e madhe e shoqërisë sonë sot nuk është thjesht korrupsioni administrativ, por krimi i organizuar i jakave të bardha, i cili ka depërtuar në nivelet më të larta të klasës politike, duke përdorur ligjin dhe institucionet si mburojë për aktivitetin e tij kriminal.
SPAK-u, si një investim jetik i amerikanëve dhe europianëve — apo e thënë ndryshe, i faktorit euroatlantik — ka nevojë për mbështetjen popullore që të funksionojë me kapacitet të plotë kundër kësaj elite të paprekshme.
Në mënyrë që protesta të arrijë qëllimin e saj final, ajo duhet të zyrtarizojë këtë bashkim dhe të shërbejë si "karburanti" i brendshëm motorrik që vë në lëvizje dhe mbron mekanizmin e drejtësisë së re.
Për të kuptuar peshën e këtij unioni, është e rëndësishme të kujtohet se SPAK-u u krijua me 140 vota të Kuvendit të Shqipërisë, nën presionin e atëhershëm të jashtëzakonshëm të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Megjithatë, realiteti politik që pasoi nxori në shesh tre armiqtë kryesorë të kësaj strukture.
I pari që e kundërshtoi hapur ishte Sali Berisha, e më pas në të njëjtën linjë u rreshtua edhe Ilir Meta. Nga ana tjetër, Edi Rama, duke menduar fillimisht se SPAK-u nuk do ta prekte atë dhe Partinë Socialiste, bënte sehir nga lart dhe mburrej në opinionin publik se kjo strukturë ishte një krijesë ekskluzive e PS-së. Ky qëndrim ndryshoi rrënjësisht në momentin që "krijesa" institucionale ktheu fokusin te kupola e partisë në pushtet dhe arrestoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Kjo ngjarje bëri që Rama të kuptonte se ky krim i jakave të bardha që ai udhëhiqte nuk mund të paketohej më si sukses politik dhe se SPAK-u nuk ishte nën kontrollin e tij, por i përkiste dizajnit gjeopolitik euroatlantik.
Ky mutacion i kapjes së shtetit nuk është më një fenomen i izoluar në zyrat qëndrore të kryeqytetit. Sot, pushteti lokal ka pësuar një degradim total, ku gati gjysma e bashkive të Shqipërisë janë kthyer de facto në zona krimi, të administruara nga celula që funksionojnë me logjikë mafioze për pastrimin e parave dhe tjetërsimin e pronave publike.
Ky rede kapilar i korrupsionit lokal ushqehet nga e njëjta frymë që ka infektuar vetë Kuvendin e Shqipërisë, i cili nga një tempull i ligjvënies është shndërruar në një strehë politike për mbrojtjen e krimit institucional.
Kur bashkitë dhe parlamenti funksionojnë si mburoja të koordinuara për pushtetarët e korruptuar, lufta e SPAK-ut bëhet asimetrike dhe kërkon emergjentisht zgjimin e sheshit si kundërpeshë demokratike.
Ky ndryshim perceptimi dhe frika nga humbja e kontrollit solli edhe reagimin agresiv të ekzekutivit i cili vet' është zonë krimi.
Fillimisht, kryeministri bëri deklarata prej të "forti" kundër SPAK-ut, por degradimi institucional arriti kulmin kur kjo strukturë e drejtësisë kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të hiqte imunitetin e Belinda Ballukut.
Në këtë pikë, Rama i doli hapur kundër organit të akuzës, duke e rrëzuar kërkesën e SPAK-ut përmes kartonave "mavi" të krimit në parlament.
Në gjithë këtë panoramë historiko-politike, tre brinjët e të ashtuquajturit "Trekëndësh i Bermudës" nuk janë të vetme në luftën e tyre të egër për asgjësimin e SPAK-ut; mbështetja kryesore e këtij trekëndëshi janë oligarkët, të cilët po ashtu kanë filluar të goditen nga hetimet e prokurorisë së posaçme të cilët presin radhën.
Prandaj, suksesi i protestës për përmbysjen e kësaj klase të korruptuar është i lidhur pazgjidhshmërisht me një aleancë të hapur e të zyrtarizuar me SPAK-un, si e vetmja rrugë për të thyer frontin e përbashkët të politikës së vjetër, krimit të jakave të bardha dhe oligarkisë dhe grupeve të strukturuara kriminale që kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit!
Në të kundërt, nëse kjo aleancë nuk afishohet qartë në shesh, kasta e korruptuar do të vazhdojë të fshihet pas kartonave mavi të kuvendit, zyrave të krimit nëpër bashki dhe kullave të oligarkisë e vulaxhinjëve të opozitës së shitur, të bindur se mund ta bllokojë drejtësinë përgjithmonë.
Por kohërat kanë ndryshuar dhe llogaritë e tyre nëpër zyra po rezultojnë të gabuara.
Ndërsa treshja e politikës së vjetër bashkon forcat me monopolet ekonomike për të ngritur mure mbrojtëse, historia ka treguar se krimi i jakave të bardha i ka ditët e numëruara.
SPAK-u mund të vonojë nëpër procedura e dosje, por asnjëherë nuk harron.
Ndaj, zotërinjtë e pushtetit qendror dhe lokal bëjnë mirë të mbajnë vesh, sepse shumë shpejt, pikërisht atëherë kur të mendojnë se e bllokuan drejtësinë në parlament, do të dëgjojnë trokitjen e prerë në zyrat e tyre:
Tak-tak, hape derën, jam SPAK
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128