80-vjetori i lindjes së poetit Xhevahir Spahiu, Alfapress.al sjell për ju një buqetë me poezitë e tij të mrekullueshme!

1 Mars 2025, 14:07 / JETË ALFA PRESS

80-vjetori i lindjes së poetit Xhevahir Spahiu, Alfapress.al sjell për

Sot, është 80-vjetori i lindjes së njërit ndër poetët më të mirë të letërsisë shqipe, Xhevahir Spahiu. 

Për kontributin e tij të vyer në fushën e artit të poezisë, stafi i Alfapress.al, po risjell në vëmendje ndër poezitë e tij të mrekullueshme, duke i uruar shëndet, jetë, krijimtari të begatë dhe falenderimet e përzemërta poetit tonë!

BORXHET E MIA

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë, a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.

NË PYJE VJESHTA NDEZI ZJARRE

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.

Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë

TAKIM MË 31 DHJETOR

Në kufirin mes viteve,
për ato që ikën,
për ato që vijnë
mendimi pezull rri.

Ty që m'u shfaqe në dhjetorin e bardhë,
nuk di ku të të fus, nuk di!
Ish pasditja e fundit e një viti në ikje.
Ora e Vlorës përudhte
shkëmbime vështrimesh të dridhshme.

Sido që të jenë ngashnjimet e ardhshme,
këto do të mbeten
të papërsëritshme.

E unë në kufirin mes viteve,
prerë nga një pyetje si ky qiell me vetëtimë:
Ku të të fus,
në ato që ikën,
a në ato që vijnë?

TE JESH ME TY

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send, 
të shohësh thellë në ata sy, 
ku dashuria hepohet si anije 
e të mos duash të jesh përherë me ty? 

Të ecësh me krahun mbi supet e tua 
e të harrosh oshëtimën e kaltër, 
limonët mbi krye, 
peshkarexhat si zjarre të natës? 

Të jesh me ty, 
tok me ty të qeshësh 
e mos kuptosh se si përpiqet deti 
të dalë jashtë guaskës së vetvetes? 

Të jesh me ty? 
Të jesh me ty!

JETOJ BRENDA SYVE TË TU

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.

PAFUNDËSI

Tej maleve të kaltra është deti,

tej ditëve që vijnë është ajo,


Unë e ndiej,

unë e ndiej,

unë e ndiej

bukurinë e gjithçkaj që s'shoh./Alfapress.al

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128