
Lufta e Mashkullorës, si i mundi Çerçiz Topulli osmanët vetëm me 20 ushtarë! Beteja që shënjoi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Më 18 mars të vitit 1908 forcat turke nisën sulmin kundër çetës së Çerçiz Topullit. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin.
Kjo betejë njihet si Lufta e Mashkullorës dhe shënonte një hap tjetër në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që shikonte edhe luftën e armatosur si mjet për të arritur qëllimet e veta politike. Aksioni i parë që bëri jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane, ishte vrasja e Bimbashit në shkurt të vitit 1908 nga çeta e Çerçiz Topullit. Bimbashi, Halil Musa Beu, ishte komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër. Gjithashtu, më 18 mars 1934, 91 vjet më parë, u përurua në Gjirokastër shtatorja e heroit kombëtar Çerçiz Topulli.
Kjo vepër, e realizuar nga skulptori Odhise Paskali, u mundësua nga kontributi financiar i vetë qytetarëve të Gjirokastrës dhe gjirokastritët e mërguar në Amerikë, si një nismë e propozuar së pari nga gazetari Xhevat Kallajxhi. Kryetar i komisionit për kryerjen me sukses të projektit ishte Kryetari i Bashkisë së kohës Sami Kokalari. Ceremonia e organizuar me atë rast ishte masive. Atmosfera u bë edhe më entuziaste, kur grupi i të rinjve, me kostumet tradicionale këndoi dhe kërceu këngën për Çerçiz Topullin.
Beteja e Mashkullorës (18 mars 1908) ishte njëra nga betejat më të rëndësishme të Çerçiz Topullit kundër pushtimit turk. Më 25 shkurt 1908 Çerçiz Topulli dhe grupi i tij kryengritës shqiptarë vranë bimbashin osman të Gjirokastrës. Pas vrasjes së bimbashit osman, Çerçiz Topulli dhe kryengritësit e tij shqiptarë ikën në Mashkullorë. Më 18 mars, kryengritësit shqiptarë dhe Çerçiz Topulli u rrethuan nga forcat osmane. Forcat osmane kishin mbi 150 ushtarë ndërsa kryengritësit shqiptarë ishin më të shumtë në numër, megjithatë Çerçiz Topulli mundi të luftonte me ushtarët dhe doli fitimtar. Grupi kryengritës shqiptar i detashmentit u përball për një ditë të tërë me sulmet e pamëshirshme të forcave turke dhe mundi të çajë rrethimin. Forcat turke humbën rreth 20 ushtarë, përfshirë gjeneralin e tyre.
Nga ana tjetër kryengritësit shqiptarë humbën vetëm një ushtar, Hajredin Tremishti si dhe u plagosën Çerçiz Topulli dhe Myftar Axhemi. Beteja e Mashkullorës është pasqyruar gjerësisht edhe në fushën e këngëve popullore ne polifoni si p.sh. “Hyri prilli doli marsi” dhe kënga tjetër “Te Rrapi në Mashkullorë” të cilat e kanë përjetësuar Betejën e Mashkullorës.
Komiteti i Gjirokastrës “Për Lirinë e Shqipërisë” merr vendimin për vrasjen e bimbashit (shefit të xhandarmërisë) së qytetit, i cili ishte treguar shumë mizor me shqiptarët. Detyra iu caktua çetës së Çerçizit. Urdhrin ia solli kapedanit vetë Idriz Guri, një tjetër patriot i njohur gjirokastrit. Çeta u vendos në malet mbi Gjirokastër. Dy herë tentoi Hajredin Tremishti dhe një komit tjetër, por pa rezultat, bimbashi ruhej mirë. Herën e tretë, këtë punë e morën në dorë lebërit, Hito Lekdushi, (ose Hito Kërma) dhe Barjam Pergjia.
Në 25 shkurt të 1908, ditë pazari, në mëngjes herët dy atentatorët, të veshur si tregtarë, hynë në qytet. Komitët e tjerë kishin zënë pozicione rreth e rrotull që të mbulonin ikjen e dy guximtarëve. Në 11.15 bimbashi kishte dhënë shpirt, ndërsa pjesëtarët e tjerë të çetës vazhdonin të qëllonin mbi godinën e xhandarmërisë. Pas dy orësh çeta ishte e sigurt në afërsi të Mashkullorës, me siguri do të kenë kaluar në hijen e rrapit. Pas tri ditësh, çeta u nda në dy pjesë, për t’i manovruar më mirë ndjekjeve. Çerçiz Topulli, vetë i shtatë, qëndroi në Mashkullorë. “Çerçizi me neve u rrëzuam në Mashkullorë – shkruan Grameno – që të mirrte Zemani shëndet nga shtëpia, edhe ca më tepër të merrnim duhan se kishim mbetur pa cigare. Qëndruam dy orë edhe u ngrohmë pakëzë edhe deshnim të shkonim, po një errësirë e madhe me erë të marrë edhe me shi si edhe sigurimet e Mërtes, ati i Zemanit, që nuk ka ndonjë rrezik, na shtrënguan edhe na bindën të qëndrojmë atje. Ishte thënë prej Zotit që të nderohen armët e Shqipërisë”. Duke e gdhirë data 5 mars 1908, Çerçiz Topulli brof në këmbë dhe lëshon atë shprehjen tashmë të bërë legjendë: “O burrani, shokë, se na rrethoi ushtria!”’.
