Vihet në vend amaneti i Kristaq Dhamos, 'Tana' e restauruar premierë në Korçë

19 Nëntor 2022, 19:05 / JETË ALFA PRESS

Vihet në vend amaneti i Kristaq Dhamos, 'Tana' e restauruar

Pas premierës në Tiranë, “Tana” e restauruar shfaqet në Korcë. Zë vend këtë të premte në teatrin “Andon Zako Ccajupi” amaneti i regjisorit Kristaq Dhamo, që filmi i parë shqiptar artistik me metrazh të gjatë, të shihet mes njerëzve e në vendin ku u xhirua.  Fillimisht publiku takohet me imazhe të filmit në hollin e teatrit përmes një ekspozite.

“Kemi ardhur këtu për porosinë e lënë nga regjisori Kristaq Dhamo, ndaj nata sonte i dedikohet atij. Kemi dhe plane të tjera, mund të them se ka nisur rrugën e restaurimit “Gjeneral Gramafoni”, u shpreh Marinela Ndria, drejtore e Arkivit Kombëtar të Filmit.

Ngjarjet zhvillohen në vitet 50 ku në qendër të skenarit është Tana një vajzë e zgjuar me mendime të përparuara e cila dashuron por mentaliteti është ndryshe nga mendimet e saj. E ka interpretuar aktorja Tinka Kurti me në krah Naim Frashërin. Këtë mbrëmje Kurti është e pranishme në premierë.

“Tinka Kurti ka xhiruar në Korçë për herë të parë, madje shpeshherë është shprehur se ‘jam korçare, sepse kam shumë kujtime”, thotë Zamira Kita.
E emocionuar, Margarita Lala, montazhiere e filmit “Tana” u shpreh nostalgjike për kohët kur filmi xhirohej në Bugarec të Korçës, asokohe thjesht 16 vjeç.

“Sot jam 84 vjeç dhe në atë kohë isha 16 vjeç, isha montazhiere e filmit. Kemi xhiruar në Bugarec, Korçë dhe jam e lumtur se kam qenë pjesë e ekipit”.- u shpreh montazhieria.

Regjisori Kristaq Dhamo u nda nga jeta në 14 gusht të këtij viti. Pak ditë para vdekjes, nga shtrati i spitalit ku gjendej në Itali, ai kërkoi që premiera e filmit të parë artistik me metrazh të gjatë që mban autorësinë pas restaurimin të shfaqej në Korçë. Filmi u shfaq fillimisht në Tiranë, pranë Arkivit të Filmit, ndërsa ditën e djeshme mundën ta shikonin edhe publiku korçar, pikërisht aty ku është xhiruar.

Po ndodh...

ide