
Mashtrimi se “do të ndërtohej një Shqipëri demokratike”! Si i manipuloi regjimi komunist zgjedhjet e para më 1945! Gracka e Enverit për deputetët e opozitës dhe vrasja e tyre

Si u zhvilluan në përgjithësi zgjedhjet e para pas lufte? Pasazhi në vijim është nga një proces verbal i një qendre votimi në Zemlak të Korçës, që flet qartë: Një grua e moshuar ish-pasanike e konfiskuar, shkoi të votonte. Komisioni i dha kokrrën e llastikut (votën)dhe ajo sipas rregullit e futi dorën në kutinë e kuqe dhe nuk e lëshoi goglën. E futi në kutinë e zeze dhe e lëshoi. Kokrra kur ra në shtresën dërrasë të kutisë u dëgjua trokitja. Njëri komisionerët nuk e mbajti veten dhe i thotë: “Nënë e hodhe keq goglën”! Plaka e pa veten ngushtë, por për ta kaluar çështjen butë iu përgjigj: “Hë mor bir, të marrin edhe ata (që ishin armiqtë) nga një kokërr”.
Siç dihet nga historia, më 2 dhjetor të vitit 1945 u zhvilluan zgjedhjet e para legjislative. Ishte koha kur ende mbisundonte entuziazmi i daljes nga lufta, siç sundonte edhe pesimizmi nga përzënia me pushkë nga Shqipëria e të gjithë nacionalistëve, që nuk qenë dhe nuk ishin dakord për krijimin e fatkeqësisë së ardhshme qeverisëse të komunistëve. Në të njëjtën kohë rregullat e shoqërisë njerëzore si kudo e kërkonin që edhe në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhjet e përgjithshme legjislative për të krijuar parlamentin dhe qeverinë e parë pas lufte. Pikërisht për këto u evidentuan probleme të shumta që aleatët e mëdhenj anglo amerikanë, të cilët ishin ende në Shqipëri, nuk pranonin të njihnin një qeveri shqiptare e pa bazuar ajo në pluralizëm. Po ku t’i gjenin komunistët forcat e tjera politike që të përfaqësoheshin në zgjedhje?! Ata, Ballin Kombëtar e Legalitetin që ishin forca politike pjesëmarrëse në luftë ju vunë pushkën dhe i etiketuan “armiq” e “tradhtarë”, sepse pushtetin e deshën, siç edhe e manipuluan dhe e morën të gjithin për vete.
Megjithatë të vënë përballë presionit të madh e të drejtë të aleatëve tanë të mëdhenj anglo amerikanë se “nuk do t’i njihnin zgjedhjet në Shqipëri në se në to nuk merrnin pjesë edhe nacionalistët jashtë partisë komuniste”. Për rregullimin e gjësë, komunistët me Enver Hoxhën në krye u përpoqën me lloj-lloj makinacionesh të “argumenton” se zgjedhjet do ishin të lira e pa presione dhe në to përveç kandidaturave komuniste do të merrnin pjesë edhe nga Fronti Demokratik njerëz pa parti politike. Por kjo nuk ishte as e mjaftueshme, as bindëse për ndërkombëtarët veçanërisht për anglo-amerikanët, të cilët këmbëngulnin se “pa zgjedhje gjithëpërfshirëse, zgjedhjet nuk do të pranoheshin dhe si rezultat as qeveria nëse tentohej të formohej nuk do të njihej”. Në atë kuadër para zgjedhjeve Enver Hoxha lëshoi thirrjen për aktivizimin si kandidatura në zgjedhje përveç komunistëve edhe të nacionalistëve që kishin mbetur në Shqipëri. Madje ai ndaj tyre filloi edhe “lutjet e veçanta” për të pranuar figura të shquara jashtë partisë së tij në kandidimin në zgjedhje, zgjedhje që u damkosën me manipulime masive për nga forma e nga përmbajtja. Cilat ishin manipulimet? Ata fillonin me atë që komunistët e quanin program, se populli do të hante me “lugë floriri” siç premtuan që në luftë.
