E "shkreta" Ina Zhupa!

28 Maj 2024, 14:42 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

E "shkreta" Ina Zhupa!

Ndërkohë që fundjavën që shkoi kanë vazhduar zgjedhjet për kryetarë në degët e Rithemelimit, të  nisura pas bashkimit me të ashtuquajturin grup të Gazment Bardhit, (Sepse edhe aty janë bërë bërë aktualisht kashtë e koqe), duket se përçarja në këtë lëvizje sa vjen dhe thellohet.

Me një pjesëmarrje të ulët prej rreth 30%, në degën e Sarandës, pas votimeve, kryetare e Rithemelimit u rizgjodh Manjola Cikuli Nikollo. Ajo njihet mes demokratëve në Jug, si fanatike e Sali Berishës dhe është e pozicionuar te ai grup i cili ka bindje të hapur, se e vetmja luftë që duhet të bëjë Rithemelimi është mbrojtja e liderit Sali Berisha, i cili përveç hallit të "nongratave", po përballet familjarisht edhe me drejtësinë.                                                       

Kështu  "puna e parë" që bëri kryetarja e rizgjedhur e Rithemelimit në Sarandë  ishte sulmi publik ndaj deputetes së tyre, Ina Zhupa, e cila kërkonte rinovim të lidershipit të degës. I kujtuan në faqen e Degës në FB, se nuk ja harrojnë që në fillimet e Foltores, ajo nuk ishte me Berishën dhe nuk ju dorëzoi zyrën e degës në Sarandë.

Po këtë të martë, edhe anëtari i Këshillit Kombëtarë të Rithemelimit, Myslim Murrizi, i ka dërguar një letër të hapur deputetes Ina Zhupa, nëpërmjet të cilës e bën "copë-copë". Ai duke mbrojtur kryetaren e rizgjedhur të Rithemelimit në Sarandë, kujton se ajo, (kryetarja e rizgjedhur), i është bashkuar që në fillim Berishës në betejën e tij pas “nongratës” amerikane dhe vendimit të Lulzim Bashës për ta larguar nga grupi parlamentarë, kurse Ina Zhupa, në atë kohë helmonte foltoristët me gaz, gjatë sulmit të dhunshëm të Foltores për të pushtuar selinë e  PD.               

E "shkreta" Ina Zhupa, kujtonte deri dje se duke mbrojtur Butrintin, ishte duke bërë më së miri punën si deputete e opozitës!        

Por nuk ka pse të trishtohet dhe as të alarmohet. Ajo është armiku më i ri, por edhe shumica e deputetëve në atë grup janë piketuar që të shpallen “armiq” njësoj si ajo dhe kjo është çështje ditësh. Testi përfundimtar, nis pas gjyqit për "Vulën" në Gjykatën e Apelit më 11 qershor, ndaj koha nuk pret për ata që mendonin deri më tani se ka pasur edhe betejë për demokratët dhe kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës, përveç asaj personale-familjare të Berishës. 

Por gjithsesi Ina e mori mesazhin këto ditë. Pas saj edhe të tjerët, "as mish as peshk", përkundrejt qëndrimit ndaj Perëndimit dhe SPAK. E kanë ende një mundësi të fundit: Sa herë që flasin në parlament apo në studio televizive, (Si për skandalin e Butrintit përshembull, apo problematikat ekonomike të Tabakut), në mes dhe sidomos në fund të diskursit, mjafton të thonë: Regjimi i Ramës që kontrollon organizatën kriminale SPAK, mban në burg politik Liderin, Legjendën e PD dhe të gjithë opozitës!                           

Kaq “pak” u kërkohet, por duhet të reflektojnë urgjent. Mundësisht që sot. Sepse kushdo po e sheh që e "ka marrë ferra uratën" për Rithemelimin dhe vetë Berishën dhe duhen shtrënguar rradhët: O me ne o armiq, rrugë të mesme nuk ka!

