Pas 12 vitesh në kampin e ferrit në Siri, Eva Dumani rikthehet në Tiranë. Ribashkohet me nënën dhe vëllain

14 Shkurt 2026, 17:03 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Pas 12 vitesh në kampin e ferrit në Siri, Eva Dumani rikthehet në

Pas 12 vitesh larg atdheut dhe një kalvari të gjatë në Siri, Eva Dumani është rikthyer në Shqipëri, duke u ribashkuar me nënën dhe vëllain e saj në Tiranë. Ajo ishte vajza e fundit shqiptare e mbetur në kampin famëkeq Al Hol, në veri të Sirisë.

21-vjeçarja mbërriti më 14 shkurt në aeroportin e Rinasit, në një operacion ku u përfshinë strukturat e Anti-terrorit në Policinë e Shtetit. Më herët, ajo ishte nxjerrë ilegalisht nga Siria drejt Turqisë me ndihmën e xhaxhait të saj.

U largua 9 vjeçe, u kthye 21 vjeçe

Historia e Evës nis në vitin 2014, kur ishte vetëm 9 vjeç. Babai i saj, Shkëlzen Dumani, e mori bashkë me të vëllanë 7-vjeçar me pretendimin për një udhëtim fundjave në Mal të Zi. Ai kishte kërkuar prokurë nga bashkëshortja për të nxjerrë fëmijët jashtë Shqipërisë.

Por udhëtimi rezultoi të ishte vetëm hapi i parë drejt Sirisë. Pasi kaloi nga Stambolli, ai iu bashkua frontit të luftës. Vite më vonë, babai i tyre u vra në konflikt, duke lënë dy fëmijët të vetëm në një zonë lufte.

Pas vitit 2019, Eva dhe i vëllai përfunduan në kampin Al Hol, ku strehoheshin dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e Shtetit Islamik.

Operacioni i vitit 2020: U kthye vetëm i vëllai

Më 26 tetor 2020, qeveria shqiptare ndërmori një operacion të vështirë riatdhesimi për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Në atë operacion u kthye në Shqipëri vetëm vëllai i Evës, Endri Dumani, atëherë 13 vjeç, së bashku me katër anëtarë të familjes Rasha.

Eva mbeti në kamp. Në atë kohë u raportua se ajo ishte fshehur dhe nuk kishte pranuar të kthehej, por ky informacion nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht.

Përpjekje shumëvjeçare për ta nxjerrë nga Siria

Pas viteve të tëra përpjekjesh nga familjarët, daja i saj arriti ta nxirrte Evën nga kampi dhe ta kalonte përtej kufirit Siri–Turqi rreth dy javë më parë. Më pas, me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, ajo u rikthye përfundimisht në atdhe.

Rikthimi i saj shënon fundin e një ndarjeje 12-vjeçare nga e ëma dhe 6-vjeçare nga i vëllai, i cili sot është 19 vjeç.

Gjatë qëndrimit në kamp, familja e Evës përjetoi edhe një tjetër humbje të rëndë. Gjyshja e saj, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë me shpresën për të marrë nipërit, mbeti e bllokuar në kampin Al Hol dhe ndërroi jetë atje.

Rikthimi i Evës në Shqipëri mbyll një kapitull të dhimbshëm për familjen Dumani, ndërsa tashmë ajo do të përballet me sfidën e një jete të re pas më shumë se një dekade në një nga kampet më të rënda të Lindjes së Mesme.

Po ndodh...