Manipulime u bënë me tarafet e miqësitë, me joshjet, me dhunën e këshillave, me ushtrinë, me forcat e të ashtuquajturit Divizion i Mbrojtjes së Popullit, me të quajturat “Forca Shëtitëse” d.m.th. ndëshkuese, që shkonin fshat më fshat dhe terrorizonin njerëzit e spiunuar d.m.th. ushtronin dhunë. Po kandidaturat e Frontit për deputetë si u manipuluan? Çfarë e si u angazhua për to vetë Enver Hoxha? Cilët thirri ai në takime dhe u a mbushi mendjen të kandidonin në zgjedhje për deputetë krahas figurave të tij komuniste? Çfarë u tha Enver Hoxha nacionalistëve të ndershëm Riza Danit, Shefqet Bejës, Riza Alizotit, Kol Kuqalit, Selaudin Totos e me dhjetëra të tjerëve që me pas u bënë deputetë e më pas po Enver Hoxha i arrestoi si opozitarë dhe i vari e pushkatoi si tradhtarë? Përse pranuan figurat e shquara popullore të kandidonin në zgjedhjet komuniste të 2 dhjetorit? A vërtet u gënjyen figurat e shquara popullore jo komuniste nga thëniet e përbetimet e Enver Hoxhës se “do të ndërtohej një Shqipëri demokratike”?! A mjaftonin përbetimet e Enver Hoxhës për krijimin e mirëqenies së ardhshme, për rivalitetin e ekonomive të ndryshme të shqiptarëve etj.,etj. Dhe përballë këtyre pyetjeve, komunistët sollën shpejt faktet rrëqethëse të sistemit diktatorial të tyre, të cilët vepronin hapur gjatë luftës si komunistë, u fshehën pas lufte në radhët e Frontit, ridolën më pas përsëri si komunistë dhe pasi i bënë më të zezat e pa përshkruara këtij populli në dhjetëra vjet me radhë, u kamufluan si socialistë e jetojnë mes nesh si majtistë.
Manipulime bënë ngado komunistët në zgjedhjet e para pas lufte si me njerëzit ashtu edhe me organizmat e mjetet deri me kutitë e votimit. Dhe a e dinë brezat se si u votua te ne në vitin 1945? Me kokrra llastiku. Çdo me thëne kjo? Po, me kokrra llastiku. Edhe me to komunistët manipuluan e bënë hile vodhën zgjedhjet. Në çdo qendër votimi ishin dy kuti druri, njëra e kuqe e Frontit dhe tjetra e zezë e kundërshtarëve e “armiqve”. Votuesi duhej detyrimisht të fuste dorën në të dy kutitë ku në dorën mbledhur grusht mbante kokrrën e llastikut dhënë nga komisioni i votimit (e cila presupozonte fletën e sotme të votimit) dhe ashtu dorën grusht e fuste një herë në njërën kuti dhe një herë në kutinë tjetër, por ama në njërën duhej ta lëshonte detyrimisht kokrrën e llastikut se ishte vota që duhej ta lëshonte që kokrra të mos bënte zhurmë. Mirëpo “doçat” komunistë, kutisë së kuqe poshtë i kishin vënë një copë shajaku që kokrra të mos ndjehej kur ta lëshonte votuesi. Kjo ishte “rregull” për të dyja kutitë, por kutisë së zezë poshtë nuk i kishin vënë copë shajaku dhe kokrra trokëllinte e komisioni e merrte vesh se cili votonte kundra, e jashtë atë e priste “shëtitësja” për “formalitetet”. Do t’u tregoj një rast mes qindrave, që sot duken si përralla, por që kanë qenë të vërteta. Ngjarja është në një proces verbal zgjedhjesh në një fshat të Korçës, ku një nënë e moshuar me “biografi jo të mirë” ish- pasanike e konfiskuar shkoi të votonte. I dhanë kokrrën e llastikut dhe ajo sipas rregullit e futi dorën në kutinë e kuqe dhe nuk e lëshoi goglën. E futi në të zezën dhe e lëshoi. Kokrra kur ra në shtresën dërrasë të kutisë kërciti. Komisioni e kuptoi se plaka voto kundra.
