
Teatri politik me listat e PS dhe PD

Dita e djeshme do mbahet mend si një ditë makthi për kandidatët që duan një punë si deputet. Në thelb nuk e kanë keq, se vetëm rroga dhe efektet në pension janë të konsiderueshme. Por unë s’do ndalem te aspekti financiar, por më shumë te sjellja politike e tyre.
Në kampin e forcës më të madhe opozitare, në listën madhështore bie në sy aspekti emocional.
Jo pak kandidatë nga PD kanë shprehur në publik me fjalë, mimikë, gjeste, shpërthime komentesh, një lloj zhgënjimi, dëshpërimi, pabesie, habie që nuk e shikojnë veten në listën e mbyllur, pavarësisht rezultateve të siguruara në primare, mbështetjes ndaj Z. Berisha poshtë ballkonit me muaj të tërë, kapërcimeve sipër mureve të kalasë së PD më 11 janar, qëndresës në ambientet e SPAK pro Berisha apo koreografisë mbresëlënëse të kërcimit me këngën e Berishës.
Shpërthimi emocional i tyre, pavarësisht interesave të ngushta, shpreh një frymë sinqeriteti te ky koalicion që nuk e di a duhet vlerësuar apo jo, besimin që kanë ata te vetja dhe te ky koalicion, përtej vendeve të sigurta që nuk sigurojnë vota. Sinqeriteti i secilit nënkupton vetëdijen që kanë ata për rezultatin e zgjedhjeve.
Deri dje jemi referuar të dhënave të sondazheve për të gjykuar mbi potencialin që ka ky koalicion për të bërë rokatën e pushtetit, sot kemi edhe vetëdijen e dëshpëruar të nënkuptuar të kandidatëve të këtij koalicioni që nuk e shohin veten në listat e mbyllura, por në ato të hapura, të cilët kanë të dhëna nga terreni dhe dinë mundësitë për të fituar një mandat plus.
Një argument më shumë është edhe blindimi i figurave kryesore, qendërstarëve të rithemelimit, drejtuesve të lartë të strukturave të forcave aleate, deputetëve me shumë eksperiencë, të cilët në vend që të ishin në lista të hapura dhe të gjithë kapitalin e tyre ta vinin në shërbim të sigurimit të mandatit përtej listave të sigurta, vendin t’ia linin emrave të rinj me karrierë profesionale, grupeve të margjinalizuara, të rinjve me vizion, personaliteteve publike etj. Sjellje që manifeston vizionin e ngushtë dhe vetëdijen për rezultatin e tyre në terren dhe të koalicionit ku bëjnë pjesë. Shkurt, parimi “më mirë një vezë sot se një pulë nesër”. Vizion "fitues" që e ka shoqëruar këtë formacion politik gjatë 12 viteve. E redukton strategjinë e sigurimit të votave, nuk harmonizon siç duhet potencialet dhe kapacitetet e secilit për të siguruar vota dhe krijon përshtypjen që futemi në garë për të qenë të njëjtat figura në parlamentin e ardhshëm.
Te lista e PS manifestohet një qasje tjetër që është më shumë racionale se iracionale. Bie në sy manifestimi hipokrit i kandidatëve të PS që nuk gjenden në lista të mbyllura, duke manifestuar para kamerave një vetëkënaqësi, vetëpërmbushje, ekzaltim, gëzim që partia, Rama më thjeshtë, u ka dhënë këtë mundësi të "artë" për të garuar në lista të hapura. Pavarësisht hipokrizisë apo shtirjes, e cila nënkupton një pamundësi objektive për të ndryshuar, ushtruar presion apo, larg qoftë, kritikuar vendimmarrjen e kryetarit Rama për këtë vendim siç po ndodh te krahu i kundërshtarit politik, kjo sjellje nënkupton edhe një lloj shprese apo mundësie që kandidatët mund të fitojnë edhe në lista të hapura.
PS, ndryshe nga kundërshtari politik, ka kuptuar thelbin e sistemit proporcional me lista gjysmë të hapura, që i ngjan një sistemi mazhoritar plus proporcional. Në listat e hapura janë vendosur kryesisht kandidatë me eksperiencë administrative, politike dhe qeverisëse, me qëllim që kapitalin e siguruar falë këtyre më lart ta vendosin në shërbim të mandatit të tyre dhe votave të partisë. Fiks, janë vendosur në një garë mazhoritare ku më i forti, më i miri, lufton fort në terren. Ndërsa te lista e hapur janë vendosur drejtues qarku, janë mbajtur parasysh kuotat gjinore, të rinj, ekspertë etj. Fiks listë kandidatësh për sistem proporcional, që përfitojnë nga votat e partisë, jo të tyre. Kjo lëvizje e diversifikon strategjinë elektorale në terren, diversifikon mobilizimin e grupeve sociale dhe harmonizon më mirë potencialet e secilit.
Përveç kësaj, reagimet e tyre në publik me regji synojnë të japin mesazhin në publik se kanë një vetëdije për potencialet e votave që janë në terren. Mundësitë për të siguruar mandate jo vetëm në zonën e sigurt, por edhe në atë të pasigurt.

Pse Aleanca Madhështore përfundoi në Foltore 2
ide

Teatri politik me listat e PS dhe PD

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit Madhështorë!

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128