Nuk janë "budallenj" Agron Gjekmarkaj, Tomorr Alizoti e ca të tjerë. Të gjithë të vonuarit në Rithemelim, e dinë mirë se çfarë do të thotë të futesh në gojën e komisarëve të Berishës dhe militantëve të "magjepsur" pas tij.                     

Deputetja demokrate e Rithemelimit Zhupa, në kohën kur Berisha shpalli luftë kundër SHBA dhe Partisë Demokratike e Lulzim Bashës, fillimisht u pozicionua qartë pro vizionit euroatlantik dhe antikorrupsion të PD, si shumica e grupit parlamentarë aktual të Rithemelimit.

Por rrugës pas zgjedhjeve të pjesshme të 8 marsit 2022, "papritur", ajo u rreshtua me lëvizjen e Berishës. Alibia, e Zhupës, (që e kanë përdorur më pas edhe shumë kolegë të saj), në atë kohë për këtë kapërcim pindarik ishte se, "ndoqa vullnetin e shumicës së bazës së PD".

Që atëherë Ina Zhupa ka qenë një deputete shumë aktive e Rithemelimit, por për hir të së vërtetës ky aktivitet, nuk ka pasur shumë lidhje të drejtpërdrejtë me hallet personale të Berishës me drejtësinë dhe as me luftën kundër SPAK, GJKKO dhe "imperialistëve" amerikanë dhe britanikë, të cilët fusin hundët në punët e brendshme të PD dhe Shqipërisë.                   

Betejat e saj politike janë përqendruar sidomos në parlament, ku ka spikatur më së shumti për çështje me interes të madh publik e kombëtarë, si ajo për "shitjen" e Parkut të Butrintit, etj.

Duke qenë se deputetë të "stilit perëndimorë" si Zhupa dhe më pas të "species" Bardhi, Sali Berishës, i shërbenin si masketa "shumice", atyre deri më tani ju lejohej të mos trajtonin si armiq ambasadorë e zyrtarë të lartë perëndimorë, si dhe SPAK-GJKKO. Por tani loja ka mbaruar.

Ata duhet të pozicionohen hapur në kauzën e vërtetë, për të cilën lindi Foltorja dhe u krijua Rithemelimi: Mbrojtja e Berishës dhe familjes së tij biologjike. Tani nuk mban më ujë pilafi dhe nuk ka më kohë për lojëra me mirazhe të tipit "të bashkuar në diversitet dhe mendim ndryshe". Të gjithë dhe veçanërisht deputetët demokratë të rreshtuar te Rithemelimi, duhet të artikulohen qartë dhe publikisht, se e gjithë lufta bëhet vetëm për fatin e Berishës dhe çdo armik i tij, duhet të jetë armik i çdo rithemelmsi. Kjo është tashmë detyrim përcaktim. 

Ndaj jo vetëm Ina Zhupa, por edhe "diversët" e Gaz Bardhit që ju bashkëngjitën së fundmi Rithemelimit, nuk kanë më rrugë të mesme: Ose duhet të veshin bluzat, (mundësisht edhe kur të flenë), me portretin e Berishës ku shkruhet, "Lironi Liderin", ose të shtrëngojnë dhëmbët dhe të durojnë sulmet dhe linçimet publike, të cilat sapo ju kanë nisur. 

Kanë në fakt edhe një zgjidhje të tretë: Të kthehen te partia  mëmë euroatlantike dhe pro drejtësisë nga ikën të joshur për 1000 arsye, por kryesorja sepse dëgjuan me naivitet sirenat mashtruese për një kauzë që nuk ka ekzistuar kurrë.   

Përveç asaj të mbrojtjes së Berishës nga demaskimi që i bëri Perëndimi dhe keq-përdorjen më pas të Inës me shok e shoqe, si mburojë ndaj drejtësisë së re!/Alfapress.al

Po ndodh...