Rrugët po flasin!

24 Shkurt 2026, 19:53 / POLITIKË NGA ERMAL PEçI

Rrugët po flasin!

Në Shqipëri pushteti flet çdo ditë. Flet me konferenca, me dronë, me video 3D, me fjongo që priten para se të thahet asfalti edhe betoni. Flet aq shumë, sa krijon iluzionin se vendi po ndërtohet me shpejtësinë e fjalëve. Foli edhe sot, kur doli e gjithë struktura përgjegjëse e shtetit për të na thënë atë që ne nuk kuptojmë: çfarë po ndodh me rrugët e Shqipërisë.

Flet pushteti aq shumë, sa vjen një moment kur edhe propaganda lodhet, sepse rrugët fillojnë të flasin vetë. Ato flasin për cilësinë sesi janë ndërtuar, si janë studiuar, por edhe çfarë materiali është hedhur. Natyra fillon të na tregojë se çfarë realisht është bërë me ato rrugë.

Kam zgjedhur që realisht, në opinionin publik, të mos bëj gjithollogun, por të flas vetëm për çështje që realisht më shqetësojnë. Unë vij nga një familje inxhinierësh, por kurrë nuk kam zgjedhur të flas për çështje teknike, edhe pse kam mbi 25 vite që dëgjoj për projekte, investime apo plane studimore.
Por ajo që po ndodh sot me rrugët e Shqipërisë, apo edhe investime të tjera, është vërtet alarmuese.

Në media po shohim çdo ditë se si investime miliona eurosh po tregojnë një cilësi mjaft të dobët punimesh. Po shohim sesi Shqipëria është një kantier eksperimental dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Një rrugë që plasaritet mund të jetë defekt teknik apo shkaqe natyrore, por shumë rrugë që plasariten janë model.

Korrupsioni në Shqipëri nuk është më një akuzë opozitare. Është një dyshim i përhershëm që lind sa herë që projekti inaugurohet më shpejt sesa auditohet. Kur kostot rriten pa transparencë dhe garat duken si formalitet, problemi nuk është teknik. Është politik.

Edi Rama sot mbron me këmbëngulje Belinda Ballukun dhe kjo është zgjedhje e tij.
Por pyetja që lind është pse një kryeministër vendos të mbrojë plotësisht një model që nuk është efiçentë!

A është kjo mbrojtje e një individi?
Apo mbrojtje e një sistemi kontratash?
Apo frikë se, nëse bie një gur, lëkundet muri?

Sepse pushteti që nuk kufizohet nga përgjegjësia, përfundon duke u kufizuar nga koha dhe historia, siç theksonte John Locke.

Në fund, rrugët nuk bëjnë deklarata politike, por zbulojnë të vërtetën. E vërteta ka një zakon të çuditshëm: nuk vjetrohet. Mund të vonohet, mund të sfidohet, mund të shtyhet nga propaganda, por nuk zhduket.

Sot mund të ndërtohen nëpërmjet makinerisë propagandistike të shtetit një realitet paralel mediatik, por në fund, përgjegjësia nuk shmanget. Historia dhe institucionet e drejtësisë do të kërkojnë llogari. Çdo asfalt i çarë, çdo projekt i dyshimtë dhe çdo investim pa transparencë, herët a vonë do të kalojë përmes provës së kohës dhe ndoshta edhe përmes dyerve të drejtësisë.

Në fund, ata që nuk dhanë llogari në politikë, do të duhet ta japin atë përpara ligjit dhe historisë.

Po ndodh...