Çeta raktis me të shpejtë shtëpinë dhe lëshohet në një përrua për të dalë deri te një haur i braktisur, ku zë pozicione. Në momentet e ikjes, një plumb e lëshon përdhe pa jetë Hajredin Tremishtin, një nga më të rinjtë e çetës. Një tjetër anëtar i çetës, Hito KërmaLekdushi. Ky, nga që nuk mundi të strehohej në gërmadhën e gurtë, preferoi më mirë të arratisej. Çeta mbeti kështu me pesë vetë. Përballë kishin 150 ushtarë. Rrethimi ka vazhduar nga ora 7 e mëngjesit deri në të ngrysur. Në mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte edhe tradhtari që i tregoi ushtrisë vendin ku strehohej çeta. “Zbathur, lakuriq, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, kështu e kujton Çerçizin atë ditë bashkëluftëtari i tij Gramenoja. Vetëm vonë, duke përfituar nga errësira e natës, çeta u vodh fshehurazi duke ecur në lumë dhe mbërriti në një çiflig të Dino Çiços, mik i Topullarëve. Këtu jetonte një “evgjit” me të shoqen. “Të uritur, iu shtruam tryezës dhe hëgrëm një tenxhere plot me fasule, të cilat ndofta evgjitërit i kishin përgatitur për një javë që ta hanin me fëmijën. Kurrë dhe kurrë do të mos e harroj, se në jetën time kurrë nuk mbaj mend që të kem ngrënë me shije kaq të madhe…”, shkruan historishkruesi i çetës. Topulli, Grameno dhe të tjerët e vazhduan jetën e kaçakut ndër male, deri në shpalljen e Kushtetutës së 1908-s, pak kohë pas Luftës së Mashkullorës.
Atëherë secili shkoi në punë të vet. “Në Selanik – i mbyll kujtimet e tij Gramenoja – ndejtëm 10 ditë, pastaj duhej të shpërndaheshim. Bajo me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjirokastër, ndërsa unë i mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotët na derdheshin çurkë si lumë, kur u puthmë dhe u ndamë e së bashku kishim shkuar si vëllezër, afër dy vjet, nëpër malet e bukura të së dashurës Shqipëri”.
Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër. Ishte komit i famshëm, njeri me shumë ndikim në zonat rreth Gjirokastrës, rreth Kurveleshit dhe rreth Shqipërisë Juglindore. Ishte vëllai i Bajo Topullit, atdhetar i shquar. Të dy këta, bashkë me Mihal Gramenon, duke qenë në Sofje, krijuan në verën e 1907-s një çetë kryengritësish, që kishte për detyrë nxitjen e kryengritjes antiosmane në Shqipërinë e Jugut në 1908-n. Çerçiz Topulli dhe çeta e tij u shndërrua në legjendë pas rezistencës që i bënë ushtarëve osmanë në fshatin Mashkullorë, më 5 mars të 1908. Në verën e të njëjtit vit, Çerçizi tentoi, por pa rezultat, të shtinte në dorë Korçën.
Pas këtij momenti e deri në momentin e rënies së qeverisë së Princ Vidit ai iu kushtua lëvizjes patriotike dhe përhapjes së shkollave shqipe në krahinat e Jugut. Në 1914 u strehua, si shumë politikanë të tjerë shqiptarë në Shkodër, ku bashkëpunoi me Muço Qullin në botimin e gazetës “Populli”. U vra në Fushën e Shtojit, në Shkodër, nga trupat malazeze, më 15 korrik 1915. Ishte vetëm 35 vjeç. Mihal Grameno ishte nga Korça. Ai lindi në janar të 1871. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Emigroi që herët në Rumani, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në moshën 28-vjeçare ishte sekretari i shoqërisë patriotike shqiptare “Drita”. Në 1907 iu bashkua çetës së Çerçizit me shokë dhe bëri jetë prej komiti. Më pas ishte drejtues gazetash në Korçë. Nga 1915 e deri në 1919 emigroi në Amerikë. Ishte njëri nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Mihal Grameno ka lënë pas edhe shumë krijime letrare me frymë patriotike. Vdiq në Korçë nga shkaqe natyrale, më 1931. Bajo Topulli ishte një nga nëntë vëllezërit e Çerçizit.
Kishte lindur po në Gjirokastër në 1869. Në 1905 ishte nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit. Në nëntor të këtij viti ishte njëri prej nismëtarëve të krijimit të Komitetit të fshehtë paraushtarak që quhej “Për lirinë e Shqipërisë”. Nga ky komitet u krijuan degë në Korçë, në Kolonjë dhe në Gjirokastër. Në mars të 1906 ishte në krye të një çete të armatosur, që vepronte në zonën e Korçës. Pikërisht kjo çetë ekzekutoi në shtatorin e 1906 peshkopin e atëhershëm grek të Korçës Fotin. Peshkopi akuzohej si nxitësi kryesor i vrasjes së priftit patriot Papa Kristo Negovani. Deri në shpalljen e Kushtetutës osmane, në 1908, Bajo Topulli ishte njëri ndër veprimtarët më të njohur të lëvizjes patriotike shqiptare. Për disa kohë, pas shpalljes së Pavarësisë, jetoi jashtë vendit. Në 1923 kthehet në Gjirokastër, qytet i cili në 1925 e zgjedh Kryetar Bashkie. Jep dorëheqjen për arsye shëndetësore në 1928 dhe vdes dy vjet më vonë në Sarandë.

ide

Sikur të kishim nja shtatë a tetë si Kreshnik Spahiu!


Erion Veliaj, kryeredaktori nga qelia
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128