Kurti, Haradinaj, Abdixhiku dhe Hamza/ Njihuni me profilet e 4 Kandidatëve për Kryeministër në Kosovë

8 Shkurt 2025, 19:24 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti, Haradinaj, Abdixhiku dhe Hamza/ Njihuni me profilet e 4 Kandidatëve

Jemi 1 ditë para zgjedhjeve në Kosovë, pasi në 9 shkurt me anë të votës së tyre do të zgjidhet lideri i vendit. Alfapress sjell sot profilin e kandidatëve kryesorë në zgjedhje.

4 kandidatët krysorë janë Albin Kurti nga Vetëvendosja, Lumir Abdixhiku nga LDK, Bedri Hamza nga PDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK

Albin Kurti (Vetëvendosje)

Albin Kurti lindi më 24 Mars 1975 në Prishtinë, është një politikan dhe aktivist shqiptar, që shërben si Kryeministër i Kosovës që nga 22 marsi 2021, pasi ka shërbyer më parë në atë rol midis shkurtit dhe qershorit 2020.
Ai u bë i njohur në vitin 1997 si nënkryetar i sindikatës studentore të Universitetit të Prishtinës dhe organizator kryesor i demonstratave jo të dhunshme në vitet 1997 dhe 1998.

Kur Adem Demaçi u bë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti punoi në zyrën e tij. Ai është deputet i Kuvendit të Kosovës që nga viti 2010 në tre legjislatura radhazi.

Prej 21 janarit 2018, Albin Kurti është kryetar i partisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të cilën e themeloi dhe e drejtoi në vitet 2005 deri më 2015.

Jeta

Ai është i martuar me një grua norvegjeze Rita Augestad Knudsen dhe kanë një vajzë të quajtur Lea. Përveç gjuhës amtare shqipe, ai flet edhe serbisht, frëngjisht dhe anglisht. Krahas shtetësisë së Kosovës, Albin Kurti ka edhe shtetësi shqiptare dhe ka votuar në zgjedhjet shqiptare.

Nisja

Albin Kurti doli për herë të parë në tetor të vitit 1997, si një nga liderët e protestave studentore në Kosovë. Studentët shqiptarë protestuan kundër pushtimit të kampusit të Universitetit të Prishtinës nga policia serbe. Pushtimi kishte filluar në vitin 1991 dhe kishte bërë që personeli akademik dhe studentët shqiptarë të përdorin vende alternative për klasat e tyre për shkak të ndalimit të përdorimit të objekteve universitare nga ligji serb. Protestat u shtypën me dhunë, por studentët dhe Albin Kurti nuk e ndalën rezistencën dhe organizuan protesta të tjera në muajt në vijim.

Në korrik të vitit 1998, Albin Kurti bashkëpunoi si ndihmës i përfaqësuesit politik Adem Demaçi, i afërt me grupin e UÇK-së. Këto veprime e bënë atë në shënjestër të policisë serbe.

Në prill të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, Albin Kurti u arrestua dhe u rrah rëndë nga forcat serbe. Fillimisht u dërgua në burgun e Dubravës, por pasi ushtria serbe u tërhoq nga Kosova, ata e transferuan në një burg në Pozharevc më 10 qershor 1999. Më vonë atë vit, ai u akuzua për "rrezikim të integritetit territorial të Jugosllavisë dhe komplot për të kryer një veprimtari armike të lidhur me terrorizmin” dhe u dënua me 15 vjet burg.

Lumir Abdixhiku (Lidhja Demokratike e Kosovës)

Lumir Abdixhiku lindi më 22 prill 1983, është anëtar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai shërbeu si ish-Ministër i Kosovës për Infrastrukturën dhe Mjedisin nën kabinetin Kurti.

Para kësaj, Abdixhiku shërbeu si Kryetar i Komisionit të Buxhetit dhe Financave në Kuvendin e Republikës së Kosovës ndërmjet 2017-2019.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në dhe filloi mandatin e tij të dytë si anëtar i parlamentit.

Bedri Hamza (Partia Demokratike e Kosovës)

Bedri Hamzalindi më 8 nëntor 1963.
Ka qenë Ministër i Financave i Republikës së Kosovës në dy raste, ka shërbyer tre mandate në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka qenë guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës nga viti 2013 deri në vitin 2017 është kryetar aktual i komunës së Mitrovicës (Mitrovica e Jugut).
Hamza është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidat i saj për kryeministër, lideri i PDK është Memli Krasniqi.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (2013–17)

Hamza u emërua guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës më 14 mars 2013.
Emërimi i tij ishte i diskutueshëm; partitë opozitare argumentuan se emërimi i një zyrtari kryesor të PDK-së në këtë rol ishte një sulm ndaj pavarësisë së bankës.

Megjithatë, ai shërbeu në këtë rol për katër vitet e ardhshme.

Ramush Haradinaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës)

Ramush Haradinaj lindi më 3 Korrik 1968në fshatin Gllogjan, afër Deçanit.
Është një politikan shqiptar i Kosovës, kryetar i partisë së AAK-së dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Prej datës 3 Dhjetor 2004 deri më 8 Mars 2005, ai ishte Kryeministri i Tretë i Republikës së Kosovës dhe që nga data 9 Shtator 2017, është zgjedhur përsëri si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe shërbeu deri më 3 Shkurt 2020.

Ramush Haradinaj ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së. Pas luftës me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ai emërohet zëvendëskomandant i TMK-së.

Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kryetar i së cilës është edhe sot.
Më 3 dhjetor 2004 në parlamentin e Kosovës u zgjodh kryeministër me shumicë votash. Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij dhe si rrjedhojë po atë ditë Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës në mënyrë që të përballet me aktakuzën e ngritur nga Tribunali.

Ai të nesërmen shkon vullnetarisht në Tribunalin e Hagës, ku me të mbërritur u burgos. Pas disa muajve në paraburgim ai u lirua përkohësisht deri në fillim të gjykimit të tij.

Është i martuar me prezantuesen e lajmeve, Anita Haradinaj, me të cilën ka një djalë dhe një vajzë. Haradinaj ka jetuar për disa vite jashtë Kosovës, kryesisht në Zvicër, ku edhe ka mësuar gjuhën frënge dhe angleze. Haradinaj emigroi në Zvicër, ku kaloi 8 vite duke punuar si punëtor ndërtimi dhe roje të sigurisë . Në Zvicër, ai u bashkua me separatiste Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, nga e cila ka origjinën UÇK-së. Ka shtëpinë, në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Lider i vendit në 2017

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, Haradinaj u zgjodh Kryeministër i Kosovës më 9 shtator 2017, me 61 vota për dhe 1 abstenim pas një krize të gjatë politike. Pjesa tjetër e 58 deputetëve bojkotuan votimin. Qeveria e tij përbëhet nga një koalicion i madh i quajtur Koalicioni PANA./Alfapress.al