Farsa e zgjedhjeve të para pas “çlirimit” ishte një demagogji e tërë, e ngritur gradualisht në sistemin e kohës. Në zgjedhjet e para të pas Luftës, Enver Hoxha ua pati nevojën njerëzve të shquar, që nuk bënin pjesë në partinë e tij, e si të thuash ato njerëz intelektualë kishin jo vetëm reputacion në popull, por kishin mbajtur ende një qëndrim pro pushtetit të ri se “shpresonin se ende diçka do të bëhej për këtë popull “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. E këtyre njerëzve idealistë me reputacion në popull, Enver Hoxha me dredhi u a mori votën, e pastaj, as një vit më pas dhe fiks më 23 dhjetor të vitit 1946 dha urdhrin e tij direkt dhe nisi kalvarin e arrestimin se bënin opozitë.
Po cilët ishin nacionalistët e ndershëm që pranuan nga “lutjet” e Enver Hoxhës të kandidonin në zgjedhjet e 2 dhjetorit të viti 1945? Ishte i nderuari Riza Dani, Kolë Prela, Zef Haxhia, Hysni Peja, Shefqet Beja, Riza Alizoti, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Konstandin Boshnjaku, Islam Radovicka etj që të gjithë Enver Hoxha pasi me lutje për pushtetin e tij i bëri deputetë, as një vit më pas u vuri hekurat me motivacionin se ata shprehnin hapur mendimet ndryshe nga ato të komunistëve dhe bënin opozitë e cila nuk pranohej nga komunistët. Po përse Enver Hoxha vetë i promovojë dhe i la këta njerëz të shquar që të ngjiteshin deri lart në deputetë, duke i pasur ata siç ka theksuar po vetë, “ferra” nëpër këmbë?! Është e provuar me dokumentacione sjellja e tij se për ato momente, ato lloj figurash i duheshin Enver Hoxhës që të legjitimonte në Shqipëri pushtetin komunist, siç duhet thënë se ato figura iu deshën po Enver Hoxhës, që opinioni i gjerë ta mbështeste atë, për në pushtetin që e kishte “sjellë” me grykën e pushkës. Tashmë zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 janë të super dokumentuara se u zhvilluan nën trysninë dhe dhunën terroriste të komunistëve e si rezultat, ato u bënë nga perëndimorët objekt kontestimi.
Asambleja Kushtetuese që doli nga “zgjedhjet” e 2 dhjetorit të vitit 1945, përbëhej nga 82 deputetë gjithsej, nga të cilët 48 ishin deputetë komunistë, pra shumica. Të tjerët ishin personalitete dhe shenjën opozitarë e dhanë menjëherë me qëndrimet e tyre që në seancën e parë të 10 janarit 1946. Dhe këtë me diskutimet, qëndrimet dhe votimet e tyre në të gjitha Komisionet e Kuvendit, ku ata diskutuan gjatë, e shfaqën pa rezerva dhe kundërshtime si për miratimin e ligjeve në bllok, ashtu edhe për të ardhmen e politikës ekonomike të Shqipërisë, deri për Rregulloren e parë të Kuvendit, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një pretencë ndaj lirisë së fjalës së deputetëve.
Lufta politike mes deputetëve komunistë dhe atyre pa parti, pra opozitarë në periudhën janar-mars 1946, në Kuvend ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Pati kundërshti të forta e me baza të pakundërshtueshme për projekt Statutin e Republikës apo Kushtetutën e parë të pas Luftës, ku deputetët opozitarë stigmatizuan thelbin e saj si të tërë ideologjik, ashtu edhe pjesët social ekonomike.
Arrestimet e deputetëve, duke shmangur Kuvendin, ishin domethënia e frikshme e vitit 1946 se çfarë do të vinte më pas ashtu edhe siç erdhi. Së bashku me deputetët opozitarë, regjimi komunist arrestoi edhe shumë intelektualë të tjerë të shquar siç disa prej tyre ishin Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujanuku, Beqir Çela etj. ?! “Inatin” për ta, për ata deputetë që arrestoi Enver Hoxha, e kishte që nga para përgatitjet e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945, për “lëpirjen” që u kishte parabërë për t’i futur kandidatura e tyre në zgjedhje, pasi i duheshin të pavarurit në proces zgjedhor.
Me dokumente, pikërisht më 17 tetor të vitit 1945, tamam në prag të fushatës zgjedhore të dhjetorit 1945, Enver Hoxha zhvilloi një plenum të partisë që atëherë ishte në ilegalitet, ku në referantin e tij do të theksonte se “opozita kundër partisë nuk i kishte rrënjët në ujë”. Me këtë ai po u thoshte e po u bënte thirrje komunistëve për të vepruar me masa represive ndaj njerëzve që kishte të dhëna për pro perëndimorë. Këto qëndrime të Enver Hoxhës tregonin qartë se ai e kishte konsoliduar me kohë mendimin që një seri kandidaturash për deputetë në zgjedhjet e 2 dhjetorit, do të ishin opozitar të programit të tij qeverisës e në vijim do të bënin opozitën. Mirëpo ai dhe regjimi i tij komunist kundërshtarët nuk i donte se që gjatë Luftës atyre, politika e asaj partie sllaviste “ju kishte vënë pushkën”. Dhe ashtu rezultoi. As një vit nga zgjedhjet, Enver Hoxha duke mos duruar mendimet opozitare të deputetëve jo komunistë, urdhëroi dhe i arrestoi direkt ata nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, të parin grup, që ai e quajti grupi i Shefqet Bejës.
Të gjithë deputetët që Enver Hoxha i arrestoi dhe dënoi rezulton se të gjithëve ai i u “ishte lutur” që të pranonin të bëheshin deputetë me argumentimin për “interesa të Shqipërisë”. Kandidaturat e tyre i futën në listat e Frontit, jashtë kandidaturave të Partisë Komuniste dhe ata të gjithë pranuan, me që u shtrua çështja “për të mirën e Shqipërisë”, por me një gjë nuk u solidarizuan kurrë “që Shqipëria të qeverisej me mendimet e një njeriu, qoftë edhe ai që i ishte bërë një propagandë e madhe që gjatë Luftës, të Enver Hoxhës”. Për këtë, për të ndaluar revanshin komunist ata u bënë pre e përndjekjes deri në arrestim, që u kushtoi jetën.
Me përfshirjen në listat e kandidaturave për deputetët e parë, Enver Hoxha u duk sikur ishte pro demokracisë, por që ishte një gjë e stisur, që binte ndesh me synimet për qeverisjen pa opozitarë, ndaj ai synonte sa të fitonte zgjedhjet e të paraqitej para botës si regjim demokratik, mirëpo e vërteta qëndronte ndryshe që vetëm grupimi i komunistëve të ishte në skenën politike e të sundonte i vetëm Shqipërinë, pa diskutim me diktaturë. Në fakt për të mos thënë më tej, politika komuniste e qeverimit e vetme pa demokraci, ishte e vjetër që nga “Mukja”, ku filloi fare hapur lufta jo vetëm ndaj organizatave të tjera politike “Balli” e “Legaliteti”, por edhe ndaj eksponentëve potencialë opozitarë, që për fatin e keq në Shqipëri pas Lufte e pati edhe “Grupi i Deputetëve”, që ishte opozita reale, e cila kishte marrë përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe në Shqipëri por që nuk u bë, që nuk e la me terror regjimi i Enver Hoxhës deri në vitet ’90-të.
Nisur nga interesat kombëtare, në zgjedhjet e 2 dhjetorit, njerëz me bindje anti Enver Hoxhë, ndonëse pranuan të vendoseshin në listat e Frontit, nuk i ndërruan bindjet e tyre demokratike, sepse ato njerëz qenë jo vetëm të mençur, por edhe me integritet.
Dokumentet arkivore flasin vetë për ato lloje deputetësh të zgjedhjeve të 2 dhjetorit, që ishin opozitarë të ndershëm e figura të shquara të kombit shqiptar. P.sh. Shefqet Beja, që u bë deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, kishte qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste. Mendimet e tij ai asnjëherë nuk i fshehu, madje me gojë e me shkrim se ai “ishte për një sistem liberal ekonomik” duke kundërshtuar në Kuvend vijën e partisë komuniste. Për këto Enver Hoxha urdhëroi arrestimin dhe e dënoi me varje në litar, sepse mendimet e tij binin ndesh me atë nga e kish drejtuar “busullën” regjimi, nga sllavët.
Pa diskutim Enver Hoxha me jugosllavët i kishin survejuar mendimet që shprehnin kandidatët për deputetë në takime me zgjedhësit, mendime që tregoi se ishin “regjistruar” e arkivuar. Nuk mund ta përtypte Enver Hoxha që deputeti Shefqet Beja të botonte, siç botoi në gazetën “Bashkimi” në qershor të vitit 1945 disa artikuj mbi politikat ekonomike, që “duhet të zbatoheshin në Shqipëri dhe rrugën ku e si duhet të ecte ekonomia shqiptare”. Në ato artikuj deputeti Shefqet Beja shpaloste “idetë e tij për një sistem liberal ekonomik në Shqipëri, ku peshë dhe rëndësi duhet t’i jepej prodhuesit privat, i cili duhet të kujdesej vetë për cilësinë e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të shitjeve”. Jo vetëm kaq, jo vetëm në drejtim të ekonomisë por deputeti Shefqet Beja, nuk i fshehu pikëpamjet e tij edhe mbi sistemin politik, “që duhej të vendosej në Shqipërinë e pasluftës”.
Në referatin e tij të mbajtur në Kongresin e Frontit Demokratik në gusht të vitit 1945, Shefqet Beja argumentonte domosdoshmërinë e minimizimit të rolit të Partisë Komuniste në drejtimin e vendit, duke i mëshuar rëndësisë se Fronti, e cila me që nuk kishim tjetër, të paktën sipas tij duhej të merrej si një organizatë që përfshinte një shumicë absolute shqiptarësh. “Konkretisht -theksonte Shefqet Beja, – Frontit i bie barra që ta udhëheqë e ta edukojë popullin në rrugën e demokracisë dhe ashtu si në kohën e Luftës, kur ai ishte organizuesi dhe mobilizuesi i popullit…, ashtu edhe sot, akoma më shumë i takon të jetë udhëheqësi dhe mobilizuesi i popullit për demokracinë dhe konsolidimin e saj në vendin tonë”.
Koncepte të tilla të ngjashme për zhvillimin ekonomik e politik të vendit kishte edhe deputeti tjetër pa parti Konstandin Boshnjaku, ish Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Konceptet e tij mbi zhvillimin ekonomik të vendit, ai i paraqiti në Këshillin e Ministrave më 22 dhjetor 1945, me anë të një Promemorie ku shkruante se “jam i mendjes që ne, iniciativës private duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet të inkurajojmë dhe sidomos të mos e shqetësojmë herë pas here, pasi…pa iniciativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”. Në Promemorien që përmendëm, deputeti Konstandin Boshnjaku paralajmëronte Këshillin e Ministrave dhe drejtuesit e lartë komunistë se “mungesa e iniciativës private do ta çonte ekonominë shqiptare në një ekonomi parazitare”. Ai shprehej i pakënaqur edhe me Reformën Agrare…, që sipas Boshnjakut, “shteti nuk duhet të ndërhynte në sipërmarrjen e lirë dhe politika ekonomike duhej të kishte qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë”. Mendimet e Konstandin Boshnjakut, të Shefqet Bejës e të dhjetëra të tjerëve deputetë ishin mendime që binin ndesh me konceptin për drejtimin e ekonomisë së centralizuar .
Deputetët opozitarë ishin personalitete, p.sh. Sheh Kurbunara, që kishte qenë një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, Enver Hoxha e dënoi me vdekje me varje në litar. Dr. Enver Sazani, që ishte Drejtor i Spitalit Ushtarak, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Salaudin Toto, ishte themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe Drejtor i atij Instituti, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Sulo Klosi, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg e kryeinxhinier në Rubik, e dënoi me vdekje, me varje. Riza Alizoti, i diplomuar në Oksford dhe i specializuar në Strasburg për shfrytëzimin e minierave, e dënoi me vdekje, me varje. Selim Kokolari, ish pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës e mbështetës i Luftës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Muhamet Prishtina, djali i patriotit Jahja Prishtina, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Hysen Shehu, djali i Sheh Kurbunarës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Abdyl Kokoshi, diplomuar për Drejtësi në Paris, e dënoi me vdekje, me pushkatim etj./Panorama
-
Mesfushori: City ekip shembull, nder të jem pjesë e këtij ekipi
27 Shkurt, 14:58

ide

Nëse Amerika mbyll SPAK-un, kush përfiton më shumë, PS apo PD?

A mund të përmirësohet SPAK nga klasa jonë politike?

Inteligjenca Artificiale - Një Univers Dystopik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128